Zgjedhje me zarfe në Akademinë e Shkencave, zbulohet e-maili: Hajde votoni para se të ikni!

May 26, 2016 | 8:36
SHPËRNDAJE

Prej vitesh, në Akademinë e Shkencave votohet me “zarfe”. Këtë praktikë, që nuk parashikohet në statut, e nxori në pah procesi më i fundit zgjedhor, i cili nuk ka kaluar pa zhurmë.

Nga vetë anëtarë të Akademisë këto zgjedhje janë konsideruar “antistatutore” dhe gjithë procesin “atentat juridik”. Gazeta “Panorama” disponon një e-mail drejtuar gjithë anëtarëve të Asamblesë, nga Sekretaria e Akademisë së Shkencave, që vërteton këtë pretendim.

Faksimile e e-mailit të Sekretarisë së Akademisë së Shkencave drejtuar akademikëve
Faksimile e e-mailit të Sekretarisë së Akademisë së Shkencave drejtuar akademikëve

Pra, që anëtarë të Akademisë mund të votojnë me zarf, edhe pse jetojnë në Shqipëri, por nuk e kanë të mundur të jenë në mbledhje për arsye të ndryshme. Sigurisht këtu përfshihet edhe ndonjë udhëtim jashtë vendit.

Sipas e-mailit drejtuar akademikëve, ata mund të votonin edhe përpara datës së përcaktuar për votim, në rast se nuk do të ndodheshin atë ditë në Tiranë.

“Në rast se Ju nuk do të jeni prezentë në datën e caktuar për votimin, të paraqiteni në Sekretarinë e Kryesisë për të kryer votimin e fshehtë, për arsye të kuorumit të nevojshëm për mbledhjen”, thuhet në këtë email.

Faktin se gjatë proceseve zgjedhore është votuar edhe me postë, nuk e mohon as Sekretari i Përgjithshëm i ASH, Vasil Tole, sipas të cilit, votimi përmes postës është gjetur si një mënyrë për t’u dhënë të drejtën të gjithë akademikëve të shprehin vullnetin e tyre me votë, edhe nëse ata nuk ndodhen fizikisht në Shqipëri.

Anetaret e Asamblese gjate votimit per akademiket
Anetaret e Asamblese gjate votimit per akademiket

Sipas tij, kjo është një e drejtë që e jep ligji dhe statuti. Tole do ta quante të kundraligjshme, nëse vota e akademikëve do të dekonspirohej. Sipas tij, ajo menaxhohet nga komisioni i zgjedhur për këtë proces, i cili ditën e votimit, pas thirrjes së emrave, fut fletën e pahapur të votimit në kuti, bashkë me votat e të pranishmëve.

KUORUMI NË DYSHIM

Në bazë të statutit, sipas Nenit 9, “Pranimi i anëtarëve të rregullt, i anëtarëve të përhershëm, i anëtarëve të asociuar dhe i anëtarëve të nderit bëhet nga Asambleja me votim të fshehtë.

Në mbledhje duhet të jenë të pranishëm jo më pak se ¾ e anëtarëve të saj. Për pranimin e anëtarëve të rinj të rregullt, të anëtarëve të përhershëm dhe të anëtarëve të rinj të asociuar kanë të drejtë vote të gjithë anëtarët e Asamblesë, sipas ligjit”.

Nga të dhënat e marra në Akademinë e Shkencave, nga 34 anëtarë me të drejtë vote, kanë votuar 32, prej të cilëve 7 anëtarë kanë votuar me zarf, pra, të pranishëm në sallë kanë qenë 25 anëtarë. Siç e përcakton edhe statuti, që të zhvillohej mbledhja duheshin ¾ e anëtarëve, të pranishëm në sallë. Matematikisht do të duheshin 25.5 anëtarë, por realisht 26 syresh.

Kështu që një hije dyshimi hidhet edhe në plotësimin e kuorumit. Megjithatë, Asambleja e ka konsideruar të plotësuar kuorumin dhe ka vijuar procesin, duke marrë parasysh edhe faktin që 7 anëtarë kishin votuar tashmë. Në fund, numri i votave të përgjithshme ka qenë 32, së bashku me votuesit me postë ose me zarf.

Disa prej tyre jetojnë jashtë vendit ose kanë qenë në konferenca ndërkombëtare, si në rastin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, Myzafer Korkuti, i cili ndodhej në një aktivitet, në Vjenë, dhe kthehej dje në Tiranë. Me zarf ka votuar edhe Xhevahir Spahiu, edhe pse jeton në Tiranë.

Akademikët që nuk ishin në sallë

Kanë votuar me zarf
Nazim Gruda
Arben Merkoçi
Bashkim Resuli
Xhevahir Spahiu
Muzafer Korkuti
Afërdita Veveçka
Arian Durrësi

Nuk votuan
Albert Doja
Artan Fuga

Të përjashtuar
Rexhep Meidani
Skënder Gjinushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura