Berisha: Ju largova me hu nga pushteti, Olsi Rama trafikon kokainë

Dec 23, 2016 | 10:53
SHPËRNDAJE

Ish-Kryeministri, Sali Berisha ka deklaruar nga salla e Kuvendit se vendi ynë nuk ka asnjë mundësi që të marrë hapjen e negociatave me BE-në. Berisha tha se kjo ka lidhje me largimin masiv të shqiptarëve dhe gjendjen e krimit në vend duke iu referuar lidhjes së zyrtarëve të lartë me kriminelë dhe kultivimin e lëndës narkotike.

“Nuk ka hapjen negociatash, harrojeni”, tha Berisha, i cili më tej ka lëshuar akuza të rënda ndaj Edi Ramës, vëllait të tij Olsi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Po ti je një kriminel i paskrupullt, ku ta denoncojë te ty dhe Edi Rama. Kjo është vepër e jotja dhe e Edi Ramës”, iu drejtua Berisha Tahirit.

“Olsi Rama, me makinën e Gentian Gjonajt është përfshirë në trafik kokaine. Kam pesë dalje kufiri me data”, tha Berisha.

Berisha foli për dhënie urdhri nga Rama për lirimin e Lulzim Berishës dhe gjithashtu tha se për takim të kreut të qeverisë me Emiljano Shullazin, para se ky i fundit të arrestohej.

Ndërhyrjeve të deputetëve të majtë nga vendi, Berisha iu përgjigj se i ka larguar me hu pasi erdhët në pushtet me dhunë.

“Erdhët në pushtet me dhunë, ju përzura me hu, huri është vota në këtë rast. Mos përmendi 1997 se është turpi juaj”, u shpreh Berisha.

Në fund, Berisha foli edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare duke thënë se nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër.

“Kurrë zgjedhje me të nuk mund të ketë. Një njeri që nuk bën zgjedhje në partinë e tij, një njeri që nuk lejon zgjedhje në partinë e tij, një njeri që nuk njeh kurrë votën, nuk mund të bëjë kurrë zgjedhje. T’i tregojmë vendin në mënyrë përfundimtare këtij balozi të krimit”, përfundoi Berisha,

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura