“PS nuk e ka fituar imunitetin ndaj korrupsionit”- Rama: Dikasteret, por edhe bashkitë tona janë të arritshme nga oferta e korrupsionit, ndonjëherë gjunjëzohen…

May 7, 2024 | 10:25
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se edhe Partia që ai drejton ende nuk e ka fituar imunitetin ndaj korrupsionit.

Sipas kryeministrit Rama, pagat e larta të organeve të drejtësisë është një anomali, por e bërë me vetëdije për të fuqizuar luftën kundër korrupsionit.

Rama po ashtu pranoi që edhe dikasteret qendrore apo bashkitë janë të arritshme nga oferta e korrupsionit, madje ndonjëherë edhe gjunjëzohen.

“Drejtuesit e organeve speciale të drejtësisë qëndrojnë në majtë të piramidës të pagave të këtij shteti më lartë sesa maja më e lartë e hierarkisë shtetërore të çdo shteti, Presidenti i Republikës. Vetë fakti që sot prokurorët dhe gjykatësit janë individët më të paguar në të gjithë piramidën e shtetit tonë, përbën pa diskutim një anomali absolute, por ne e kemi krijuar këtë anomali me vetëdije të plotë dhe për asnjë arsye tjetër në botë përveç fuqizimit të përpjekjes antikorrupsion të shtetit shqiptar me një armë të re ofensive që Shqipëria nuk e kishte më parë. E vërteta është që as korrupsioni në Shqipëri sot nuk është mundur ende si një fenomen shqetësues, as forca jonë qeverisëse nuk e ka fituar ende imunitetin ndaj korrupsionit. Përkundrazi, edhe pse kemi pastruar jo pak nga kanalet dhe vatrat kancerogjene të korrupsionit në këtë vend, ka shumë akoma për të pastruar. Edhe brenda vetë partisë sonë mbetet akoma shumë punë për imunizimin nga influenca e korrupsionit.

Shteti ynë në ndërtim e sipër ka ende rrugë të përpjetë për të bërë që të sigurojë sistemin e mbrojtjes së pa depërtueshme nga korrupsioni dhe këtu nuk bën absolutisht përjashtim as pushteti ekzekutiv, dikasteret tona qendrore dhe institucionet e varësisë prej tyre, bashkitë dhe ndërmarrjet e tyre, por dhe agjencitë e tjera të pavarura përfshirë dhe partitë politike, mediat, shoqërinë civile, biznesin dhe vetë pushtetin gjyqësor janë ende lehtësisht të arritshme nga oferta e korrupsionit. Shpesh janë konkretisht të prekshme nga duart e korrupsionit e nganjëherë janë edhe befasisht të gjunjëzueshme nën këmbët e korrupsionit.

Fushëpamja e kësaj lufte i ngjan sot tamam fushës së një lufte të vërtetë që vazhdon, ku pavarësisht nga terreni që ke marrë në zotërim mund të arrihesh nga armiku dhe të goditesh prej tij. Ndërsa armiku ka ende forcë të konsiderueshme për të plagosur dhe për të vrarë, por nga ana tjetër ka dhe një të vërtetë të pamohueshme. Nëse deri dje, era ishte në favorin e armikut që e kishte spostuar shtetin nga qendra e protagonizmit, sot era është kthyer në favorin e shtetit i cili e ka ri marrë protagonizmin. Kjo është një luftë përgjatë gjithë vijës së frontit me një armik që prej 33 vitesh e sfidon Shqipërinë frontalisht.

Korrupsioni mori terren të jashtëzakonshëm në 23 vitet e para të lirisë, nga 1990 në 2013-ën. Shtetbërja ecte me hapat e breshkës, ndërsa korrupsioni me shpejtësinë e makinës. Ndërsa në këto 10 vite ne kemi ndërtuar kushtet për ta kthyer tendencën në drejtimin e duhur, duke luftuar përditë për transformimin e breshkës së shtet bërjes në makinë dhe të makinës së korrupsionit në breshkë, por kush e kujton luftën me korrupsionin si një sfidë, se kush e frikëson më shumë tjetrin, shteti korrupsionin apo korrupsioni shtetin dhe si një histori ekskluzive represioni ligjor për të kapur individët e korruptuar, nuk njeh as historinë e shtet bërjes, as natyrën e korrupsionit.

Korrupsioni është një sistem paralel, kancerogjen, i cili ushqehet me dobësitë e sistemit të organizmit të shtetit dhe me qelizat që kap në çdo organ të tij. Ai është një ofertë e paligjshme që lind bashkë me ligjin për ta kthyer atë në anën e vet dhe ka ekzistuar në përmasa dhe forma të ndryshme në çdo kohë dhe në çdo shtet”, u shpreh kreu i qeverise.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura