Përtej “entuziazmit” bitcoin

Dec 26, 2017 | 11:40
SHPËRNDAJE

adrian-civici-23ADRIAN CIVICI

Diskutimet dhe interesi për monedhën virtuale, bitcoin, kanë marrë përmasa shumë të gjera. Edhe Shqipëria nuk duket e imunizuar nga ky fenomen. Për të po flitet, shkruhet e diskutohet masivisht, ndërkohë që një pjesë individësh e biznesesh, të joshur nga rritja spektakolare e vlerës së bitcoin në tregjet monetare e financiare, tashmë, janë përfshirë konkretisht në transaksionet në bitcoin.

Kudo, në mediat sociale, portale të ndryshëm, televizione, video në “You tube”, gazeta, etj., janë shtuar ndjeshëm artikujt, analizat e reagimet ndaj këtij fenomeni relativisht të ri që quhet “bitcoin”. E gjithë kjo ushqehet më së miri nga evolucioni spektakolar i vlerës së bitcoin, e cila me gjithë një rënie të verifikuar të ditëve të fundit, ku vlera e bitcoin zbriti në 13.000 usd, në muajt dhe sidomos ditët e fundit, bitcoin e kaloi vlerën e 17.000 usd. Edhe në Shqipëri, entuziazmi dhe joshja drejt bitcoin sa vjen e shtohet duke rritur komunitetin e individëve të angazhuar në investimet dhe transaksionet në bitcoin.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë, Shoqata e Bankave, Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare, etj. kanë tërhequr vëmendjen në rreziqet që paraqet përfshirja në sistemin bitcoin, si për faktin se kjo paraqet akoma një monedhë virtuale që nuk mbikëqyret nga autoritetet monetare dhe nuk i nënshtrohet ndonjë legjislacioni të mirëpërcaktuar konkret nga ana e institucioneve monetare, ndërkohë që edhe njohuritë që zotërojnë pjesa dërrmuese e individëve për tregjet e monedhave virtuale janë inekzistente ose në rastin më të mirë minimale.

Tashmë që mënyra e funksionimit të bitcoin është diçka e njohur, me interes është analiza e mundësive që çmimi i bitcoin të vazhdojë të rritet në muajt në vazhdim, duke joshur akoma më shumë njerëz drejt këtij tregu. Cilët janë disa nga pyetjet dhe pikëpyetjet që po e shoqërojnë fenomenin “bitcoin”, përgjigjet e të cilave mund të qartësojnë akoma më shumë joshjen apo vendimmarrjen për t’u përfshirë në këtë proces virtual monetar?

A është bitcoin një flluskë financiare? Shumë ekspertë të specializuar në historinë dhe funksionimin e monedhave virtuale mendojnë se “nga pikëpamja teknike, tregu i bitcoin është i ngjashëm me një flluskë financiare”. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se çmimi i tij nuk do vazhdojë të rritet në javët apo muajt në vazhdim duke shkuar në 20000 apo dhe 30000 usd, por kjo nuk përjashton mundësinë që pas kësaj periudhe “çmendurie” flluska të shpërthejë. Argumenti kryesor që mbështet këtë konkluzion është fakti se “çmimet aktuale të bitcoin justifikohen vetëm në kuadrin e proceseve spekulative monetare”. Nuk ekziston pothuajse asnjeri që blen bitcoin për të realizuar pagesa të ndryshme apo për të paguar konsumin e tij të përditshëm.

Studiuesit e këtij fenomeni nuk evidentojnë asnjë arsye logjike që justifikon rritjen marramendëse të vlerës së bitcoin, përveçse efekteve spekulative në tregjet monetare. Arsyeja e kësaj shpejtësie përhapjeje e pjesëmarrjeje është lehtësia teknologjike moderne. Cila është karakteristika themelore e teknologjisë bitcoin? Teknologjia bitcoin prodhoi për herë të parë në histori një “vlerë apo pasuri dixhitale të transferueshme, por të padublikueshme”. Duke qenë një mall apo vlerë e limituar, sepse gjithsesi numri i bitcoin ka limitet e veta, u krijua përshtypja se bitcoin po shndërrohej në një “ar dixhital”. Mbetet për t’u verifikuar nëse në vazhdim “ari dixhital” ka të njëjtat funksione e karakteristika si “ari metal” dhe është po aq garantues në tregjet monetare. Cili është problemi fondamental i Bitcoin?

Në momentet aktuale të gjithë blejnë bitcoin, duke shpresuar që të bëhen akoma më të pasur nga ky proces i “bekuar e fitimprurës”. Shqetësimet fillojnë të shfaqen kur numri i blerësve dhe zotëruesve të bitcoin të fillojë të zvogëlohet, për mëtepër kur bitcoin të fillojë në mënyrë normale të përdoret për blerje e pagesa të ndryshme. Ky pritet të jetë dhe momenti i “të vërtetës së bitcoin”. Logjika e funksionimit të tregjeve monetare e financiare të çon në konkluzionin se në këto momente ekziston mundësia që çmimi i bitcoin të fillojë të zvogëlohet me shpejtësi duke bërë që zotëruesit e tij të pësojnë humbje të mëdha në raport me vlerat që besojnë se zotërojnë.

A ka mundësi bitcoin të luajë një rol strukturor në skenën financiare ndërkombëtare? Bitcoin mund të luajë dy role të mundshme: rolin e rezervës së vlerës të ngjashme me atë të metaleve të çmuara; ose rolin e mjeteve të pagesës. Mundësia e dytë duket teknikisht e pamundur, sepse bitcoin nuk ka as shpejtësinë dhe as sasinë e duhur të njësive monetare në raport me numrin e jashtëzakonshëm të transaksioneve monetare ndërkombëtare që kryhen çdo ditë. Për momentin, edhe vetë teknologjia nuk mundëson një rol të tillë të bitcoin.

Shumë e vështirë, ose pothuajse e pamundur duket dhe mundësia që një ditë të afërt, bitcoin të mund të zëvendësojë arin metal si rezervë vlere, si për arsye historike e kulturale të rolit të arit, ashtu dhe për faktin se Bankat Qendrore nuk duken të gatshme t’i mbajnë rezervat e tyre valutore në bitcoin. A do pranojnë Bankat Qendrore që bitcoin të shërbejë si “rezervë vlere”? Qëndrimi i bankave qendrore ndaj bitcoin konsiderohet si një element fondamental për të ardhmen e tyre. Aktualisht, bankat qendrore nuk duken të gatshme as të marrin pjesë në debatin nëse një ditë do të pranojnë si rezerva monetare “vlera digitale” dhe mbi bazën e tyre të ndërtojnë gjithë instrumentet e pagesave dhe transferimit të vlerave.

Nga ana tjetër, edhe institucionet e mbikëqyrjes monetare nuk po ndërtojnë sisteme rregullatore, kontrolli e transparence për këtë monedhë virtuale duke e “injoruar ekzistencën e saj”. Është e sigurt se në momentin kur do vendoset që tregu i bitcoin t’i nënshtrohet rregullave të mbikëqyrjes monetare e bankare njësoj si monedhat e tjera të zakonshme, me siguri që vlera e tij do ndryshojë. Probabiliteti më i madh është që vlera e bitcoin të zvogëlohet ndjeshëm. Problemi kryesor i shumicës së individëve apo bizneseve të implikuar aktualisht në tregjet e bitcoin qëndron në faktin se nga ana e tyre “nuk shtrohet pyetja se çfarë të ardhme e pret bitcoin dhe vlerën e tij”?

Aktualisht, të gjithë janë përqendruar në procesin e blerjes apo investimeve në tregjet e bitcoin, të joshur nga çmimet e bitcoin që rriten çdo ditë. Por, çdokush që blen sot një bitcoin, duhet ta ketë të qartë se ka të bëjë me një “proces shitblerje besimi”, një lloj bilete lotarie që të bën të ëndërrosh për një fitim të madh në të ardhmen. Në mjaft artikuj e analiza kushtuar çështjes “bitcoin” qarkullon jo pa humor shprehja se blerja e bitcoin është e ngjashme me blerjen e një iluzioni të bukur. Sistemi bitcoin nuk përmban elementet bazë dhe kushtet themelore të cilat të mund të lejojnë të konsiderohet si një “instrument investues”.

Natyrisht, një pjesë e atyre individëve që janë përfshirë e vazhdojnë të përfshihen në këtë proces joshës do fitojnë ndoshta dhe shuma marramendëse – këtu kihen parasysh ata që njohin mirë rregullat e spekulimeve monetare, që njohin instrumentet operative të tregjeve monetare dhe ciklet e funksionimit të flluskave, por pjesa dërrmuese e zotëruesve apo blerësve të ardhshëm të bitcoin rrezikohen seriozisht të gjenden përballë të papriturave jo të këndshme duke humbur paratë apo investimet e tyre në këtë treg monetar. Thirrjet për prudencë e kujdes të Bankës së Shqipërisë, AMF, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, ekspertëve të tregjeve monetare e monedhave virtuale duhen dëgjuar me kujdes e vlerësuar si mundësi për minimizimin e riskut monetar e financiar të gjithkujt.

*President i UET

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura