Vizita provokuese e Presidentit Xi Jinping në Europë

May 7, 2024 | 7:44
SHPËRNDAJE

AGRON LOCIAGRON LOCI

Ditën e diel në mesditë, avioni presidencial kinez zbriti në aeroportin e kryeqytetit francez, që për koinçidencë mban emrin e presidentit Charles de Gaulle, i cili 60 vite më parë propozoi fillimin e marrëdhënieve diplomatike me vendin e madh aziatik. Është pikërisht ky përvjetor, që përbën sipas palës kineze, arsyen e vizitës zyrtare të presidentit kinez, si një vlerësim për aktin e De Gaulle, duke pasur parasysh se ai u ndërmor në një moment delikat të Luftës së Ftohtë.

Dy ishin linjat kryesore të çështjeve që u diskutuan gjatë ditës së djeshme. Macron i kërkoi homologut të tij kinez të mbajë një qëndrim neutral ndaj Rusisë në momentin kur ai ka marrë përsipër të luajë rolin e protagonistit dhe ka dalë hapur me idenë që vendet e BE-së bashku të ndjekin një linjë të ashpër ndaj Rusisë, qëndrim që liderët e rëndësishëm europianoperëndimorë nuk e kanë miratuar, ndërkohë që janë për vazhdimin e një politike të moderuar. Pavarësisht se Macron këmbënguli që Kina duhet të respektojë pozicionin e saj neutral në këtë konflikt europian, analistët mendojnë se ajo do të vazhdojë të ketë marrëdhënie të afërta me Kremlinin. Kontratat për shitjen Rusisë së pjesëve mikroelektronike apo pajisjeve të tjera teknologjike kineze janë në fuqi, ndërkohë që Rusia këto pjesë i përdor për industrinë e luftës.

Një tjetër çështje që u diskutua edhe në praninë e shefes së Komisionit të BE, Von der Leyen, ishte ajo e marrëdhënieve ekonomike në nivel kombëtar, por edhe me unionin. Xi është i interesuar të gjejë mirëkuptimin dhe marrëveshjen për hapësira më të mëdha për mallrat kineze në tregun europian. Ndërkohë që Brukseli jo rrallë e ka akuzuar Kinën se përmes politikave të saj të pandershme tregtare ka përfituar jo pak duke bërë që BE të ketë një bilanc tregtar negativ. Për më tepër varësia e shumë tregjeve europiane nga mallrat dhe lënda e parë kineze ka bërë që në shumë raste, Kina këtë varësi ta përdorë si instrument politik për të avancuar interesat e saj gjeopolitike në Europë.

TAKIMI ME DY “KUAJT E TROJËS” EUROPIANË

Pas Francës, presidenti Xi ka planifikuar të zhvillojë vizita në dy vende të njohura për qëndrimet e tyre proruse, prokineze dhe shpesh anti-BE dhe antiSHBA. Nëse Hungaria përmes udhëheqësit të saj Orban mund të konsiderohet si “kali i Trojës” brenda BE dhe që ka kohë që sillet si macja e zezë e Unionit lidhur me çështjen e luftës në Ukrainë, qëndrimet ndaj Kinës etj., Serbia është “kali i Trojës” jashtë mureve të BE, që kërkon të hyjë brenda saj dhe që pavarësisht se ka marrë një mbështetje të konsiderueshme financiare, për shumë çështje ka dalë pa u ndrojtur hapur kundër qëndrimeve të Unionit.

Përfshirja në agjendën e vizitës së presidentit Xi të këtyre dy shteteve është një shenjë sa mirënjohjeje për politikat e tyre ndaj Kinës, ashtu edhe një mbështetje ndaj politikave dhe udhëheqësve të tyre dhe që mund të konsiderohet edhe si provokim ndaj BE dhe SHBA.

Gjithsesi, ajo që pritet me interes për ne është takimi që presidenti Xi do të ketë në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiç “për të shkëmbyer pikëpamjet e tyre mbi marrëdhëniet bilaterale si dhe do të diskutojnë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kinezo-serbe”, siç deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze.

Në fakt, kjo është vizita e dytë që presidenti i ekonomisë së dytë më të fuqishme në botë bën brenda pak viteve në një minishtet me qëndrime të njohura agresive ndaj gati të gjitha shteteve fqinje, me qëndrime të qarta antiperëndimore, antiamerikane, por prokineze, sidomos me qëndrimin e deklaruar mbështetës pro politikës zyrtare kineze mbi Tajvanin sipas parimit të “Një Kine”.

Interesant është fakti që është hera e tetë që dy presidentët takohen mes tyre, e fundit ishte në shkurt të 2022 në Pekin. Gjatë asaj vizite Xi do ta vlerësonte marrëdhënien me Serbinë si “miqësi e hekurt mes dy vendeve”

Nëse qëllimi i vizitës së tij, siç deklaron pala kineze, lidhet kryesisht me diskutimet mbi ecurinë e zhvillimeve aktuale ekonomike dhe perspektivën e tyre për të ardhmen, ajo që nuk deklarohet është se në agjendë përfshihen çështje të tjera që janë me interes për ne.

Kina përpos programeve të saj për zhvillimin e infrastrukturës apo degëve të ndryshme të ekonomisë serbe, që deri më tani kapin vlerën e mbi 10 mlrd dollarëve, në takimet bilaterale u ka kushtuar rëndësi edhe atyre që nga të dyja palët konsiderohen si “çështje të rëndësisë strategjike”. Prandaj në takimin e radhës në Beograd në çështjet që pritet të diskutohen janë edhe mbështetja reciproke për mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë në institucionet ndërkombëtare, ku padyshim më i rëndësishmi është koordinimi i qëndrimeve për çështjen e Kosovës.

Fillimisht dy kryetarët e shteteve do të përkujtojnë dhe vendosin një buqetë lulesh në memorialin e vendosur përpara ambasadës kineze në Beograd, e cila u bombardua 25 vite më parë nga avionët e NATO-s. Shenjë kjo e qëndrimit të hapur kundër aleancës si nga kinezët dhe serbët.

Një fokus shumë i rëndësishëm në bisedime pritet të jetë kërkesa e Vuçiç për vazhdimin e ndihmave dhe blerjen e armatimeve ofensive kineze për ushtrinë serbe, apo edhe për mbështetjen nga kina të fushatës serbe për të shfuqizuar njohjet e Kosovës.

Kjo vizitë bëhet gjithashtu në kushtet e ashpërsimit të përpjekjeve diplomatike, madje deri në ndërhyrjen brutale në punët e brendshme të Kosovës, të segmenteve të politikës, por edhe shërbimeve sekrete e paramilitare serbe, dhe ku për fat të keq pala kineze deri tani nuk ka mbajtur ndonjë qëndrim, përkundrazi vizita mund të vlerësohet si mbështetje për vijimësinë e kësaj politike.

Edhe vizita në kryeqytetin tjetër europian në veri të Beogradit, në Budapest, pavarësisht se mbulohet me pretendimin se ka për qëllim kryesor thellimin dhe ecurinë e projekteve të njohura kineze të infrastrukturës në Eruopë, nuk është veçse një mbështetje e hapur për linjën anti-BE të Orban, ku Kina duket se ka mirëpritur qëndrimet e vendit europian lidhur me çështjen e Hong Kongut, por që nuk është prononcuar ndaj qëndrimeve hungareze ndaj sanksioneve për Rusinë apo ndihmave ndaj Ukrainës.

MËSIMET NDAJ VIZITËS NË RAJON

Duke e analizuar me kujdes, vizita e Xi në këto dy vende me probleme të ndjeshme të demokracisë së brendshme, por edhe me pretendime territoriale nuk është veçse një provokim që bie ndesh me legjislacionin ndërkombëtar, por edhe me përpjekjet që bëjnë SHBA dhe vendet europiane për garantimin e paqes dhe sigurisë në një kohë kur kontinenti po përballet me probleme të shumta.

Ajo që duhet theksuar është se politika shqiptare në të dyja anët duhet t’i analizojë dhe vlerësojë me shumë seriozitet çështjet që do të diskutohen gjatë kësaj vizite si dhe konkluzionet që do të dalin prej tyre. Aktualisht ndodhemi në kushtet kur ushtria ruse po përparon në frontin ukrainas dhe në rast të një fitore të Putin, kjo mund të jetë një mbështetje për Vuçiç për të tentuar të realizojë synimet e tij ndaj Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës. Qeveria e re serbe në përbërjen e së cilës do të jenë elemente non grata, me të shkuar kriminale, pavarësisht kritikave nga Uashingtoni dhe qëndrimeve jo të unifikuara dhe shpesh toleruese nga Brukseli, është një karshillëk i hapur ndaj SHBA e BE dhe një sinjal për përparimin e planeve dhe synimeve serbe për eskalim të situatës në drejtim të Kosovës. Në të njëjtën kohë kjo situatë e ka bërë emergjente koordinimin e qëndrimeve të faktorit shqiptar. Për sa kohë që Europa është e përçarë, e pavendosur, e paqartë; përsa kohë që SHBA ndodhen në fushatë zgjedhore ku njëri prej kandidatëve të mundshëm për president ka dalë hapur për rishikimin e të ardhmes së Aleancës, Serbia me mbështetjen e Rusisë do të përpiqet që të realizojë synimet e saj, prandaj rreziku serb përbën një fakt që duhet marrë në konsideratë me shumë seriozitet. Edhe vizita e Xi në Beograd në këtë kohë nuk bën veçse u jep mbështetje këtyre synimeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura