“Një bandë terroriste greke u fut në vendin tonë”/ Çfarë ndodhi në masakrën e Peshkëpisë! Debatet e ministrit të Jashtëm me homologun grek dhe si ndërmjetësoi ambasadori i SHBA

Apr 10, 2024 | 13:13
SHPËRNDAJE

masakra e peshkepiseNGA ESAT MYFTARI

“Masakra e Peshkëpisë më 10 prill 1994 ishte në vazhdën e provokimeve greke, me anijen luftarake që në janarin e atij viti hyri në ujrat tona dhe qëlloi me armë…”/ Refleksionet e ish-deputetit dhe diplomatit.

30-VJETORI I MASAKRËS NË PESHKËPI

Pse dhe si ndodhi masakra

Kah fundi i vitit 1993, në Greqi u zhvilluen zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat doli fitues Pasoku. Riardhja e kësaj force politikike në pushtet, u prit mirë nga qeveria demokratike shqiptare, sepse ajo përkapej si ma konstruktive në krahasim me shemren e saj, Demokracia e Re. Kjo e fundit, gjatë krizës së vitit 1993, kur qe dëbue prifti Krisostomos nga Shqipnia për shkak të aktivitetit të tij shovinist, fillimisht në Seminarin Ortodoks të Durrësit e, ma vonë, edhe në tri famullit shqiptare të Jugut, qe tregue shumë ekstremiste dhe iracionale.

Për ma tepër, si kundërpërgjigje, në prag të largimit nga skena politike, kryeministri Micotaqis, do të shpallte 6 pikat e 14 korrikut 1993, në trajtën e nji porosije testamentare ndaj vendit tonë. Sensacion të veçantë ndër këto pika pati përftue kërkesa e tij që shteti shqiptar, t’i lejonte shtetasit e vete me e zgjedhë vetë përkatësisë e tyne kombëtare dhe që pakicës greke në Shqipni, t’u jepeshin ato të drejta që qeveria shqiptare mëtonte për kosovarët.

Në këto rrethana, ishte krejt e përligjun shpresa jonë se, tash e mbas, për nji periudhë të pacaktueme, do të gjindeshin formulat e përshtatshme për normalizimin e marrëdhanjeve të ndërsjella dhe zhvillimin e tyne të matejshëm. Por, për fat të keq, zhvillimet imediate të ngjarjeve do të provonin të kundërten.

PARALOJA E KRIZËS SË DYTË

– Nji pjesë prej mozaikut të provokimeve greke –
– Më 4 janar 1994, nji anije luftarake greke hyn në ujnat tona territoriale dhe qëllon me armë, veprim ky në kundërshtim flagrant me ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Por, Ministria Shqiptare e Mbrojtjes, nuk e sheh të udhës me dhanë alarm, ajo mjaftohet vetëm me nji protestë në kanale zyrtare; Të nesërmen, anija tjetër luftarake greke e quejtun “Mattis” shkel përsëri ujnat territoriale dhe, tue qenë në mbrendësi të tyne, hap zjarr.

Pesë ditë ma vonë, prapë nji anije e tretë greke, hap zjarr në bregdetin shqiptar. Kësaj here, ajo hyn në ujnat territoriale të Kepit të Qefalit dhe, në nji largësi prej nji milje, qëllon me armë zjarri tue qëndrue në vend për 20 minuta. Detyrohet me u largu vetëm kur del në det katërsiluruesi i Distriktit detar të Sarandës.

Paralel me këto provokime në det, edhe shtypi grek nis nji fushatë të egër, që nuk ishte veçse ajo e disa muejve ma parë, përgjatë krizës së “vogël”

– Me 1 mars 1994, gazeta “Apojevmatini” boton artikullin me titull “Në zbatim të planit antigrek të Berishës” me nëntitull “transferimi i shtetasëve myslimanë në Vorio-Epir” ku shkruhet:

“Sali Berisha, me mbështetjen ekonomike të organizatave myslimane që drejtohen nga Ankaraja, përpiqet të ndryshojë karakteristikat e popullatës. Ditët e fundit u transferuen 200 familje myslimane e u vendosën në rrethin e Sarandës. Pritet që muejt e ardhshëm të transferohen edhe 1000 familje me objekt të dyfisht: të bëjë kontrollin e zonës me zgjedhjen në organet lokale të këtyne njerëzve që nuk mbështesin të drejtat e minoritetit dhe, së dyti, të krijojnë nji klimë të randë për vorioepirotët.

Në këtë krahinë, në vend që të hapen shkolla greke po hapen për ditë e ma shumë shkolla myslimane dhe mësimi i gjuhës greke paraqitet si dytësor, dhe në planet e Berishës shtrihet mendimi për me hapë shkolla “Maqedone” në mënyrë që të vritet shpirtnisht minoriteti grek.

Të gjitha transfertat e popullatës si të asaj myslimane në jug dhe asaj greke në veri bahen me ndihmën e Ankaras e cila kontrollon organizatën myslimane “Rahita”4 që mund të përdorë kapitale nga Arabia Saudite por i shërben Turqisë mbasi ata do të ndihmojnë gjithë myslimanët e botës dhe ata të Iranit e të Sadamit”!

Ndërsa gazeta “Star” boton me gërma të mëdha artikullin me titull “Mafia shqiptare na vjedhë gratë”, dhe vazhdon me nji koment tue pohue se “shumë vajza greke po ikin në Itali për porno nga mafia shqiptare”. Në kët valë të re sulmi të gjithanshëm, nuk kursehet as diplomacia.

Më 7 mars 1994, z. Eqerem Meta, drejtor i Drejtorisë së pare që mbulonte Greqinë, pret për takim z. Tulupas, sekretarin e ambasadës greke në Tiranë, me kërkesën e këtij të fundit Ai vjen për të paraqit opinionin e qeverisë greke në lidhje me përfshimjen e forcave ushtarake turke dhe italiane në Bosnje, në kuadrin e UNPROFOR-it, tue nënvizu se, “Greqia asht kundër ëdo angazhimi ushtarak e implikimi të vëndeve fqinje për krizën në rajon, prandj kërkon mendimin e qeverisë shqiptare”.

Por E. Meta, përfiton nga rasti që i jepet si me porosi dhe i kujton sekretarit grek se; “qëndrimet e të dy vendeve tona për krizën në ish Jugollavi tashmë janë të kjarta. Ato dolën në pah edhe gjatë takimit të fundit në Athinë, midis ministrave të Punëve të Jashtme të të dy vendeve tona. Në qoftë se në të ardhmen konflikti në rajon do të avancojë, nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së Shqipërisë në konflikt dhe kjo nuk do të varet nga Shqipëria apo vendimi i qeverisë shqiptare.

Mbas pasaj, i dorëzon z. Tulupas një Notë lidhun me disa incidente me shqiptarët në aeroportin e Athinës dhe i ban të ditun përmbajtjen e saj si ma poshtë:

“Në datën 3 mars 1994, në aeroportin e Athinës, në pikën e kontrollit, policia ndaloi pesë qytetarë ndër të cilët edhe znj. Gj.K. me fëmijen e saj një vjeë dhe z. L.B. (emnat e plotë u kthyen në iniciale prej meje, E.M.). Megjithëse qytetarët shqiptarë ishin pajisur me dokumente të rregullta (me pasaportë e vizë), policia e aeroportit nuk i lejonte të hynin në Greqi duke nxjerrë pretekste të tilla si mospajisja me biletë vajtje-ardhje, mospasje e një sasie valute… Vetëm pas ndërhyrjes së ambasadës shqiptare në Athinë që zgjati tri orë, policia i lejoi të hynin në Greqi.

Raste të tilla janë të përsëritura edhe më parë sië është rasti flagrant i datës 19.12.1993 kur qytetari shqiptar Fatos Sibani nga Nikolica e Korëës vinte në Shqipëri për pushimet e Vitit të Ri nga SHBA-ja, nëpërmjet Athinës, i pajisur me Kartë jeshile të emigrantit. Gjatë kontrollit të dokumentit ai u pyet nëse ishte shqiptar apo vorioepirat. Kur ai u përgjigj se ishte shqiptar, policia e goditi, e gjakosi dhe i mori dokumentet. Vetëm pas ndërhyrjes së ambasadës sonë në Athinë pranë policisë së aeroportit dhe pranë ambasadës së SHBA-s në Athinë, qytetari u lejua të hynte në Greqi.

Për sa më sipër, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh shqetësimin e saj dhe tërheq vëmendjen se sjellje të tilla të organeve të policisë greke ndaj qytetarëve shqiptarë nuk janë në frymën e përpjekjeve që po bëhen nga të dy vendet për forcimin e marrëdhënieve miqësore të fqinjësisë dhe të bashkëpunimit. Ajo kërkon që ambasada e Republikës Greke në Tiranë të njoftojë autoritetet greke për të marrë masat përkatëse që këto raste të mos përsëritën”

– Ato ditë, iu dha nji publicitet i stërmadh dy episodeve që preknin ndjeshmëninë etnike shqiptare. I pari kishte të bante me ndërtimin e Aeroportit modern të Athinës në zonën e quejtun SPATA. Por, meqenëse emni ishte shqiptar, qarqet zyrtare dhe jo zyrtare, sidomos shtypi grek, kërkuen me ngulm ndryshimin e emnit të aeroportit para se ai të ndërtohej. Epidodi i dytë kishte të bante me Guvernatorin e Bankës Qendrore Greke, z. Jani Butos, deri sa e detyruen me dhanë dorëheqje, dorëheqje që e pranoi kryeministri Papandreas. Arsyeja e vetme ishte pse ai kishte pranue publikisht që me gjak asht shqiptar.

Po vazhdonte makthi se mos po shtoheshin të tjerë guximtarë arvanitas me deklarata të tilla publike. Dhe ata i referoheshin arkimandritit Sebastianos, i cili kishte thanë sentencën e njohun: bashkimi eventual i arvanitasëve dhe i çamëve ortodoksë me emigrantët e rij të ardhun nga Shqipnia, do të përbante rrezikun ma të madh për Greqinë. Mjafton që të restaurohet gjuha shqipe ndër ta. Këtu edhe duhet gjetë shkaku, mendoj unë, i ndërhymjes brutale të censurës greke pranë redaksisë së revistës “BESA” të Arvanitasit të madh Aristidh Kola, i cili kishte promovue në faqet e saj fjalorthin greqisht-shqip.

– Po ato ditë të ndeme, për plotësim informacioni, Prof. Sami Repishti i dërgonte z. Serreqi studimin e tij, ku, ndër të tjera, i tërheqte vëmendjen:

“…Të mos harrojmë se më 8 prill 1994, ish kryetari i OMONIAS, z. S. Qiriazati, në nji letër dërgue ish Kryeminstrit grek, Micotaqis, i ofronte shërbimet e organizatës për zbatimin e projektit ‘Helenizimi i Shqipnisë'”

Në këtë letër të S. Qiriazatit, simbas prof. Repishtit, shkruhej:

“Këshilli i Përgjithshëm i OMONIAS, organizatë që përfaqëson pakicën greke në Shqipni, e quen të domosdoshme që t’Ju falenderojë personalisht, qeverinë greke dhe mbarë popullin grek për mbështetjen e plotë e të përhershme për Helenizimin e Vorio Epirit që vuejti për nji kohë kaq të gjatë. Me këtë rast, Zoti Kryeministër, shtrojmë e shprehim disa nga mendimet tona mbi problemet e përgjithshme që shqetësojnë helenizimin e Epirit të Veriut sepse nga kjo zgjidhje mvaret zhvillimi jonë i matejshëm”

Kjo letër përmban 7 pika që përfaqësojnë strategjinë e OMONIAS. Po jepim këtu poshtë 2 prej këtyne pikave:

Pika 1. Asht e nevojshme që Omonia gradualisht të organizohet si nji qeveri e vogël e padeklarueme me shërbime gjegjëse, bazue në ministritë greke me nëpunës, zyra e buxhet meqë kushtet që mbisundojnë në Shqipni lejojnë të ushtrohet kjo politikë dhe të realizohet detyra e qeverisjes në Vorio Epir.

Në rast se realizohet ky objektiv, ne shkallë-shkallë krijojmë predispozitat për autonominë e rajonit, e bajmë të dukshme dhe zhvillohemi si nji forcë e mbrendshme kombëtare politike, kulturore, ekonomike dhe si forcë drejtuese. Me qëllim që të ecim përpara në ket drejtim, ne kemi nevojë për përvojë dhe këshilla të veëanta si dhe për sasi të konsiderueshme parash.

Pika 2: Asht i nevojshëm bashkërendimi dhe ëdo ministri duhet të delegojë këshilltarë të zot për Helenizimin e Shqipërisë, etj.

– Drejtoria e Parë njofton se televizioni shtetnor grek ET-1, në mesditën e 24 marsit, ka transmetue nji emision për “Epirin e Veriut”. Emsioni qe drejtue nga arqimandriti i quejtun Ignacio Gjeogakopullos, ku kishte marrë pjesë edhe nji profesor si dhe kryetari i të ashtuquejtunës SFEVA (Organizata e Rinisë Studentore Greke për Çlirimin e Epirit të Veriut).

Në emision ishte lëshue thirrja për autonomi të Epirit të Veriut dhe qe kërkue kthimi i vorio-epirotëve në vendlindjet e tyne. Shqetësimin e drejtorisë e shtonte në mënyrë të veëantë fakti që “Tv ET-1” ishte shtetnor.

Ministrinë e Punëve të Jashtme për ditë e ma shumë po e vërshonin informacione të këtilla burimesh të ndryshme që binin ndesh me deklaratat dhe zotimet zyrtare, gja që po shkaktonin dilemma serioze në palën shqiptare. Por kjo dilemë do të merrte epilogun e saj natën e “10 prillit të zi”, në fshatin Peshkëpi të Gjinokastrës.

DEKLARATA E ZADHNËSES SË MINISTRISË SË PUNËVE TË MBRENDSHME

Mëngjesin e kësaj dite, zadhansja e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, do të deklaronte si ma poshtë: “Sot, më datë 10.4.1994., rreth orës 2.30′ të mëngjesit, një bamdë terroriste greke, e përbërë prej 6-7 vetësh, midis të cilëve ishte edhe një që fliste gjuhën shqipe me akcent minoritar, të armatosur me armë zjarri, futën në tokën tonë, në afërsi të fshatit Peshkëpi të rrethit të Gjirokastrës.

Afro 4 km në thellësi, në Qendrën e Stërvitjes së Rekrutëve, dy prej tyre vrasin në befasi, me automatik Shotgan, ushtarin ARSEN LLAZAR GJINI 20 vjeë, nga fshati Seman i rrethit të Fierit.

Pas këtij veprimi, katër të tjerë, futën në fjetorën e ushtarakëve, teksa ata ishin në gjumë dhe hapin zjarr. Nga ky akt babrbar mbeti i vrarë shefi i stërvitjes, kapiteni i parë, FATMIT SALI SHEHU, me moshë 34 vjeë, lindur në Tepelenë dhe banues në Gjirokastër. Gjithashtu u plagosën edhe tre ushtarë si dhe u lënduan shumë të tjerë.

Gjatë kryerjes së veprimeve ënjerëzore, njeri prej tyre thërriste: ‘Këtë e keni për Vorio-Epirin! Mos kujtoni se e kemi harruar’!

Grupi operativ hetimor, i kryesuar nga Ministri i Rendit Publik, z. Agron Musaraj, shkoi menjëherë në vendngjarje.

U konstatua se: Veprimi është kryer nga një bandë terroristësh grekë, e veshur me uniforma ushtarake me lara, me maska në fytyrë. Në këmbë kishin këpucë me qafa të prodhimit grek. Të gjithë pjesëtarët e bandës ishin të armatosur me automatik Shotgan. Provat materiale të gjetura në vend-ngjarje si dhe dëshmitë e ushtarëve të ndodhur atje, vërtetojnë se ky është një akt barbar, i planifikuar, i forcave speciale greke”.

Tiranë, më 10.4.1994.
Zëdhënësja e MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK
Ludmilla PAJO

REAGIMET

Po atë ditë, me anë të nji note dorëzue ambasadorit grek në Tiranë, z. Kristo Caliqi, qeveria shqiptare njofton qeverinë greke mbi aktin terrorist, gjithnji në mbështetje të komunikatës zyrtare të ministrisë përkatëse. Veë kësaj, Presidenca, qeveria dhe gjithë strukturat shtetnore si dhe populli shqiptar kudo që ndodhej, reaguen me nji gojë: forcat speciale terroriste greke kishin krye në pabesi në tokën shqiptare këtë masakër, tue shfrytëzue terrin e natës dhe orët e gjumit, si dhe faktin se kazerma nuk ishte e pajisun me armë lufte mbasi ishte qendër stërvitore dhe marrëdhanjet aktuale midis dy vendeve konsideroheshin formalisht miqësore.

Po kaq i shpejtë, i premë, por edhe iracional ishte reagimi i qeverisë greke: ajo mohonte çdo përgjegjësi të saj. Pëma tepër, e akuzonte qeverinë shqiptare si shpifse dhe provokatore. Në këtë rol të palavdishëm, përgjigja e qeverisë greke u mbështet edhe nga të gjitha mediat greke, si në nji histeri kolektive.

Por nuk do të kalonnin veçse pak ditë, dhe në shtypin e huej, kryesisht në “Le Monde”, do të fillonte reflektimi i zyrtarëve të ndryshëm të qeverisë greke, qëllimi i të cilëve, me sa kuptohej, ishte të qetësoheshin “shpirtnat”.

Nga ana e saj, Qeveria shqiptare kërkoi të formohej nji komision i paanshëm hetimi, por pala greke, e inkururajueme nga qëndrimi pasiv i OSBE-s dhe i faktorëve të tjerë relevantë ndërkooritmbëtarë, e refuzoi propozimin tonë. Prandaj, me sugjerimin e SHBA, u formue komisioni i përbashkët dypalësh, i cili do të dilte, ashtu siç pritej, krejt shterp. Nuk ka dyshim që faktori ndërkombëtar e dënoi verbalisht aktin terrorist, por ata e banë të kjartë gjithashtu se përveç bisedimeve nuk kishte mënyrë tjetër për zgjidhjen e krizës së re.

KONFERENCË SHTYPI E PAPULIAS-IT, ME HOMOLOGUN E TIJ KROAT, GRANIQ

Gjatë kësaj konference shtypi, intersimi për përgjigjet e Papuliasit lidhun me aktin e konsumuem terrorist në kazermen ushtarake shqiptare, kuptohet që ishte i madh. Interesimi qe nxit në mënyrë të veëantë edhe nga disa reagime ambige të ndonji funksionari të naltë të vetë qeverisë greke, të botueme në gazetën prestigjioze “Le Monde” të Parisit. Agjensia telegrafike AFP posa kishte njoftue se “Venizellosi, zadhanësi i qeverisë greke, i cili pati hedhë poshtë dy ditë ma parë akuzat e Tiranës për implikim të tyne në krim, sot propozoi bashkëpunim. Ai kishte deklarue shprehimisht:

“Do të ishte e nevojshme të përcaktojmë me autoritetet shqiptare përgjegjësitë e këtij incidenti policor. Pa zhvillimin e hetimeve, nuk mund të përjashtohet ekzistenca e elementëve fanatikë”

Edhe Jorgo Papandreu (djali i kryeministrit), i kishte thanë agjencisë franceze:

“Nuk mundet me u marrë lehtë nji çeshtje kaq serioze dhe asht e vërtetë se në Greqi ka elementë ekstremistë për çeshtjen e Epirit të Veriut, prandaj nuk mund të përjashtohet asgja. Madje, as nji përziemje e ushtarakëve grekë në mënyrë individuale”.

Por, Papulias u tregue indiferent ndaj këtyne lloj deklaratave dhe vazhdoi t’i mbetej besnik reagimit të parë, tue largue nga qeverija e tij çdo përgjegjësi, qoftë kjo edhe objektive. Ai nguli kambë se bindja e tij për rastin tragjik në fjalë pështetej ekskluzivisht në informacionet që kishte marrë nga burimet ushtarake e policore greke dhe se atyne u besonte pa asnji dyshim.

Ndërkaq, edhe ky reagimin e qeverisë shqiptare e cilësoi si të parakohshëm, por jo si tre ditë ma parë, kur pati përdorë fjalët e pakontrollueme ndaj qeverisë shqiptare, madje tue e damkos atë pa kurfarë takti si “qeveri shpifse e provokatore”. Për ma tepër, kësaj radhe propozoi formimin e nji komisioni të përbashkët hetimi pa pjesëmarrjen e ndonji pale të tretë për motive asnjanësije.

Por, pyetjes së gazetarit nëse ngjarja në kufi qe nxit nga vizita e Berishës në Ankara dhe publiciteti që i dhanë kësaj vizite autoritetet e shtypi turk, Papulias iu përgjigj në mënyrë evazive, çka la vend për interpretime të ndryshme.

Në përpjekjen për të kalue në tema të tjera dhe për të pastrue pikturën e sjelljes zyrtare greke, sidomos me shqiptarët, ai e përdori koinçidencën e takimit me zotin Graniq dhe nji dit mbas me homologun serb Zhivadinoviq, si dhe vizitën e vet që së shpejti do ta bante në Beograd, tue i spjegue si dëshmi, “që tregojnë jo vetëm shqetësimin e Greqisë, por edhe të BE-së, SHBA-së dhe Rusisë për gjendjen e krijueme, jo vetëm në Jugosllavi por edhe në botë”. Veë kësaj, si dëshmi të këtij vullneti të mirë, ai propozoi publikisht se ishte i gatshëm të takohej me z. Serreqi në nji vend asnjanës, pa përcaktue se kur e ku.

RAPORTIMI I Z. ALFRED SERREQI, NË PARLAMENT

Tri ditë mbas propozimit publik të Papuliasit, Z. Serreqi doli në parlament dhe raportoi për krizën, e cila kishte shkaktue valë zemrimi të ligjshëm në vend dhe po ringjallte kujtime të zeza të akteve andarte greke në jug të vendit. Natyrisht, ekspozeja e tij prekte edhe momente përtej aktit.

Por, disponimi kur ai do të raportonte nuk ishte krejt i qetë mbasi z. Malasi, kryesuesi i seancës, kishte njoftue se, mbas fjalës së Ministrit, nuk do të kishte seancë pyetjesh apo debatesh. Deputeti aktiv i atyne ditëve, z. Abdi Baleta, ketë mënyrë veprimi e quejti shkelje të rregullorës me arësyetimin se nuk përputhej me praktikat parlamentare në përgjithësi. Atëherë qëndrimi i Malasit u hodh në votë dhe, sikurse pritej, shumica votoi për të.

Në ekspozenë e tij jo të gjatë, z. Serreqi dha disa skjarime që ishin të domosdoshme për të davaritë ato mjegulla që po qarkullonin në shtyp e në publik, dhe që vetëm ma vonë do të merrnin kuptime reale. Ishin çaste këto kur po baheshin përpjekje për të rregullue nji takim me homologun e tij, z. Papuljas dhe kur faktori i jashtëm këtë takim ende në përgatitje, po e quente si alternativë të vetme.

Në fjalën e tij, z. Serreqi dha disa pikëpamje të veta që padyshim do të shërbejshin si kornizë e mundshme e bisedimeve të ardhshme.

Së pari: në cilësimin e fajit të qeverisë greke ai përdori fjalë të zbutuna në krahasim me deklaratën e fillimit, por pa e absolvue atë. Tha se, përveç qeverisë greke, pjesën e tyne do ta kishin edhe qarqet shoveniste greke, aq ma parë që kishin fillue të prononcoheshin në shtypin e huej e, pjesërisht, atë grek.

Së dyti, ai u kujtoi të pranishëmve se ecunia e marrëdhanjeve shqiptaro – greke, si vende dhe popuj fqinj vertetë karakterizoheshin nga disa zikzake dhe oshilacione, por që në thelb, në kuadrin e përgjithshëm të marrëdhënjeve ndërshtetnore, kishte disa konstante që duheshin pranue e vlerësue në mënyrë realiste.

POR, AJO QË PËRBANTE PËRGJIGJEN MA DJEGËSE PËR AKTORËT NË LOJË, ISHTE POHIMI I Z. SERREQI:

“Unë gjykoj se nuk duhet të kemi asnjë kompleks dhe asnjë çoroditje se, integrimi europian e, mbi të gjitha, problemi madhor mbarëshqiptar nuk kalon nëpër asnjë kryeqytet të botës, nuk kalon nëpër asnjë parti cilado qoftë e kudo qoftë ajo, aq më pak nëpër Athinë e nëpër PASOK. Ato janë pronë më shumë se kurrë në dorën e shtetit sovran e demokratik shqiptar.

Ishin këto formulime që pak a shumë i përgjigjeshin, ndoshta me pak vonesë, por në nji moment mjaft të përshtatshëm, sugjerimit që, tre vjet ma parë, Konstantin Micotaqit kishte ba në takim me liderin e ri e të pa përvojë politike, aq ma pak diplomatike, Azem Hajdari, kur e pati këshillue: “Nëpërmjet Greqisë ju do të komunikoni me mbarë Evropën. Duhet të kuptoni miq! Greqia ju kupton më shumë se çdo vend tjetër. Dua t’ju siguroj se Greqia është vend i vogël dhe nuk ka e nuk do të ketë qëllime imperialiste ndaj jush”!

Mbas këtyne dy prononcimeve publike të dy ministrave të Jashtëm, përfundimisht u vendos që takimi të mbahej më 3 maj 1994, në Zyrih të Zvicrës. Në këtë dakordim të shpejtë ambasadorit amerikan, z. Rayerson, i takon nji meritë e madhe, sepse ai ishte ndërmjetësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura