Zgjedhjet për strukturat e LSI, voton Monika Kryemadhi: Maska? Vetëm partia ma mbledh, jo njeri tjetër! Shqiptarët s’i mund dot…

Nov 21, 2020 | 12:39
SHPËRNDAJE

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka folur për mediat pas votimit në zgjedhjet brenda partisë që do përcaktojnë strukturat drejtuese të kësaj force politike. 

Në një prononcim për mediat, ndërsa u pyet nga gazetarët lidhur me mbajtjen e maskës, Kryemadhi tha “vetëm partia ma mbledh dhe askush tjetër”, duke shtuar se shqiptarët nuk i mund as koronavirusi e as diktatura.

“Në fakt mesa duket partia ma mbledh, nuk ma mbledh dot njeri tjetër dhe unë prapë vazhdoj të mendoj se maska është një element që mbahet në ambiente të mbyllura, që njerëzit duhet ta mbajnë se besojnë dhe nuk duhet ta mbajnë se i kërcënojnë. Por mendoj që sot më shumë e rëndësishme është që t’u ofrojmë shqiptarëve optimizëm dhe forcë. Shqiptarët nuk i mund dot as koronavirusi, as diktatura e as varfëria, shqiptarët janë një popull që brenda vetës së tyre nuk kanë vetëm revoltën dhe forcën, por shqiptarët brenda vetes së tyre kanë dashurinë, solidaritetin dhe mbi të gjitha lidhjen dhe forcën më shumë për të pasur një familje të fortë dhe një element të cilin e kemi të domosdoshëm sot, vendin tonë”, tha ajo.

Kryemadhi e vlerësoi si të jashtëzakonshme pjesëmarrjen në ato që i cilësoi si votimet e para elektronike të një partie në Shqipëri, duke shtuar se LSI është e para parti që ka futur votimin një anëtar një votë, kuotat gjinore 50 për qind dhe përfshirjen e të rinjve në strukturat drejtuese.

“Sot unë dhashë si të gjithë anëtarët e tjerë të LSI. Ndjej kënaqësi që në listën për delegate shikoj shumë gra në listë, kanë ardhur vajza në LSI e janë bërë nëna, shoh edhe shumë të rinj. Garoj për t’u rikonfirmuar, por po pres me padurim zgjedhjen e ekipit drejtues që do dalë nga ky proces. Ekipi që do drejtojë LSI në misionin kombëtar për t’ju dhënë shqiptarëve punësim, arsim cilësor, ulje kosto jetese dhe cilësi. Fitorja e LSI do jetë e jashtëzakonshme, është fitorja e të rinjve dhe të rejave.

Doja të kisha një përgëzim për votimin online, që ka qenë i jashtëzakonshëm, edhe për shumë të rinj dhe të reja që janë në emigracion dhe do të kthehen. Jam i lumtur për ata të rinj që kanë pushtuar zyrat e LSI me një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe. Ekipi i LSI me studentët e LRI i kanë dhënë mesazh politikës shqiptare. Për të realizuar zgjedhje të lira do të thotë të duash vendin tënd. Rinia shqiptare jo vetëm është energjia, është zemra e popullit shqiptar”, u shpreh Kryemadhi.

PLATFORMA ONLINE

Duke folur për platformën online, Kryemadhi u shpreh se: “Ne jemi forca e parë politike faktikisht që kemi krijuar votimin elektronik, jemi të parët që kemi sjellë ‘një anëtar një votë’ që në vitin 2004. Jemi të parët që kemi krijuar kuotat gjinore ‘50 me 50’, pra 50 për qind të jenë gra dhe 50 për qind të jenë burra. Jemi të parët që kemi përfshirë në Statut 30 për qind të Lëvizjes Rinore për Integrim në strukturat drejtuese të LSI-së. Kështu që dhe ky votim online është një proces i domosdoshëm, është risi jo vetëm në jetën politike shqiptare, por edhe për funksionimin. Në kuadrin pandemisë ne e kishim të domosdoshme, por edhe në kuadrin e shumë të rinjve dhe të rejave për shkak të pandemisë, për shkak të pamundësisë që kanë ikur jashtë Shqipërisë, e kanë këtë mënyrë votimi online një mundësi për të qenë vendimmarrës. Edhe pse pjesa më e madhe e tyre më 25 prill do të kthehen për të votuar, sepse kjo gjë na dha shansin dhe mundësinë për tu strukturuar edhe njëherë nga fillimi, për të rikthyer edhe njëherë disa elementë, të cilat për shkak të pozicionimit, për shkak të pandemisë, për shkak të disa fatkeqësive natyrore që ndodhën në Shqipëri, njerëzit kishin humbur një lloj kontakti, një lloj lidhjeje”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura