Opozita si liri dhe bashkimi si skuthokraci!

Feb 16, 2024 | 7:55
SHPËRNDAJE

Arian-Galdini1ARIAN GALDINI

A e mbani mend amanetin e Skënderbeut? Mori thuprat dhe ua dha të tijve që t’i thyenin një e nga një, e të gjithë i thyen. Më pas i bashkoi thuprat e u kërkoi të tijve që t’i thyenin ashtu, e asnjëri nuk e theu dot buqetën me thupra të bashkuara. Dhe në fund, Skënderbeu u tha: “Veç e veç ju thyejnë, së bashku jo.

Bashkimi bën fuqinë. Çudi e madhe se prej asaj dite, edhe pse kemi pasur një dyzinë me liderë politikë që kanë ardhur në krye të shtetit shqiptar e në krye të partive politike shqiptare, që ngaherë janë vetëshpallur si Skënderbeu i dytë, asnjëri prej tyre nuk e ka pasur as në cilësi, as në vepra e as në fjalë, as në kulturë e as në mendim bashkimin.

Të gjithë liderët tanë politikë, kanë punuar për mllefin e dasitë, e janë karakterizuar nga nxitja e urrejtarisë dhe krijimi i ushtrive të të zemëruarve. Axhenda dhe qëllimi i tyre ka qenë i qartë, dominim mbi “çifligun e vetë” për të bërë sa më shumë numra për ushtrinë e vetë të të mllefosurve që të mundin ushtrinë të mllefosurve të anës tjetër. 4 shtyllat mbi të cilat e kanë ndërtuar manualin e lidershipit të tyre udhëheqësit tanë të pagabueshëm kanë qenë e mbeten: Përça e Sundo, Mbizotëro dhe Asimilo. Mbi këto 4 shtylla e kanë ngritur shkëlqimin e tyre duke prodhuar vetëm agjiprop linçues dhe lëvdues. Linçohen ata që nuk dominohen dhe asimilohen.

Linçohen të pakontrollueshmit. Mallkohen të ndryshmit, divergjentët. Etiketohen, baltosen, llumosen të gjithë kundërshtarët, të ndryshimit, rivalët, të pa kontrolluarit dhe të parreshtuarit. Dhe lëvdohen udhëheqësit, servilët, e skuthokratët. Udhëheqësit lëvdohen, admirohen e adhurohen si të pagabueshëm, si legjenda, si të paarritshëm. Ndërsa servilët, shërbëtorët e skuthokratët lëvdohen si dëftues se si i do partia dhe udhëheqësi, “limfat e partisë”. Tani le të vijmë tek debati i ditës mbi domosdoshmërinë që ka opozita për t’u bashkuar.

Prej vitit 1997 e deri sot, këta që janë në krye të grupeve kryesore politike opozitare sot, e që kanë qenë ngaherë aty prej 1944, e kanë lakuar kaq shumë bashkimin sa herë e kemi parë si Bashkimi për Demokraci, herë si Bashkimi për Fitore, herë si Bashkë Fitojmë, herë të tjera si Aleanca Fluide, ndonjëherë si bashkim me Nanon, të tjera si Reforma me Ramën, së fundmi e pamë si bashkimi për Gazin, apo siç e quajti vetë Gazi me të drejtë, si bashkimi në diversitet, e kështu me radhë me gjithfarësoj manovre, emërtimi, marifeti e forme. Në datë 20 shkurt po na thonë se duhet të provojmë edhe Bashkimin për Ballkonin. Le të themi se po e marrim këtë si marrëveshje fjale e po e quajmë për mirësjellje ndaj argumentit, këtë që po ndodh, si bashkim opozitar, ose si përpjekje për bashkim, apo si nisje të një procesi.

A vërtetë mendoni e besoni se bashkimet farkëtohen në sheshe e poshtë ballkoneve? A vërtetë mendoni dhe besoni se bashkimi vjen si logjikë numrash dhe fuqie? A vërtetë mendoni dhe besoni se duke nxituar për të rrahur gjoksin se duke qenë se“Bashkimi për Balkonin” është grupimi më i madh e më i fuqishëm opozitar, të gjithë ne të tjerët do të detyrohemi të bëhemi “saksi politike” që mezi presim të na gjeni një copëz vend në parvazet tuaja për të shpresuar se kështu do të lulëzojmë? Kjo është zgjidhja dhe rruga juaj për bashkim? Më vjen keq, por le të biem dakord për pak matematikë dhe logjikë ballkoni. Së pari, në matematikë, në biznes, në logjikë, nëse ju keni 50 e unë kam 1, juve nuk bëheni dot kurrë 51.

Humbja nuk është e imja e as vuajtja nuk është e imja. Juve që keni 50 humbisni e vuani, sepse ju mungon pikërisht ai 1 që ju bën 51. Ne që jemi veç 1, e dimë që kemi rrugë të gjatë për t’u bërë 2, 3, 10, 30, 50, për të synuar për t’u bërë 51. Arroganca e atyre që kanë 50 nëse shkon deri aty sa e poshtëron, shpërfill, nënqesh, sulmon, linçon, cilindo që ka 1, meriton arrogancën e refuzimit pa kushte e pa diskutim. Nuk e detyron dot atë që ka 1 të skuthërohet pse ti ke numrat dhe fuqinë. Numrat dhe fuqia përcaktojnë pa asnjë mëdyshje lidershipin dhe vendimmarrjen, por jo procesin dhe parimet. Askush nuk e vë në dyshim se kush ka numrat dhe fuqinë do ketë peshën e lidershipit dhe të vendimmarrjes. Por kurrsesi nuk mund të përdoren numrat dhe fuqia për të përcaktuar proceset dhe parimet. Sepse në procese dhe parime, numri 50 është i barabartë me nr. 1. Po e njëjta gjë vlen për marrëdhënien mes “ballkonit dhe saksisë”.

Në qoftë se ju mendoni e shpresoni se të gjithë ne do të jemi “saksi” politike në kërkim të një parvazi për kacavjerrje, gaboheni rëndë. Jo të gjithë ne jemi në kërkim të parvazit, jo të gjithë ne jemi të gatshëm të asimilohemi, e jo të gjithë ne jemi të gatshëm të skuthërohemi. Faleminderit, por ka ndër ne që dinë të çelin edhe mbi shkëmb. Kush e do bashkimin, nuk të dërgon fletëthirrje ushtrie. Bashkimi bën fuqinë. Ushtria bën alibinë e humbjes dhe tokën e djegur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura