Mangësitë teknike, Ministria u heq licencat 7 shoqërive

May 21, 2011 | 9:57
SHPËRNDAJE

Shtatë shoqërive të sektorit hidrokarbur që nuk kanë marrë masa për plotësimin e kriterit për kapacitetin depozitues u janë hequr lejet e tregtimit. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka marrë këtë vendim ekstrem për këto subjekte pas të dhënave që i janë vënë në dispozicion nga Inspektorati Qendror Teknik, i cili më herët kishte bërë paralajmërim për të njëjtat shoqëri. Kjo masë e marrë këto ditë vjen pas një pune të gjatë disamujore që filloi kur Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, ngriti pranë Ministrisë një grup pune që po merret me verifikimin e kushteve teknike dhe cilësisë së karburantit që tregtohet në vend nga shoqëritë hidrokarbure. Për shtatë shoqëritë që u janë hequr lejet e tregtimit në muajin mars, Inspektorati vendosi që t’u pezullonte për 30 ditë aktivitetin deri në përmbushjen e kushtit për kapacitetin depozitues. Meqenëse në kontrollin e dytë të kryer nga inspektorët rezultoi se kompanitë nuk kishin marrë asnjë masë për këtë pjesë dhe aktiviteti i tyre nuk zhvillohej në përputhje me ligjin në fuqi, Ministria mori vendimin që të hiqte lejet e tregtimit. Ndërkaq, Inspektoratit Qendror Teknik dhe Qendrës Kombëtare të Licencimit u është caktuar që të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura administrative për zbatimin e masës së marrë. Nga ana e ministrit Nasip Naço është kërkuar që të bëhet një kontroll i imtësishëm i shoqërive hidrokarbure në vend dhe ndaj atyre që konstatohen shkelje, të merren masa sipas hapësirave që lejon ligji, duke filluar nga gjobat e deri tek pezullimi apo heqja e lejes për zhvillimin e aktivitetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura