Bizneset gjermane: Klima për investime është përmirësuar

Apr 14, 2017 | 9:41
SHPËRNDAJE

Ekonomia në 2017- n është përmirësuar dhe vendi ofron mundësi më të mira për investim se një vit më parë, sipas vlerësimit të bizneseve gjermane. Shoqata gjermane e Tregtisë dhe Industrisë publikoi dje rezultatet e anketimit me kompanitë gjermane, ku 76% e të anketuarve pohonin se do të investonin sërish në Shqipëri.

Deutsc- Albaninische Wirtschaftskonferenz 8.7.2015, Tirana

Raporti me rezultatet e anketimit vlerëson se gatishmëria e biznesit për të investuar sërish në vend shënon rritje pozitive me 10 për qind krahasuar me 2016-n, ku 67 për qind e të anketuarve ishin të gatshëm të ktheheshin sërish për investime.

Për vlerësimin e Shqipërisë si vend për investime, pjesëmarrësit në anketim u pyetën mbi 20 faktorë, të cilët këtë vit janë vlerësuar pothuajse të gjithë me nota më të larta krahasuar me vitin 2016. Biznesi gjerman, si faktor kryesor që vlerëson me nota më të larta është kostoja e ulët e punës.

Por, nga ana tjetër, biznesi ka ulur gatishmërinë për të rritur numrin e të punësuarve. “Gatishmëria për rritjen e numrit të punonjësve ka rënë lehtësisht në krahasim me një vit më parë, ku 31% e të anketuarve janë të gatshëm të rrisin numrin e punonjësve, ku në 2016 ishin 35% të biznesit të rrisnin numrin e të punësuarve. Ndërkohë 62% e biznesit nuk planifikojnë ndryshime, kurse në 2016 ishin 55% e tyre që nuk donin të ndryshonin numrin e të punësuarve”, thuhet në raportin e shoqatës gjermane.

Pjesa më e madhe e kompanive ka vlerësuar veçanërisht situatën për vetë biznesin si më të mirë, krahasuar me një vit më parë. Sipas rezultateve të anketimit, më shumë se gjysma e të anketuarve i janë përgjigjur me “mirë” ose “kënaqshëm” pyetjes mbi situatën aktuale ekonomike në Shqipëri.

Rreth 39% e të anketuarve kanë pohuar se situata e tyre e biznesit është përmirësuar, ndërsa rreth 39% të tjerë kanë deklaruar se situata ka qëndruar e pandryshuar. Në 2016-n vetëm 28 për qind e biznesit pohoi për përmirësim të situatës së kompanisë. Për sa u përket pritshmërive të ekonomisë shqiptare, kompanitë shpresojnë në përmirësimin e situatës.

DORINA AZO/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura