Çani përball Nikollaq Neranxin me “grabitësin”, policia ndalon maskën te “Zonë e Lirë”, ishte aktor

Feb 28, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Dhjetë ditë pas grabitjes me armë të zyrave të kompanisë së tij në autostradën Tiranë-Durrës, biznesmeni Nikollaq Neranxi u përball me një prej “grabitësve”. Kështu u pretendua në serinë e mbrëmshme të programit “Zonë e Lirë” të gazetarit Arjan Çani në televizionin “Klan”. 

Personi me maske ne studion e emisionit “Zone e Lire”

Rreth mesnatës, Çani befasoi të ftuarin e tij, Nikollaq Neranxi, kur ftoi në studio një person të maskuar. Sipas drejtuesit të programit, i maskuari ishte një nga dy personat e armatosur që grabitën 130 mijë lekë në biznesin e tij më 18 shkurt.

Ky fakt u pranua edhe nga vetë personi me maskën e zezë në kokë, që i lejonte t’i dukeshin vetëm sytë. Edhe në pjesën e syve ai ishte nxirë, sipas tij, për të mos u identifikuar.

“Jam 28 vjeç. Kam punuar jashtë shtetit, derisa na përzunë. U kthyem këtu dhe çfarë mund të bëjmë. Si do ta mbajmë veten?”, tha personi me maskë. Biznesmeni Neranxi refuzoi ftesën e Çanit për t’i drejtuar pyetje personit të maskuar. “Nuk u bëj pyetje njerëzve të maskuar. Nëse ai pranon të heqë maskën edhe mund ta pyes”, tha Neranxi.

Personi i prezantuar si një nga grabitësit e biznesit të Neranxit, i tha Çanit se nuk kishte pasur frikë nëse rojet do ta kishin qëlluar. “Isha i informuar. Rojet nuk kanë të drejtë të përdorin fishekë të vërtetë. I kanë fishekë manovër”, tha personi i maskuar. Më tej ai tha se e kishte bërë grabitjen nga varfëria. “Grabitjen e bëra nga varfëria. Të mbush frigoriferin edhe unë. Kam fëmijë për të rritur edhe unë”, tha i maskuari.

Pas programit, i kontaktuar nga “Panorama”, biznesmeni Neranxi tha se nuk kishte mundur të fliste me personin në fjalë. “Nuk arrita të flas me të. Pashë që u shoqërua nga disa punonjës policie”, tha biznesmeni.

Ndërkohë, dëshmitarë okularë të daljes së personit të maskuar nga televizioni “Klan” thanë se në momentin e ndalimit nga punonjësit e Policisë, i maskuari u ka thënë “jam aktor i një prej teatrove të kryeqytetit”. Situata e krijuar në studion e “Zonë e Lirë” shtangu jo vetëm të dëmtuarin nga grabitja, biznesmenin Neranxi, por edhe të ftuarit e tjerë në studio. Pas prezantimit si aktor ndaj policëve, mendohet se personi i maskuar mund të ketë qenë aktori i Teatrit të Metropolit, Besmir Bitraku.

 

Zbardhje nga debati në emisioni:

Personi i Maskuar: Jam 28 vjeç. Kam punuar jashtë shtetit.

Arian Çani: Pse vendose, nëse është e vërtetë para 10 ditësh, që të shkoje tek Neranxi bashkë me dy shokët e tu dhe të bëje këtë vjedhje?

Personi i maskuar: Po maksimumi burg do bësh mor burrë.

Arian Çani: Më pas kam parashikuar të vijë një avokat për të shpjeguar vjedhjen me maksa. Po ti nuk pate frikë se rojet mund të të qëllonin?

Personi i maskuar: Rojet nuk kanë të drejtë të kenë fishekë.

Arian Çani: Kjo që tha Niko është e vërtet që rojet kanë fishekë manovër?

Nikollaq Neranxi: Këta e dinë shumë mirë.

Arian Çani: Si ndihesh tani nëse është e vërtetë?

Nikollaq Neranxi: Nuk e di nëse është e vërtetë apo jo.

Arian Çani: Mund ta pyesësh.

Nikollaq Neranxi: Nuk mund ta pyes nëse ai nuk heq maskën. 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura