Kura me sodë buke, merret i pandehur onkologu italian

Jun 29, 2013 | 10:25
SHPËRNDAJE

TIRANE – Prokuroria e Tiranës i njofton akuzën “mjekim të pakujdesshëm me pasojë vdekjen” onkologut italian, Tullio Simoncini. Mjeku rezident në Shqipëri është thirrur për t’u paraqitur në Prokurorinë e Tiranës, ku është marrë i pandehur në lidhje me vdekjen e një pacienti italian, të cilin ai e kishte kuruar me sodë buke për sëmundjen e kancerit. Sipas Prokurorisë, mjekimi i aplikuar nga mjeku Simoncini ka përshpejtuar vdekjen e pacientit. Vetë mjeku italian, Tullio Simoncini, në komunikimin e tij me grupin e hetimit të prokurorisë së Tiranës e ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij. Luca Olivello, 27 vjeç, nga Italia, gjeti vdekjen në kryeqytetin e Shqipërisë, më 18 tetor 2012. Familjarët e 27-vjeçarit kishin kërkuar mjekim për të afërmin e tyre në Vjenë, në Afrikën e Jugut, në Beograd dhe, pasi kishin marrë përgjigje negative, kishin ardhur në Tiranë nisur nga njoftimet e Simoncinit në internet se ai bënte kurime rezultative kundër kancerit. Tullio Simoncini u ka thënë të afërmve të të sëmurit se me kura jo tradicionale, mund ta mjekonte djalin e tyre dhe garantonte 70 për qind sukses. “Mjeku ka kërkuar 14.500 euro që në kontaktin e parë me familjarët e pacientit. Ai ka thënë se pa arkëtuar këtë shumë, pacienti nuk mund të futej në spital”, kanë dëshmuar dy familjarë të pacientit italian. tr.so

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura