Këlliçi: PD dhe FRPD të jenë në sintoni të plotë bashkëpunimi

Nov 15, 2015 | 12:06
SHPËRNDAJE

Belind Këlliçi, ish-anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, që nga sot do të nisë bashkë me pesë kandidatët e tjerë garën për postin e kreut të Forumit Rinor Demokrat. Ish-drejtuesi i Departamentit për ish-të përndjekurit dhe pronarët, prej më shumë se një muaji ka zhvilluar takime me të rinjtë në të gjitha degët e Partisë Demokratike, duke sjellë alternativën e tij për mënyrën e funksionimit të FRPD-së. 28-vjeçari është shkolluar në SHBA, ku është diplomuar për Shkenca menaxhimi dhe Ekonomiks, i vlerësuar me rezultate të shkëlqyera. Në tetor 2014, kreu i PD-së Lulzim Basha e emëroi koordinator kombëtar, ndërsa prej më shumë se një muaji Këlliçi ka hequr dorë nga të gjitha funksionet e tij në PD, për t’iu përkushtuar garës për FRPD-në.

Belind Këlliçi
Belind Këlliçi

Gjatë debateve të fundit në mbledhjet e Grupit Parlamentar, deputetët senatorë në PD kanë kërkuar që Forumi Rinor Demokrat të drejtohet nga një i ri me kontribute në parti. Cili është kontributi që ju keni dhënë gjatë këtyre viteve?

Që pas përfundimit të studimeve në USA dhe kthimit tim në Shqipëri, në vitin 2009, vendosa të nis karrierën time politike duke u anëtarësuar fillimisht në Forumin Rinor të PDSH. Më pas vendosa që karrierën time politike në PD ta bazoj në ngjitjen e shkalleve të karrierës një nga një dhe jo duke marrë “ashensorin” për të shkuar aty ku dëshiroja, pasi kam besimin absolut se kush ecën me këmbët e tij, ecën gjatë dhe është një shtyllë e fortë si në politike, shoqëri, biznes apo shoqëri civile. Fill pas anëtarësimit tim në FRPD, kam ngjitur një nga një të gjitha shkallët e karrierës politike në PD, duke nisur me anëtarësimin tim në PD, zgjedhjen si anëtar i kryesisë së seksionit të zonës ku banoj dhe zgjedhjen anëtar i kryesisë se degës nr.10. Më pas në Kuvendin Kombëtar, të zhvilluar në shtator të vitit 2014, jam zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar të PDSH dhe më pas jam emëruar në pozicionin e koordinatorit kombëtar nga kryetari i PDSH, z. Lulzim Basha. Që prej muajit nëntor të 2014-s jam zgjedhur drejtues i Departamentit të të përndjekurve politike dhe ish-pronar- ëve dhe rrjedhimisht anëtar i Kryesisë së PDSH.

Për çfarë kanë më shumë nevojë të rinjtë e FRPD që t’i shërbejnë aksionit politik të PD-së?

Sot FRPD, në gjykimin tim, nuk ndodhet aspak në lartësinë e duhur dhe në harmoni të plotë me strukturat e PDSH-së. Është e domosdoshme që të rinjtë të jenë aktivë dhe të besojnë te politika pasi demokraci do të thotë pjesëmarrje. Duhet të jenë pikërisht të rinjtë ata të cilët me vizionin dhe idealin e tyre duhet t’u japin fund fenomeneve që e deformojnë demokracinë dhe sidomos fenomenit që po godet më shumë shoqërinë tonë, shitblerjen e votës. Të rinjtë duhet ta kthejnë arenën politike në një ambient ku ka rrahje mendimesh, përballje platformash, shpalosje vizionesh dhe ku çdo i ri gjen mundësinë që të rritet e formohet me dinjitet e profesionalizëm. Me mua në krye të FRPD, të rinjtë demokratë do të jenë pjesë e një procesi bashkimi, hapjeje dhe rritje të cilësisë së anëtarësisë së kësaj organizate. PD dhe FRPD do të jenë në një sintoni të plotë bashkëpunimi, sikurse rikthimi i sistemit të meritokracisë dhe vlerësimi i kontributeve të gjithsecilit do të jenë dy gurët e themelit të punës sime. Vetë gara për kreun e ri të FRPD-së është një proces i cili ka ndezur motorët e strukturave të FRPD-së dhe PD-së në të gjithë vendin dhe fryma e ngritur në këto javë fushate është mjaft pozitive.

Nga dita e sotme ju do të jenë në garë së bashku me kandidatët e tjerë për kreun e FRPD-së. Cili është opinioni për ta dhe e konsideroni veten të avantazhuar në garë?

Që prej ditës së shpalljes së ambicies sime për të garuar për kreun e FRPD-së, kam dhënë vullnetarisht dorëheqjen nga pozicioni i anë- tarit të Kryesisë së PDSH dhe drejtuesit të Departamentit të të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve, për të hyrë në garë i barabartë me çdo të ri që aspiron të garojë për këtë pozicion kaq prestigjioz. Për kandidaturat të cilat janë përballë meje kam një opinion mjaft pozitiv dhe jam i nderuar t’i kem rivalë në këtë garë. Fatkeqësisht, vijën e finishit do e kalojë vetëm një kandidat dhe uroj me gjithë zemër që pas përfundimit të garës, të gjithë kandidatët të punojnë së bashku për të ringritur forumin në lartësinë e duhur dhe për të rikthyer alternativën e PD-së sa më shpejt në krye të qeverisjes së vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura