Mblidhet Këshilli Bashkiak i Tiranës, rritet kuota e trajtimit me ushqime në mensat sociale

Aug 26, 2019 | 19:26
SHPËRNDAJE

Këshilli i ri Bashkiak nisi sot punën me miratimin e një sërë vendimesh me karakter social.

Këshilli Bashkiak miratoi propozimin për rritjen e kuotës së trajtimit me ushqime për personat në nevojë që frekuentojnë mensat dhe strehat sociale.

veliaj

Sipas këtij vendimi, niveli i kuotës financiare për shpenzime ditore të ushqimeve për personat që përfitojnë shërbime në qendrat sociale të përkujdesit shoqëror në varësi të Bashkisë Tiranë nga 160 do të jetë në vlerën e 230 lekë dhe për personat që përfitojnë shërbime në qendrën sociale “Strehëza Tiranë” nga 300 në vlerën e 360 lekë.

“Në Tiranë, vitet e fundit kemi hapur 7 qendra sociale dhe po marrim këtë vendim sepse duam të shtojmë kuotizacioin ditor që shpenzojmë për mensat sociale. Pra, duam të shtojmë më shumë fruta-perime, më shumë vakte, më shumë kapacitete. Do të thotë që praktikisht e rrisim me 50% kuotizacionin që i dedikojmë secilit person që ushqehet në qendrat sociale”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë fjalës së tij, ai tha se do të ndërtohet një shkollë e re, shkolla “Servete Maçi” në Njësinë 9, ku 600 nxënës do të gjejnë një shkollë me kushte më të mira dhe arkitekturë të veçantë.

“Di t’ju them se është disa herë më e bukur dhe më e arrirë se shkolla “Kosova”. Ajo është një nga veprat më të arrira, është shkollë muzike, qytetase, pra jo vetëm e Njësisë 8 dhe 9, por për të gjithë ata që kanë zgjedhur shkollën e muzikës, të cilët do të na bëjnë të ndihemi krenarë. Ata që janë të vjetër në Këshillin bashkiak i kanë marrë vendimet për atë shkollë, dhe ata që janë të rinj dhe që përfaqësojnë komunitetin e Njësisë 8 dhe 9, apo nga e gjithë Tirana, ku ata që janë me prirje muzikore, sidomos 600 familje, do të çojnë fëmijët e tyre në shkollën e re ‘Servete Maçi’”, tha Veliaj.

Sa i përket infrastrukturës arsimore, kryebashkiaku bëri të ditur se sfidë e Bashkisë së Tiranës do jetë bërja e kopshteve publike në Tiranë më të lakmueshme për qytetarët se ato private. “Është hera e parë në historinë e këtij qyteti ku kemi deri në 10 kërkesa për një vend në çerdhe. Sfida që kemi për këtë mandat është që t’i bëjmë të lakmueshme kopshtet publike, siç kemi bërë çerdhet. Kur të shkojë kërkesa në kopshtet publike 10 me 1, realisht do të jetë një notë 10 për Bashkinë, por edhe një 10-fish nevojë për të pasur kopshte dhe çerdhe të reja”, tha Veliaj.

Gjatë kësaj mbledhje u miratuan edhe disa vendime të tjera të rëndësishme me karakter social dhe më konkretisht: vendimi “Për miratimin e pagesës për PAK dhe Invalidët e Punës, për periudhën 1-31 Gusht 2019”; vendimi “Për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 për qind, nga fondi i kushtëzuar dhe nga buxheti i Bashkisë Tiranë, për periudhën 1-31 Korrik 2019” dhe vendimi “Për miratimin e kompensimit ushqimor për nxënësit/ fëmijët e familjeve në nevojë në shkollat ku implementohet projekti pilot “Bëjmë detyrat e shtëpisë” nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë”, për periudhën 1-31 Maj 2019”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura