Zyrtare/ Amnistia për 220 mijë qytetarë nis nga 5 maji, përfitimet për pensionet e makinat

Apr 22, 2017 | 10:37
SHPËRNDAJE

Nga 8 maji nis falja e taksave për makinat, bizneset dhe gjobat e kontributeve për të punësuarit në qytet dhe fshat. Dje u botua në Fletoren Zyrtare ligji i amnistisë fiskale, i cili bëhet efektiv pas 15 ditësh.

rama-qeveri

Ligji fal detyrimet e papaguara për qytetarët e biznesin deri në dhjetor të 2010-s, ndërsa për periudhën 1 janar 2011 dhe dhjetor 2014 falen vetëm gjobat e kamatëvonesat në rast se shlyhet detyrimi.

Qytetarët kanë afat të përfitojnë nga amnistia deri më 31 dhjetor 2017. Në total, parashikohet të falen rreth 91 miliardë detyrime për 220 mijë qytetarë. Ministria e Financave ka gati udhëzimin që përcakton procedurat për nisjen e zbatimit të ligjit.

Amnistia përfshin faljen e taksave për 140 mijë pronarë makinash që rezultojnë debitorë para vitit 2010. Për ata pronarë që kërkojnë të mbajnë mjetin në qarkullim, duhet të paraqiten pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor të paguajnë taksat e periudhës 2011- 2014, ndërsa u falen gjobat.

Nëse qytetarët nuk paraqiten brenda 31 dhjetorit të 2017-s, makina do të çregjistrohet nga Drejtoria e Transportit Rrugor, ndërsa targa do t’i dërgohet Policisë së Shtetit për bllokim të mjetit. Udhëzimi i Ministrisë së Financave përcakton se listat me targat e mjeteve që përfitojnë nga amnistia do të publikohen në portalin “e-albania” dhe në drejtoritë rajonale të Drejtorisë së Transportit Rrugor.

Për këtë kategori falen në total rreth 12 miliardë lekë. Përfitues do të jenë edhe qytetarët që nuk kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku për periudhën para dhjetorit 2010 fshihen pa kusht të gjitha gjobat e gjeneruara nga mospagimi i taksës.

Ndërsa për periudhën 2011-2014 do të falen gjobat e kontributeve me kusht që të paguhen detyrimet. Për fermerët, amnistia fal gjobat e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore që nuk janë paguar për periudhën 1 janar 2011 deri në 31 dhjetor 2016. Biznesit do t’u fshihen taksat e papaguara në Tatime dhe Dogana deri në dhjetor të 2010-s.

Për periudhën janar 2011 deri në dhjetor 2014, ligji i fal biznesit vetëm gjobat dhe kamatëvonesat me kushtin nëse paguajnë të plotë detyrimin. Për shuarjen e detyrimeve, biznesi do të njoftohet online, ndërsa ka afat deri në fund të vitit të paguajë taksat për të përfituar nga falja e gjobave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura