“Mendoja, pse të mos i ketë këto vepra edhe lexuesi shqiptar?!”/ Helena Kadare rrëfen: Kur fshihja përkthimet nga Ismaili

Oct 16, 2020 | 15:12
SHPËRNDAJE

Pasi Qendra Kombëtare i dorëzoi shkrimtares Helena Kadare një çmim mirënjohjeje, studiuesja dhe zëvendësdekania e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Elsa Rakipllari, tregoi se si dhjetë vite më parë ndërsa lexonte romanin “Shosha” të Isaac Bashevis Singer-it, beteja e saj për të “ngulur në të dhëmbët redaktorialë” nëse haste gabime gjuhësore ishte e humbur.

helena kadare margariti

Ose më sakë, ajo si lexuese, por edhe pasionante e gjuhës, u ndie e fituar me një përkthim mjeshtëror.

“Dukej sikur nobelisti polak kishte shkruar në shqip. E impresionuar, iu riktheva frontescriptit të librit dhe pashë që përkthyese ishte pikërisht zonja Helena. E lehtësuar nga surpriza e këndshme e lashë mënjanë lapsin, me të cilin korrigjoja gabimet dhe vijova leximin.

Shqipja e asaj vepre, por edhe e veprave të tjera që zonja Helena ka përkthyer, arrin të përkapë e të përcjellë pa i përthyer dimensione botëkuptimore dhe përsiatje që jo gjithnjë janë të afërta për lexuesin shqiptar.

Nuk duhet harruar se Përkthimi, ashtu si edhe procesi i krijimit, rrallë mund të jetë një proces automatik që ndodh sa hap e mbyll sytë, por ka nevojë për atë që Umberto Eco e quante enciklopedi (të gjerë), për përmasa kulturore që një europianiste par excellence, si zonja Kadare, i ka pasur jo vetëm ushqim shpirtëror, por edhe i shpërfaq natyrshëm në kontributin e saj për letrat shqipe”, u shpreh Rakipllari.

Studiuesja Elsa Rakipllari
Studiuesja Elsa Rakipllari

E nxitur nga ky ngacmim, Helena Kadare tregon lidhjen e saj të veçantë me përkthimin.

“Ka qenë për mua një çlodhje dhe gëzim i madh. Kur isha në Shqipëri, mendoja:

‘Sa bukur ata që jetojnë atje, mund të hyjnë në librari dhe të gjejnë gjithçka duan’. Këtë e provova vetë kur shkova në Francë. Kur lexoja ata libra të bukur thosha: ‘Pse të mos i ketë edhe lexuesi shqiptar?!’. Kështu i përktheja me shumë dashuri”.

Mirëpo duket se shkrimtari Ismail Kadare ka pasur një tjetër perceptim për përkthimin, ndoshta duke njohur edhe potencialin e Helenës shkrimtare.

“Ai e quante humbje kohe. Mirëpo Ismaili e konsideronte përkthimin si humbje kohe. Madje kur punoja për të në kompjuter, merresha dhe me përkthimet, dhe sapo ai hynte në dhomë unë i fshihja në sirtar. Një ditë hyn vajza dhe unë e bëra menjëherë këtë gjest duke menduar se ishte Ismaili dhe ajo më thotë me humor: ‘Po punon në të zezë?!'”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura