Mbi 200 milionë dollarë për 43 km, ligjet miratojnë kredinë e re për aksin Qukës-Qafë Plloç. Majko mbron borxhin e qeverisë: Projekti kishte gabime

Nov 12, 2022 | 11:37
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME / Komisioni i Ligjeve, vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës i dha dritën jeshile Ministrisë së Infrastrukturës për të marrë një kredi të re 56.8 milionë dollarë për projektin e rrugës Qukës-Qafë Plloç, projekt i cili është 43 km i gjatë dhe ka nisur që në vitin 2015.

Punimet në rrugën Qukës-Qafë Plloçë

Nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve, Dhurata Çupi, ishte kundër marrjes së një borxhi të ri pasi sipas saj, vlera është e fryrë. Çupi tha dje në Komision se për realizimin e 94% të punimeve u morën kredi në vitin 2013 150 milionë dollarë, ndërsa tani për 6% të punimeve kërkohet borxh i ri 56.8 milionë dollarë.

“Aty ku ka pak fjalë, ka shumë miliona. Këtu një herë në çdo dy mbledhje vijnë kredi kërkesa për të miratuar kredi. Duket sikur kjo është më e rëndë. 150 milionë euro nga viti 2015 kredi. Sot, 58 milionë euro. Ndërkohë në vitin 2011, ka filluar rruga deri në kilometrin e 2.9. Autoriteti Rrugor Shqiptar është i njëjti. Stafi është i njëjti.

Sa herë kërkohen miliona euro, këtu hidhen akuza ndaj specialistëve. Projekti i parë ka pas një problem. Ishte me buxhet shteti dhe s’mund të vidhej, ndërkohë që tani merren kredi, e kredi pa fund. E keni shkruar vetë që kanë përfunduar 94% e punimeve. Me 150 milionë euro kanë përfunduar 94% të punimeve. Tani me gjysmën e shumës fillestare që do merrni kredi shtesë do bëni vetëm 6% të punimeve. A e kuptoni se çfarë abuzimi bëni, a e kuptoni se sa vidhni.

Merrni 60 milionë euro shtesë vetëm për 6% të punimeve. Edhe këto para fushatës. Mos hajdeni të justifikoni milionat e eurove në kurrizin e specialistëve. S’mund t’i thuash projektit që ke lënë projektin pa urë. Sepse, atij specialisti i dhënë. S’justifikohet babëzia duke sulmuar specialistët”, u shpreh Dhurata Çupi

PROBLEMET TEKNIKE

Zëvendësministrja e Infrastrukturës, Enkelejda Muçaj, tha se kjo shumë do të përdoret për ndërtimin e 6 për qind të punimeve të mbetura. Në prezantimin e projektligjit, Muçaj tha se ky projekt është i vjetër dhe ka hasur probleme teknike në realizimin e tij, por huaja e re parashikonte t’i jepte zgjidhje përfundimtare ndërtimit të kësaj rruge, që është vetëm 43 kilometra e gjatë.

Ajo pranoi që ndërtimi i rrugës ka zgjatur tej afateve dhe buxheteve të parashikuara, por për këtë ia vuri përgjegjësinë projektit fillestar të miratuar nga qeveria “Berisha”, i cili nuk kishte marrë parasysh lidhjet me rrugët dytësore dhe problemet me terrenin e vështirë të punimeve. E pyetur nga deputetët e opozitës për koston totale të rrugës ajo tha se vlera e një kilometri përllogaritet 6 milionë dollarë, por se shifra e lartë duhej kuptuar në kontekstin e vështirësive të terrenit dhe veprave që do të ndërtoheshin.

“Ministria e Infrastrukturës kërkon në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Bankës Islamike për aksin Qukës-Qafë Plloç, si pjesë e korridorit rrugor Tiranë-Korçë.

Projekti u miratua fillimisht në 2011, Parlamenti financoi në prill të vitit 2013. Punimet filluan në vitin 2015 dhe gjatë zbatimit rezultuan një seri problematikash me projektin. Ka një sërë problemesh teknike. Ne I kemi konsideruar ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme është miratuar dhe filloi negocimi me bankën për vlerën 56 milionë dollarë. Ky Project është pjesë e korridorit 8”, u shpreh Enkeleda Muçaj.

Deputeti i PS mbron borxhin e qeverisë

Deputeti i Partisë Socialiste në cilësinë e relatorit të projektmarrëveshjes për kredinë 56.8 milionë dollarë për aksin qukës Qafë-Plloç, mbrojti marrëveshjen duke akuzuar qeverinë Berisha. Sipas tij, shuma shtesë e parave për atë projekt duhej pasi ai i pari kishte probleme teknike për të cilat ftoi autoritetet të veprojnë.

Ndërkohë, opozitën e kritikoi se përse kërkonte llogari për paratë shtesë që do marrë qeveria në prag të zgjedhjeve lokale 2023.

“Bëhet fjalë për një projekt që ka shfaqur probleme. Më konkretisht, ka që nga 2011 me buxhetin e shtetit. Por, projekti ka qenë i bërë me gabime. Siç më shpreh një ekspert, kur është bërë aplikimi në praktik i binte që ura të qëndronte në hava. Kështu që në këto kushte të një ngatërrimi të projektit në këtë farë feje u detyrua që të rishikohej projekti. Ne mund të diskutojmë politikisht, por kemi të bëjmë me një histori teknike që kërkon të shprehen organet përkatëse për projekt me gabime. Por, kemi tani një institucion që merr përsipër që ta rregulloj këtë gabim. Në Komision, kur vijnë të tilla marrëveshjesh, kanë dyshues. Por ne s’mund t’i themi se kush ka qenë eksperti që ka bërë në projekt që këmbët e urës qëndrojnë në ajër. Unë sdua ta politizoj problemin që një specialist i qeverisë së kaluar e ka bërë krq projektin. Këta kanë ardhur për të mbrojtur projektin. Ne mund ti drejtohemi me shkrim KLSH se çfarë kanë bërë dhe cili është problemi. Këta kanë ardhur për ratifikimin e marrëveshjes. Detajet se kush i ka bërë në thelb unë mendoj se dalin jashtë temës”, u shpreh Majko.

Por, deputetja demokrate e kundërshtoi, duke thënë se Ministria duhet të kishte ardhur në Komision me një analizë të qartë për të justifikuar paratë. “Këtu duhet të vij me një analizë të plotë. Nuk mund të vini kështu sepse ikin miliona lekë kot”, u shpreh Çupi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura