Kredia e re, 100 milionë dollarë nga Banka Botërore

Mar 15, 2017 | 13:22
SHPËRNDAJE

Banka Botërore miratoi dje një kredi prej 100 milionë dollarësh për Shqipërinë, me qëllim fuqizimin e sektorit financiar.

Selia e Bankes Boterore
Selia e Bankes Boterore

Kredia me afat shlyerjeje 31- vjeçare do të mbështesë reformat e qeverisë për uljen e kredive të këqija dhe për forcimin e mbikëqyrjes së fondeve të investimeve. “Reformat e mbështetura nga ky projekt synojnë të trajtojnë cenueshmëritë aktuale të sektorit financiar, duke rritur fleksibilitetin e tij. Këto reforma do të krijojnë mjedisin e duhur që institucionet financiare bankare dhe jobankare të zgjerojnë kreditimin ndaj sektorit privat, e kjo si rrjedhojë do të jetë një shtysë për rritjen ekonomike”, tha Ellen Goldstein, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Banka Botërore informoi se projekti do të zbatohet për miratimin e masave, për të reduktuar kreditë e këqija dhe për të forcuar rrjetin e sigurisë financiare; fuqizimin e rregullave, mbikëqyrjes dhe regjimeve të zgjidhjes së problemeve të bankave e të shoqatave të kursim-kreditit, si dhe fuqizimin e rregullave dhe mbikëqyrjes së fondeve të investimit.

Masat e ndërmarra nga qeveria dhe autoritetet e sektorit financiar, të mbështetura nga projekti i ri, përfshijnë përmirësime domethënëse në kuadrin ligjor, si p.sh., një ligj i ri për falimentin, ligj për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, një ligj i ri për shoqatat e kursim-kreditit, amendamente të ligjit për auditimin, ligjit për sigurimin e depozitave, ligjit për ndërmarrjen e investimeve kolektive, kodit të procedurës civile dhe ligjit për përmbaruesit privatë.

“Këto reforma jo vetëm që zbusin rreziqet me të cilat ballafaqohet aktualisht sektori bankar, por ato sjellin ndryshime të rëndësishme që do të sjellin përfitime afatgjata për bizneset dhe veprimtaritë e kreditimit në vend. Ligji i ri për falimentin, p.sh., pritet që të përmirësojë shumë efektivitetin dhe shpejtësinë me të cilat trajtohen rastet e paaftësisë paguese, si dhe në përcaktimin e kufizimeve të besueshme për huamarrësit problematikë”, shpjegoi Michael Edwards, drejtuesi i lartë projektit në Bankën Botërore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura