Flet vajza që kallëzoi Leonard Bombajn për përdhunim: I dhashë vetes kohë të qetësohesha. Me librin e tij kam qeshur

Feb 14, 2015 | 15:31
SHPËRNDAJE

Intervista e plotë në “Panorama Plus”/ Rrëfehet për herë të parë vajza që kallëzoi për përdhunim Leonard Bombajn. 

AJSI XHAXHAJ (MAJTAS) FAQJA E PARE E “PANORAMA PLUS”

Ajo është një 20-vjeçare e pjekur para kohe. Me historinë e saj me vete, pas pesë vitesh në hije dhe larg zhurmës mediatike të krijuar për çështjen e shumëpërfolur me Leonard Bombajn, shumë menduan se Ajsi Xhaxhaj kishte hequr dorë nga ëndrra e televizionit dhe kinemasë.

Por jo, pasi ajo thotë se është një karrieriste e lindur. Pasi ka fituar me votat e publikut një vend pune si moderatore e “Agon Channel”, në këtë intervistë të saj të parë flet për pesë vitet e errëta që ka kaluar, ku ka qenë, ku është dhe si do të jetë. Ajsi, pas pesë vitesh në hije, të shohim në ekran si moderatore.

Si vendose për këtë rikthim?

Krejt papritur më lindi dëshira të bëhesha pjesë e televizionit përsëri, tashmë që jam 20 vjeç. Shtysa ishte e nënës sime, e cila më nxiti të merrja pjesë në audicionin “Free Pass” të “Agon Channel”, mes 400 konkurrentëve. Fitova një punë të mirëfilltë në televizion, si moderatore e dy formateve “Agon Land” dhe “Top Five”, ndërsa po përgatitem për të tjera. Koha ime tani ndahet mes punës në “Agon”, studimeve të larta për Administrim dhe Politikë Sociale dhe qëndrimit me familjen.

Kjo është hera e parë që flet në media, pas çështjes së shumëpërfolur me Leonard Bombajn që kur ishe imazh i “Kripëmjaltëzave”. Sa pranë artit ke qenë këto kohë?

Në fillim i dhashë kohë vetes për t’u qetësuar dhe për të dalë nga gjendja në të cilën ndodhesha. Pastaj iu
përkushtova gjimnazit duke dalë me rezultate të shkëlqyera. Më pas u bëra pjesë e filmit “Rrugëtimi i qytetit pa frymë” të regjisorit Romario Xhaferraj. U dashurova shumë me teatrin, por televizioni është kënaqësi tjetër për mua, ndaj ia dedikova kohën time audicionit të “Agon Channel”. Familja ka qenë
pranë meje dhe më ka mbështetur. 

Duke pasur parasysh dhe moshën e 15-vjeçares, ishte kjo periudhë vërtet e errët e jetës sate?

Jo pa qëllim për pesë vite unë qëndrova në hije. Si fillim mund të them se ishte periudhë e errët, deri në momentin që i dhashë akoma shtysë vetes për të vazhduar ëndrrën time. Doja fillimisht të qetësohesha vetë, pasi isha shumë e ngarkuar, dhe për më tepër, ashtu siç ju thatë, isha vetëm 15 vjeçe. Po ashtu, doja të rishfaqesha me tjetër imazh, pra me imazhin e të rriturës. Deri në ato momente njihesha si Ajsi vogëlushja,
që bëja videoklipe etj. Besoj se tani ia kam arritur qëllimit se ndihem më e rritur dhe më precize në atë se çfarë kërkoj në televizion. Planet e mia janë të jem pjesë e kinematografisë shqiptare, pse jo dhe asaj të huaj, por këto i takojnë të ardhmes.

Nga përballja me realitetin tënd ke provuar se je vajzë e fortë apo e dobët e qaramane?

Jo se nuk e dija më parë, por e kam përforcuar edhe më shumë mendimin se jam shumë e fortë, pasi kam lindur e tillë. Jam përballur me shumë situata që më kanë rritur para kohe dhe kjo më ka ndihmuar edhe në pjesën e vullnetit tim për t’i bërë ëndrrat e mia realitet.

A të ka ndryshuar historia jote në qëndrimin me gjininë mashkullore, a je më e distancuar nga ata?

Jo, pasi tani kam më tepër miq meshkuj dhe vetëm një mikeshë. Miqësia me gjininë tjetër është më e sinqertë, kam kuptuar se meshkujt të mbështesin shumë, të duartrokasin atëherë kur ke sukses dhe të japin një dorë kur ke nevojë.

Po xhelozinë e femrave e ndien dhe si sillesh në raste të tilla?

Po, e ndiej dhe e kam ndier gjithmonë, edhe kur kam qenë e vogël, pasi kam qenë gjithmonë imazh. Nuk ekziston një recetë e caktuar për t’i hequr qafe xhelozi të tilla, pasi gjithmonë zilia ekziston mes nesh. Mënyra më e mirë është të ndjek rrugën time për të ecur përpara. 

Gjatë këtyre viteve mendove ndonjëherë të hiqje dorë përfundimisht nga arti?

Jo, kam qenë shumë e vendosur për të vazhduar ëndrrën time.

Të ka stepur historia jote, je ende ajo koketa që kemi njohur?

Kam qenë vërtet koketë, ndërsa tani nuk jam. Por kam fituar më shumë siguri te vetja, pasi në këtë pushim kam rindërtuar veten në një mënyrë ndryshe.

Tashmë synon famën, një karrierë që do të të bëjë dhe të pasur?

Unë synoj famën, karrierën, respektin nga publiku, duke qenë se jo gjithmonë e kam pasur. Tashmë dihet se
cila është figura ime, Ajsi. Ndërsa paratë do të jenë shpërblimi i asaj që bëjmë.

Mendon se je personi i vetëm që ke një histori të mediatizuar si vajzat e Hollivoodit? Është kjo një e keqe që ka një anë të mirë?

Unë jam personi i vetëm që kam pasur guximin të bëj histori, as më pak as më shumë.

Historia e 15-vjeçares ishte frymëzim për librin “Në emër të Atit, të Bijës dhe të Shpirtit të Zbathur” të Bombajt? A e lexove librin dhe si u ndjeve?

Po, e kam lexuar dhe jam gajasur së qeshuri. M’u desh shumë pak kohë për ta lexuar dhe sinqerisht që më ka
bërë shumë për të qeshur… Por dua të theksoj se gjatë këtyre viteve kam lexuar shumë libra. Përmend këtu “Kur qau Niçja”, libër filozofik që më ka ndihmuar shumë për të qartësuar gjërat në mendjen time. Si dhe “Lolita”, ku kam gjetur shumë përgjigje të pyetjeve që i bëja vetes.

Tashmë që e ke kaluar adoleshencën, e ke një histori dashurie tek e cila gjen forcë?

Po, jam e dashuruar, dhe kjo dashuri e ka emrin karrierë (qesh). Por nuk e kam një lidhje, se, edhe po të dua, nuk kam mjaftueshëm kohë.

 “Ja si është një moment romantik për mua”
 
 Janë artistët njerëzit më egoistë dhe të këqij, ke intuitën për t’i njohur shpejt?

Unë jam vetë artiste dhe, kur komplimentohet dikush, përdoret shprehja “Je si artist”. Por, nëse ka persona të këqij, ata ashtu kanë lindur dhe s’është çudi të jenë edhe mes njerëzve të artit. Unë vetë si tip nuk jam
shumë sociale, pasi dua të evitoj të tilla raste.

Kostoja e të qenët personazh publik?

Kur duhet të kesh frikë nga opinioni i të tjerëve, pasi shpesh bëhesh shënjestër e tyre.

Dashuria ndodh apo planifikohet?

Ndodh dhe po e pres të vijë. 

Mashkulli që dëshiron si duhet të jetë, sa vite më i madh se ti?

Ai duhet të lexojë shumë libra, pasi i dua shumë njerëzit me mendje të madhe. Por dua dhe siguri dhe besoj se do vijë koha që të kem partnerin që do ma japë këtë. Për sa i përket moshës, do e preferoja pesë vite më të
madh, pasi dua të ndjek modelin e prindërve të mi me 7 vite diferencë.

Ëndërron luksin apo jetën normale?

Më shumë një jetë të rehatshme, sepse jo gjithmonë luksi të fal lumturi.

Ke bukuri origjinale, do ndërhyje në pamjen tënde?

S’kam prekur asgjë në pamjen time dhe ndihem shumë mirë, pra e lindur me fat. Mua më pëlqen vetja kështu siç jam kur dal para pasqyrës. Jam 170 cm e gjatë dhe peshoj 53 kg. Kam vithet, gjoksin që dua, pra në
parametrat e duhur. Nuk jam femra delikate e dietave dhe nuk bëj palestër. Por mund të them se jam pro femrave që i kanë kthyer në trend ndërhyrjet fizike.

Një moment romantik për ty, si është?

Momenti romantik për mua është në gjysmerrësirë, me muzikë në sfond, me gotën e verës së kuqe, një qiri të ndezur, një libër dhe vetëm, jo me partner.

Femra ikonë që mendon se ka për sozi një shqiptare si ty?

Më pëlqeu kjo pyetje, por kam vënë re që nuk dua t’i ngjaj dikujt. Preferoj të ndërtoj veten dhe të kem identitetin tim kështu siç jam, pa i ngjasuar askujt.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura