“Përpjekje ekstreme për të helmuar publikun”- Rama “thumbon” Berishën e Metën: Klithin ditë e natë nëpër penxhere dhe bërtasin në foltore

May 7, 2024 | 10:06
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij në mbledhjen e Grupit të PS dhe kabinetit qeveritar duke thumbuar rivalët e tij politik, Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Rama u shpreh se në vitin 2013 morën Shqipërinë e rrënuar, siç tha ai nga ata që ‘klithin ditë e natë apo bërtasin të shfrenuar foltoreve dhe penxhereve të televizorëve’.

Kreu i PS, njëherësh edhe kryeministri i vendit, u shpreh se po bëhet një përpjekje ekstreme për të helmuar publikun dhe për të krijuar një ‘hendek mes nesh dhe shumicës së shqiptarëve që na kanë votuar’.

“Kërkoj sot vëmendjen tuaj dhe përmes kësaj mbledhjeje të hapur të përbashkët të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, dëshiroj shumë edhe vëmendjen e atyre që më kanë dhe na kanë votuar, qysh prej zgjedhjeve të vitit 2013 kur morëm detyrën të rilindim Shqipërinë e rrënuar nga duart e disave të cilët klithnin ditë-natë të izoluar nga penxheret mes pallateve po bërtasin të shfrenuar foltoreve dhe penxhereve të televizorëve. Bëhet një përpjekje ekstreme për të helmuar publikun dhe për të krijuar një hendek mes nesh dhe shumicës së shqiptarëve, të cilët na kanë votuar, besuar, mbështetur pa kursim në gjithë këto vite.

Unë sot nuk do të ndalem as tek gjysmë të vërtetat, të cilat, e kanë thënë njerëz shumë më të mençur se unë, janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, as tek shpifjet, akuzat e rreme apo fabrikimet djallëzore.

Sot do të përqendrohem vetëm tek të vërtetat që lidhen me mirëqeverisjen, korrupsionin dhe sundimin e ligjit në Shqipëri, 10 vjet qysh se ne jemi në detyrë.

Qofshin të vërteta të ëmbla për të cilat s’mund të mos jemi krenarë, qofshin të vërteta të hidhura për të cilat nuk ka sesi të na vijë mirë, po s’ka më mirë se sa t’i shohim në sy, ashtu siç janë.”, tha kryeministri Rama.

Më tej Rama tha: “Sot do përqendrohem te të vërtetat, 10 vite pas marrje së detyrës. Qofshin të vërteta të ëmbla qoftë të hidhura, për të cilat nuk ka të na vijë mirë por duhet t’i shohim në sy. Kur shqiptarët na votuan masivisht për mandatin e parë Shqipëria ishte në ditët më të zeza që nga 1997. Krimi kishte fituar qetësi në veprimtari në një lojë sylla mbyllazi me rendin. Qytetarët jepnin ryshfet edhe për të marrë një certifikatë lindjeje”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura