Dëshmia e kujdestares që keqtrajtoi jetimët: Ishte moment dobësie, hera e parë që e bëj

Jul 8, 2015 | 22:32
SHPËRNDAJE

UPDATE/“Kujdestarja Edvana Sulaj, arrestuar pas video skandalit të dhunimit të fëmijëve jetimë në Shkodër ka deklaruar në polici se ka qenë një moment dobësie, kur ajo ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës.

Foto nga video e dhunes

Ajo është mbrojtur me fjalët se nuk ka bërë asnjë veprim të ngjashëm në gati 20 vitet e punës në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër.

Sikurse është mësuar nga të dhënat e videos, më 20 qershor fëmijët kanë dalë në ambient lojërash jashtë institucionit.

Të bën përshtypje fakti, madje të duket e pabesueshme, se si veprime të tilla mund të kryhen nga dy kujdestare që kanë arsimin e lartë dhe kanë përvojë disavjeçare.

E arrestuara, jetime që 10 vjeç

Edvana Sulaj, 40-vjeçarja e arrestuar për keqtrajtim të fëmijëve të mitur të jetimores ku punonte, ishte rritur vetë jetime. Nga burime të afërta mësohet se në moshën 10 vjeçe, ajo ishte rritur pa nënë, pasi ajo kishte ndërruar jetë.

Kohët e fundit gjendja e saj psikologjike ishte në luhatje, kjo edhe si pasojë e një sëmundjeje prej së cilës vuante dhe që e kishte mësuar prej pak muajsh. Nuk dihet nëse drejtoresha e institucionit ku punonte Sulaj ishte në dijeni të situatës që po kalonte vartësja e saj.

U desh zbulimi nga kamerat e sigurisë së një biznesi për të mësuar se Edvana Sulaj vazhdonte të shkonte në punë dhe të ishte pranë fëmijëve, pavarësisht se ndoshta në këto kohë kishte nevojë vetë për ndihmë.

Kujdestari Albert Reka mësohet se vjen vetë nga Shtëpia e Fëmijëve Jetimë të qytetit të Shkodrës, madje ai ka qenë edhe drejtues i Shoqatës së Jetimëve në Shkodër

 

 ***

Policia ka ndaluar kujdestaren e jetimores në Shkodër, e cila shfaqet në një video duke dhunuar një të mitur. Ndalimi i saj është bërë me urdhër të Prokurorisë. Ndaj kujdestares tashmë rëndon akuza e keqtrajtimit të të miturve.

Ajo është identifikuar si Edvana Sulaj, 40 vjeçe, banuese në Shkodër. Po kështu, policia njofton se ka nisur procedimi penal edhe për Manjola Banishtën, 42 vjeçe, banuese në Shkodër dhe Albert Rekën, 32 vjeç, banues në Shkodër.

Ndalimi dhe procedimi i këtyre personave u bë pasi kanë keqtrajtuar një fëmijë të moshës rreth pesë vjeç, në shtëpinë e fëmijës, në jetimore në Shkodër.

 

Edukatorja ulur ne preherin e femijes, i cili qan me te madhe

Video është bërë publike fillimisht nga emisioni investigativ ‘Ca thu’, ne ‘Agon channel’ e më pas mori dhene në rrjetet sociale.  Në dy video shfaqet qartë një edukatore e cila dhunon në mënyrë çnjerëzore fëmijët e moshës 3-6 vjeç.

Edukatorja njëherë shfaqet duke dhunuar fëmijën dhe njëherë duke u ulur në prehrin e të voglit edhe pse ai vazhdon të qajë. Videoja eshte kapur nga nje kamera sigurie, nderkohe qe femijet kane qene ne kend lojerash.

Mbi kujdestaret rendojne akuzat e ‘shperdorimit te detyres’, dhunes dhe shkeljet te te drejtave te femijeve. 

Reagimi i ministrit Klosi 

Ministria e Punës dhe Mirëqënies Sociale ka nisur drejt Shkodres nje grup ekspertësh, psikologë dhe punonjësish socialë, të cilët do të bëjnë një vlerësim më të plotë të situatës.

“Pas publikimit në disa portale online të një video ku tregohej se si një punonjëse e Shtëpisë së Fëmijës Shkodër ushtronte dhunë pikërisht ndaj famijëve për të cilët kjo punonjëse paguhet për t’u kujdesur, Shërbimi Social Shtetëror mori vendimin për të shkarkuar menjëherë nga detyra punonjësit e përfshirë në këtë ngjarje të turpshme dhe për t’i kallëzuar ata penalisht me motivin e ushtrimit të dhunës ndaj fëmijës dhe neglizhimit të detyrës” thuhet në njoftimin për mediat të Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale.

Nisur nga rasti i rëndë në Shkodër, kreu i kësaj Ministrie Blendi Klosi ka urdhëruar ditën e sotme Shërbimin Social Shtetëror për të kontrolluar dhe vlerësuar menjëherë të gjithë stafin që përkujdeset për fëmijët në Shtëpitë e Fëmijës në rang Republike, pavarësisht asistencës sistematike që është dhënë në këtë drejtim nga ekspertët më të mirë vendas e të huaj përgjatë dy viteve të fundit.

Ministri Klosi i kërkon oganeve hetimore zbardhjen e menjëhershme të këtij akti skandaloz dhe organeve gjyqësore dënimin më shëmbullor të përgjegjësve për këtë akt të neveritshëm.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura