PDIU: S’bëjmë pazar politik me kauzën

Jun 28, 2013 | 7:51
SHPËRNDAJE

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi
Deklarata e PDIU për 69-vjetorin e gjenocidit grek ndaj çamëve. “Do t’i qëndrojmë besnike amanetit të të parëve tanë”.

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, në një deklaratë për mediat theksoi se nuk do të hyjë në asnjë pazar politik, por do t’i qëndrojë besnik kauzës çame. PDIU ka përkujtuar me nderim 69-vjetorin të gjenocidit ndaj 5 mijë çamëve në Luftën e Dytë Botërore nga forcat e gjeneralit Zerva. Idrizi tha se në këto zgjedhje 5 mandatet e PDIU-së do të qëndrojnë në Parlamentin e ardhshëm për të mbrojtur atë që ai e quajti kauzën e shenjtë.

“Në këtë 69- vjetor, shqiptarët e Çamërisë do të kenë zërin më të fuqishëm në mbrojtje të tyre, do të kenë pesë djem të Çamërisë në Kuvendin e Shqipërisë, që do të qëndrojnë për katër vjet në këmbë në mbrojtje të kauzave tona të shenjta. Çështja çame dhe çështja kombëtare sot do të jenë më të përfaqësuara se kurrë më parë, për shkak të besimit që 50 mijë shqiptarë i dhanë forcës sonë, forcës së programit, forcës së kauzave, forcës së alternativës kombëtare. Por, në këtë 69-vjetor, kauzat tona dhe deputetët që kanë barrën e rëndë që t’i mbrojnë ato, nuk mund të hyjnë në asnjë pazar politik. Sepse, PDIU nuk bën pazar politik me kauzat, por i qëndron besnike amanetit të të parëve dhe besimit të shqiptarëve për të ngritur zërin ndaj çdo padrejtësie që i bëhet kombit tonë, për të mbrojtur çdo shqiptar nga Preveza në Mitrovicë e deri në Mollën e Kuqe”, thuhet në deklaratën e PDIU-së.

Sipas Idrizit, “Shqiptarët i kthyen dinjitetin Shqipërisë, duke rritur zërin kombëtar, zërin e Çamërisë në Parlamentin shqiptar. Qytetarët i kthyen borxhin 5000 shqiptarëve të Çamërisë që humbën jetën vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë, si sot, 69 vjet më parë. Tani është momenti që kauzat tona, që jenë kauzat e mbarë kombit shqiptar, të gjejnë zgjidhjen e merituar”
PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura