“Kallëzim në polici, përgjegjësi të vihet para drejtësisë”, ministrja Margariti për zjarrin tek “Sarajet”: Akt kriminal ndaj trashëgimisë kulturore

Aug 17, 2021 | 13:03
SHPËRNDAJE

saraje-elvamargariti

Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka reaguar lidhur me flakët që përfshinë Sarajet e Toptanëve në Tiranë mbrëmjen e djeshme. Nëpërmjet një reagimi në rrjete sociale, ajo dënon çdo akt që tenton të shkatërrojë institucionet me vlera historike.

Ministrja thotë se Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ka kallëzuar në polici ngjarjen dhe i bën thirrje autoriteteve që të vendosin përpara drejtësisë autorët e dyshuar.

Margariti shkruan se godina i përket shekullit të 19-të përsa i përket vlerave të saj arkitektonike dhe historike dhe në vitin 1973 u shpall monument kulture e kategorisë së parë.

Gjithashtu ajo mbështet nismën e Bashkisë së Tiranës për të bërë shpronësimin e Sarajeve dhe për kthimin e saj në një qendër kulturore publike.

Postimi i plotë i Elva Margaritit:

Dje në mbrëmje u gjend mes flakësh godina e shek. XIX, e njohur si “Sarajet”, në rrugën “Alqi Kondi”. Për vlerat e saj arkitektonike dhe historike, kjo ndërtesë u shpall në vitin 1973, monument kulture e kat. I   Që në orët e para të ditës së sotme nga ana e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Tiranë është bërë kallëzimi pranë Komisariatit të Policisë nr. 1, Tiranë, me dyshimin se bëhet fjalë për një zjarrëvënie të qëllimshme, për të zhvlerësuar godinën dhe tjetërsimin e funksionit të saj.

Kjo godinë, e cila ka kryer funksionin e Bibliotekës së parë Kombëtare ka qenë pronë e shtetit deri në vitin 2000, kur iu kthye ish-pronarëve të saj. Së fundmi Bashkia Tiranë kishte nisur procedurat e shpronësimit, për ta shndërruar në një institucion kulturor publik. Parë situatën e krijuar, godina do të shpronësohet me procedurë të përshpejtuar. Ministria e Kulturës jo vetëm dënon këtë akt kriminal ndaj trashëgimisë kulturore, por inkurajon organet e kompetente të zbardhin ngjarjen dhe të vërë përgjegjësit para përgjegjësisë. Po ashtu, mbështet Bashkinë e Tiranës në nismën për ta shndërruar këtë godinë në një objekt kulturor, publik, duke ruajtur vlerat e saj unikale.

Falenderojmë për ndërhyrjen e menjëhershme punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtim, që luftuan me flakët e zjarrit, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, Bashkisë së Tiranës, punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, por edhe çdo qytetar të thjeshtë që ka kontriubuar në shuarjen e zjarrit e do të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të paprecedentë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura