“Nuk e kemi mbajtur lëkurën tonë larg zjarrit të saj”- Lufta ndaj korrupsionit, kryeministri Rama: Sot drejtësia po vepron mbi pushtetin politik e pavarur

May 7, 2024 | 10:21
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes me deputetët dhe ministrat e PS-së, deklaroi se sot drejtësia po vepron mbi pushtetin politik e pavarur.

“Nuk e kemi mbajtur lëkurën tonë larg zjarrit të saj”, tha Rama, duke shtuar se asnjë forcë politike më shume se PS “nuk i ka hyrë detit me këmbë për ta pavarësuar drejtësisë nga pushteti politik”.

Rama theksoi se “jo vetëm i kemi hapur rrugë krijimit të një gryke zjarri të re, por edhe ia kemi hequr vetes me guxim çdo mundësi kontrolli politik të shënjestrave dhe goditjeve të asaj gryke zjarri”.

Edi Rama: Askush më parë, asnjë forcë me peshë qysh prej shkëputjeje së Shqipërisë nga Perandoria  Otomane nuk i ka hyrë detit me këmbë për ta pavarësuar drejtësisë nga pushteti politik.

Askush dhe asnjë. Ndaj askush nuk është hetuar nga një drejtësi e pavarur siç po ndodh.

Këtë nuk na e mohon e as nuk na e merr dot askush. Sot s’do të kishte rilindur besimi i shqiptarëve tek drejtësia nëse s’do të ishte PS, rrëzimi i monumentit të kulturës së pandëshkueshmërisë. Gjurma jonë në histori do të varet nga sa më tej akoma sot e më tutje ne PS do ta bëjmë të pakthyeshëm këtë progres.

Ne vetëm jemi futur dhe jemi në mes të një flotë të vërtetë, reale, të stërngatërruar me korrupsionin. Ka një fakt kuptimplotë, pikërisht sepse nuk e kemi me gjasme këtë luftë, nuk e kemi mbajtur lëkurën tonë larg zjarrit të saj. Jo vetëm i kemi hapur rrugë krijimit të një gryke zjarri të re, të cilën shteti shqiptar nuk e ka pasur kurrë, prokurorisë dhe gjykatës kundër korrupsionin, por edhe ia kemi hequr vetes me guxim, vullnet çdo mundësi kontrolli politik të shënjestrave dhe goditjeve të asaj gryke zjarri. Kushdo të thotë çdo gjë, por sot drejtësia vepron mbi pushtetin politik e pavarur nga pushteti politik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura