Ahmetaj: Rritja ekonomike në 2018 do të shkojë 4,2%

Jan 16, 2018 | 9:10
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha dje se rritja ekonomike në 2018-n parashikohet të arrijë 4,2 për qind. Ministri Ahmetaj tha se 2017 do të mbyllet me rritje ekonomike 3,9 për qind, e mbështetur nga konsumi privat, investimet dhe punësimi.

auto_arben-ahmetaj1475761956

“Ne po shkojmë në një rritje prej 4.2 % këtë vit, të planifikuar. Pra, në vitin 2018 ajo që është e rëndësishme është që rritja e vitit 2017 mendohet në 12-mujor të shkojë rreth 3.8-3.9 për qind, që, patjetër, është mbi nivelin e parashikuar qoftë nga qeveria shqiptare, qoftë nga Banka e Shqipërisë, qoftë nga FMN-ja, qoftë nga BB-ja, qoftë nga BERZH-i.

Pra, krahasimisht, të gjitha planifikimet e institucioneve, duke përfshirë edhe qeverinë, kanë qenë më të ulëta me rezultatin. 9-mujori është 3.87 për qind, pra 3.9 për qind dhe besojmë që tremujori i katërt, në natyrshmërinë e vet është një tremujor i mirë, qoftë për sektorët, qoftë për shpenzimet dhe besojmë që do ta konsolidojmë rritjen në 3.9 për qind, platformë shumë e mirë për kërcimin mbi 4 për qind në vitin 2018. Një krahasim vetëm të tremujorit të tretë”, tha Ahmetaj.

Për shifrat e tremujorit të tretë të 2017-s, ministri Ahmetaj tha se papunësia ka rënë në 13.6 për qind. Rënie ka shënuar edhe borxhi publik. “Ka tashmë dy vjet, që nga 2015, që kemi nisur trajektoren e konsoliduar të uljes së borxhit publik. 2017-a, me të dhëna operative, shkon në 71.5 % nga 72.4 % një vit më parë dhe ky është dhe planifikimi ndër vite i uljes së borxhit”, u shpreh Ahmetaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura