“E përpunoi Mehmeti. Fiqreti më tregoi se…”, ish-kryehetuesi zbardh dosjen për arrestimin e Kadaresë: Ja çfarë dëshmoi Llambi Ziçishti

Aug 19, 2020 | 21:22
SHPËRNDAJE

pjimage (2)

Që akuza kundrejt Ismail Kadaresë të ishte e “mbështetur” dhe e “justifikuar”, duheshin edhe ca dëshmi për veprimtarinë e tij “armiqësore”.

Kanë qenë të shumtë personat nën hetim, që gjatë procesit hetimor janë pyetur edhe për Ismail Kadarenë. E ka dëshmuar këtë Visar Zhiti, Bashkim Shehu etj. ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme, gjatë dekadës së fundit të diktaturës komuniste, Qemal Lame, në librin e tij “Dritëhijet e kohës”, tregon se në vazhdën e përpjekjeve disavjeçare për të përfshirë shkrimtarin në “komplotin e madh” të Mehmet Shehut, ishte edhe procesi hetimor i ish-ministrit të Shëndetësisë Llambi Ziçishti.

Ndër të tjera, ai ka përmendur edhe emrin e Ismail Kadaresë. “Fiqreti më ka treguar se Ismail Kadareja ishte porositur që të godiste vijën e Partisë në letërsi dhe në art”, ka deklaruar Ziçishti. Sipas Lames, ky ka qenë një proces i falsifikuar.

“Dëshmia e Llambi Ziçishtit është edhe një dokument ku evidentohen qartë makinacionet që bëheshin nga Sigurimi i Shtetit dhe hetuesit e grupit të komplotit, në zbatim të udhëzimeve të dhëna direkt nga udhëheqja”, thotë ai.

QEMAL LAME

Përmbajtja e procesverbaleve të paraqitura si prova për fajësinë e Ismail Kadaresë ishte pothuajse e njëjtë në të gjitha thëniet e personave, të administruara si dëshmi për të bazuar ligjërisht, sipas kritereve procedurale, kërkesën me domosdoshmërinë për marrjen e vendimit për arrestim. Njohja, studimi dhe përfundimet e natyrshme që dalin ndihmojnë për t’u publikuar dhe demaskuar metodat e fshehta dhe të kundërligjshme që përdoreshin rëndom për të dënuar kundërshtarët politikë të rrezikshëm për regjimin e asaj kohe. Për këto përmasa të kundërligjshme është më tipike edhe dëshmia e Llambi Ziçishtit. Dokumentet procedurale për arrestim në vitin 1982 janë ruajtur dhe ripërsëritur edhe një herë në fshehtësi në vitin 1983. Pyetjet e të pandehurve pothuajse ishin të zhvilluara dhe të firmosura nga dy hetues. Më poshtë po publikojmë procesverbalin e vitit 1982. Ky dokument është i paligjshëm për këto arsye ligjore procedurale:kadare

Mungesë e objektivitetit të hetimeve, të imponimit, sugjestionimit të të pandehurit Llambi Ziçishti, i cili ka mbajtur qëndrim pohues dhe ka bashkëpunuar me punëtorët operativë dhe hetuesit.

Hetuesi Ferit Sula ka qenë hetues i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Llambi Ziçishti është evidentuar si i pyetur me cilësinë e të pandehurit në vitin 1982.

Në vitin 1983 është paraqitur një procesverbal i pyetjes së Llambi Ziçishtit me përmbajtje të njëjtë me atë të vitit 1982, me të vetmin ndryshim se pyetja ishte bërë nga dy hetues: Ferit Sula dhe Thoma Tutulani.qemal lame

Gjetja e njerëzve që mund të ndihmonin Sigurimin dhe do të pranonin të bashkëpunonin, duke dëshmuar legjendat e parapërgatitura për veprimtari armiqësore dhe si pjesëtar i “Komplotit të madh”, janë disa nga faktet që tregojnë për manipulimin e provave në hetimin e Komplotit dhe tentativën konkrete për arrestimin dhe dënimin, si një nga komplotistët, edhe të Ismail Kadaresë. Dëshmia e Llambi Ziçishtit është edhe një dokument ku evidentohen qartë makinacionet që bëheshin nga Sigurimi i Shtetit dhe hetuesit e grupit të komplotit, në zbatim të udhëzimeve të dhëna direkt nga udhëheqja. Edhe një herë tjetër del veprimtaria e këtij hetuesi që ka vepruar si vegël e bindur për të realizuar arrestimin e Ismail Kadaresë. Masat penale ndaj Ismail Kadaresë janë ndaluar për t’u zbatuar në çastet e fundit. Kjo veprimtari me përgjegjësi të rrezikshme për atë kohë është dokumentuar dhe diskutuar konkretisht, në rrjedhën e masave që pasuan:

Mendime për urdhrin për arrestimin e Ismail Kadaresë.qemal lame

Biseda me ministrin e Punëve të Brendshme.

Biseda me Ramiz Alinë.

Biseda me Enver Hoxhën.

PROCESVERBAL I PYETJES SË TË PANDEHURIT Tiranë, më 24.9.1982

Unë, Ferit Sula, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, rimora në pyetje të pandehurin Llambi Ziçishti.

Pyetje: Vazhdo i pandehur të shpjegosh se cilët janë personat e tjerë, që tradhtari Mehmet Shehu i ka marrë në shërbim të punës tuaj armiqësore.

Përgjigje: Mehmet Shehu, që drejtonte grupin tonë armiqësor, kishte parashikuar, që përveç sektorëve të tjerë, që unë kam shpjeguar më parë, të godiste vijën e Partisë edhe në art e letërsi. Kështu, në një nga bisedat e shumta armiqësore që kam bërë me Fiqret Shehun, kam mësuar se në këtë drejtim kishte përpunuar me detyra edhe Ismail Kadarenë. Konkretisht, për këtë person, unë do të shpjegoj ato gjera që më ka treguar Fiqret Shehu. Po bisedonim në një rast me Fiqret Shehun në shtëpinë e saj, për filmin shqiptar “Skëterrë ’43?, ku skenarist ishte djali i saj, Bashkim Shehu.

Fiqreti më tregoi se edhe Ismail Kadareja ishte prej kohësh në pozicion armiqësor. Përpunimin e tij, më tha ajo, e ka bërë Todi Lubonja, me të cilin Ismaili kishte shoqëri të ngushtë dhe pasi Todi Lubonja me Fadil Paçramin u zbuluan nga Partia për veprimtarinë e tyre kundër saj, Ismail Kadareja ishte marrë në mbrojtje nga Mehmet Shehu, duke e paraqitur Ismailin si viktimë të tyre.

Ky është momenti, më ka thënë Fiqret Shehu, që u shfrytëzua për ta vënë Ismail Kadarenë në shërbim të punës sonë. Pastaj Fiqreti më ka treguar se Ismail Kadareja ishte porositur që të godiste vijën e Partisë në letërsi dhe në art, duke shkruar tregime e romane me dy kuptime, nga njëra anë të dukej se mbronte e zbatonte vijën e Partisë, ndërsa nga ana tjetër, pa dalë hapur, ta godiste atë. Gjithashtu, Ismail Kadareja ishte ngarkuar që të punonte sa më shumë me shkrimtarët dhe artistët e rinj e gradualisht t’i përpunonte ata e duke bërë sa më shumë të tillë, të formonte një rrymë liberale disidentësh, që do të përdoreshin kur të vinte koha.

Mehmet dhe Fiqrete Shehu me Kadarene
Mehmet dhe Fiqrete Shehu me Kadarene

Për ta pasur më afër Ismail Kadarenë, më ka thënë Fiqret Shehu, është porositur djali i tyre Bashkim Shehu që të krijonte shoqëri të ngushtë me të dhe t’i justifikoheshin plotësisht hyrjet e daljet e tij të shpeshta në shtëpinë tonë.

Në një rast, më ka treguar ajo, kishte qenë edhe vetë e pranishme, kur Mehmet Shehu kishte biseduar me Ismail Kadarenë. Në këtë rast, Mehmeti e porositi Ismailin që të punonte me kujdes dhe të mos dilte hapur kundër vijës së Partisë, sepse kështu rrezikonte veten. Realizmit socialist, i tha Mehmeti, po i kalon koha dhe së shpejti do të vijë dita që shkrimtarët dhe artistët t’i shprehin gjërat hapur dhe pa ndrojtje, atëherë edhe letërsia e arti te ne do të përparojnë dhe do të pëlqehen edhe nga bota e jashtme. Kjo, i tha Ismailit Mehmet Shehu, do të bëhet kur të ndryshojë sistemi politik në Shqipëri. Këto janë disa nga momentet e veprimtarisë armiqësore, që më kujtohen se ka kryer Ismail Kadareja, për të cilat, siç shpjegova më sipër, m’i ka thënë Fiqret Shehu. Procesverbalin e shkrova vetë dhe thëniet i vërtetoj me firmën time.

Hetuesi FERIT SULA (firma)

I pandehuri LLAMBI ZIÇISHTI (firma)

Procesverbali i dëshmisë së dhënë nga Llambi Ziçishti botohet sipas origjinalit në dosjen hetimore dhe gjyqësore të komplotit të Mehmet Shehut.

Me përmbajtje të njëjtë janë edhe procesverbalet e pyetjes së:

-të pandehurës Fiqeret Shehu; -të pandehurit Skënder Shehu;

-të pandehurit Bashkim Shehu.

Në dosjen hetimore dhe dosjen agjenturore ndodhen edhe procesverbale të tjera, të cilat ishin hartuar sipas udhëzimeve konkrete të ardhura direkt nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia për përgatitjen e dokumenteve të arrestimit të Ismail kadaresë dhe personave të tjerë.

Kopja e procesverbalit të pyetjes së të pandehurit Llambi Ziçishti nga hetuesi Ferit Sula Kjo kopje i është dërguar Ramiz Alisë.

Pasi është njohur me këtë procesverbal, ai ka vënë shënimin e mëposhtëm:

Në faqen e parë, në pjesën e sipërme majtas, është shënimi me shkrimin dhe firmën origjinale nga vetë Ramiz Alia.

Në bazë të kritereve të Ligjit për administrimin e dokumenteve zyrtare dhe arshivimin, të Vendimit të Këshillit të Ministrave dhe të Rregullores së Administrimit të Dokumenteve Zyrtare të Partisë së Punës, përcaktohej procedura e dërgimit, marrjes, administrimit, njohjes, përdorimit dhe arkivimit.

Në bazë të këtyre rregullave ligjore dhe rregullave të brendshme në Komitetin Qendror të PPSH-së, dokumentet që i adresoheshin udhëheqjes protokolloheshin në sekretari dhe i paraqiteshin për t’i njohur direkt personit që i adresoheshin. Pasi e lexonte, ai dokumentonte njohjen me dokumentin me anë të shënimit që vendoste në pjesën e sipërme të dokumentit dhe e firmoste. Pas njohjes, dokumenti kthehej përsëri në arkiv. Në bazë të porosive të dhëna, merreshin porositë përkatëse për t’i zbatuar. Dokumentet e klasifikuara “sekret” ose “tepër sekret” që dërgoheshin nga Sigurimi i Shtetit, materiale të rëndësishme agjenturore, të zbulimit të brendshëm dhe të jashtëm, radiograme etj., që përgatiteshin nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme, që hartoheshin vetëm në një ekzemplar dhe kërkohej të ruhej me rreptësi sekreti i përmbajtjes së tyre, paraqiteshin në udhëheqje, që nënkuptonte vetëm Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror, dhe me porosi të tij, sekretarit për organet e diktaturës (rendit), duke iu dhënë personalisht atij dorazi nga ministri ose zëvendësministri, ose shifrani.

Këto dokumente mbeteshin në arkivin e organit që i kishte dërguar. Ndalohej njohja e këtyre dokumenteve nga persona të tjerë.

Procedura e administrimit dhe arkivimit të dokumenteve të punës agjenturore dhe të hetimeve me shumë rëndësi, si për grupet komplotiste, ishte edhe më i rreptë.

Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së jepte porosi me gojë dhe kërkonte përgjigje po me gojë vetëm nga ministri i Punëve të Brendshme, që ishte anëtar i Byrosë Politike.

Ministri i Punëve të Brendshme nuk linte shënime me shkrim. Në raste tepër të veçanta, kur vetë Sekretari i Parë i KQ-së së PPSH-së jepte porosi dhe kërkonte përgjigje me shkrim ose dokumentimin përkatës, siç ishin implikimet për veprimtari armiqësore, paraqitej dokumenti dhe ai shkruante porositë përkatëse.

Vetëm në raste shumë të veçanta, si për të dhëna dhe implikime me shumë rëndësi (si procesverbali i pyetjes së Llambi Ziçishtit), paraqitej dorazi dokumenti dhe vihej shënimi përkatës, siç është vepruar konkretisht.

Në janar të vitit 1990 Ramiz Alia filloi të kthejë mbrapsht në organin që i kishte dërguar të gjitha materialet “sekrete” dhe “tepër sekrete”, duke vënë vetëm firmën e tij. Kjo praktikë është zbatuar posaçërisht për dokumentet e Sigurimit të Shtetit dhe Hetuesisë.

Në bazë të kësaj praktike, Ramiz Alia është njohur me këtë procesverbal, ka vënë shënim dhe e ka nënshkruar.

Në pjesën e sipërme të dokumentit, majtas lexohet shkrimi me shënime dhe firmën e Ramiz Alisë: Sh. Zylyftar Në ruajtje Firma Rëndësia e këtij procesverbali dhe shënimi dokumenton:

-Pyetja e të pandehurit Llambi Ziçishti dhe evidentimi me shkrimin e tij ka pasur si qëllim që të përdorej si provë e rëndësishme ligjore.

-Përmbajtja është shkruar sipas porosisë së dhënë nga vetë udhëheqja.

-Shënimi i adresohet zëvendësministrit Zylyftar Ramizi, i cili kishte në drejtim edhe Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit për të gjetur dhe administruar të dhëna dhe prova të tjera për realizimin e goditjes së planifikuar në masat operative agjenturore.

-Fjala “në ruajtje” nënkupton depozitimin dhe përdorimin në kohën e përshtatshme të kësaj prove ligjore. (vijon)

LEXO EDHE:

Ekskluzive/ “Nuk e kam parë asnjëherë dosjen sekrete që thotë Qemal Lame”, kryeprokurori që drejtoi proceset më të bujshme të regjimit komunist: Për arrestimin e Kadaresë nuk…

“Kadaresë i ishte përgatitur arkivoli”, zbardhet ditari i ish-kreut të Hetuesisë. Zbulohet biseda mes Ramiz Alisë dhe Hekuran Isait: Është urdhër i Enverit, mos u mendo…

E vërteta e ndjekjes së Ismail Kadaresë/ “Shtrigat” dhe “Krokodili”, ish-kryehetuesi: Ç’përmbante dosja agjenturore. U asgjësuan në…

‘Të arrestohet! Mos veproni menjëherë!’, Ish-kryehetuesi Qemal Lame rrëfen telefonatat me Enverin e Ramizin për prangosjen e Kadaresë: Kur u dha urdhri, ish-diktatori porositi që…

“Atij qelbësirës i është rritur mendja”, Ish-kryehetuesi rrëfen takimin me Enverin dhe urdhrin që i dha për Kadarenë: Të shkojë në hale të gomarëve, deri javën tjetër…

Plani për eliminimin e Kadaresë/ Ilir Demalia reagon ndaj Qemal Lames: Instrument i paranojave të Enver Hoxhës. Pse ish-kryehetuesi është falsifikator

Ekskluzive/ “Me të tjerët në qeli, të hanë dhé”, rrëfimi i ish-kryehetuesit pas urdhrit të Enverit për prangosjen e Kadaresë: Ja dokumentet ku do mbështetej arrestimi, na kërkohej…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura