Kush është shqiptari, kreu i organizatës mafioze/ Drejtonte trafikun e drogës nga Ekuadori, akuzat në Shqipëri dhe roli në rrëmbimin e Jani Prengës

Sep 18, 2020 | 15:20
SHPËRNDAJE

Kreu i organizatës që u godit dje nga Europol dyshohet se është shtetasi Dritan Rexhepi, i cili aktualisht ndodhet në Ekuador.dritan-rexhepi

Burimet thanë dje se për vite me radhë importuesit ndërkombëtarë të kokainës punonin të ndarë, nga shitësit me shumicë, te bandat që shpërndanin drogën në rrugë.

Ato kontrollonin të gjithë zinxhirin e punës së kartelit, duke filluar që nga koordinimi i nisjes së dërgesave të mëdha direkt nga Amerika e Jugut, deri te shpërndarja në të gjithë Europën. Mësohet se duke përdorur mjete të sofistikuara dhe kode gjatë komunikimeve me pjesën tjetër, kreu i organizatës, 40-vjeçari Dritan Rexhepi, kishte edhe rolin e negociatorit mes karteleve të drogës në Amerikën e Jugut.

Ai dyshohet se ka organizuar dërgesat e mëdha të kokainës në portet kryesore të Europës dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vendosur në Itali, Holandë dhe Shqipëri, që më pas kanë bërë shpërndarjen në Europë.

Dritan Rexhepi, deri në vitin 2010 rezultonte i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy policëve në Krujë, në bashkëpunim me dy persona të tjerë. Por në vitin 2010, çështja gjyqësore u veçua.

Rexhepi u dënua me 25 vjet burg, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij, Sokol Halilaj e Shefqet Seferi, me nga 20 vite burg. Dosja e Dritan Rexhepit, i njohur edhe me emrin Gramoz, u veçua pasi ky shtetas ndodhej në burg në Itali dhe u dërgua një letërporosi atje.

Ky ka qenë një nga shkaqet pse Apeli ktheu për rigjykim dosjen, pasi Rexhepi duhej lajmëruar në Itali për gjyqin në ngarkim të tij, ndërsa ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata pa u vënë në dijeni se po gjykohej. Gjykata ka shpallur fajtor për vrasjen e trefishtë të ndodhur në vitin 1999 Sokol Halilajn dhe Shefqet Seferin, bashkëpunëtorë të Dritan Rexhepit në këtë krim. Seferi ka qenë si ndërmjetësues mes dy vlonjatëve, Halilaj e Rexhepi, të cilësuar edhe vrasës me pagesë. Të tre këta persona akuzohen për vrasje për shkak të detyrës të dy efektivëve të Policisë, Arben Keqi dhe Durim Kasmi, në vitin 1999 në Krujë.

Në ngjarje, rastësisht u vra edhe pronari i një lokali në Krujë, Raim Bakiasi. Në gusht të vitit 2014, i shumëkërkuari u arrestua në Katalunja të Ekuadorit tre vjet pas arratisjes spektakolare nga një burg i Belgjikës. Shqiptari ishte ndaluar që në fund të muajit qershor të atij viti nga Policia e Ekuadorit, si pjesë e një grupi që u kap me 278 kilogramë kokainë.

Megjithatë, askush nuk kishte dijeni për emrin e vërtetë të tij, pasi i kërkuari kishte ndryshuar pamjen dhe identitetin duke mbajtur një pasaportë greke me identitet të rremë. Ishin gjurmët e gishtave që e zbuluan vlonjatin, në atë kohë 34 vjeç. Por emri i tij doli në skenë edhe së fundmi, pas rrëmbimit e më pas zhdukjes së Jani Prengës në Tiranë.

Emrat e organizatorëve të pengmarrjes së Jani Prengës janë zbardhur nga deklarimet që ka dhënë vëllai i tij, Anton Prenga, i cili jeton në Angli, por sapo ka mësuar ngjarjen ka ardhur në Shqipëri për të negociuar.

Gazeta “Panorama” ka zbardhur dosjen e plotë të Prokurorisë, ku ndër të tjera është edhe deklarimi i Anton Prengës, i cili tregon me detaje bisedat me organizatorët dhe takimet që ka pasur. Në dëshminë e tij, vëllai i Jan Prengës shpjegon se ngjarja ka ndodhur pas grabitjes së një sasie kokainë në Angli nga vëllai tjetër i tij, shtetasi Astrit Prenga, bashkë me mikun e tyre të familjes, Gëzim Shullani, një shtetas rumun dhe një shtetas shqiptar që quhet Xhulian.

Ndërsa tregon edhe telefonatat që një person, i quajtur Gramoz, nga Vlora, (Dritan Rexhepi) ka komunikuar me vëllanë tjetër të tij, Ndrekë Prenga, që ndodhet në burg, të cilit i ka thënë që të mos bënin gabim të luanin gjërat e tyre, duke nënkuptuar kokainën. Të njëjtin kërcënim ka marrë edhe nga shtetasi i quajtur Gentjan Doçi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura