Zelensky i “hap rrugën” martesave gay në Ukrainë, shkak numri i lartë i homos*ksualëve në ushtri

Aug 3, 2022 | 19:39
SHPËRNDAJE

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka hapur derën për legalizimin e partneriteteve civile të të njëjtit seks në vend, në përgjigje të një peticioni që bënte thirrje për futjen e martesës së barabartë në vendin e shkatërruar nga lufta.

zelensky

Në një përgjigje me shkrim në internet, Zelensky shpjegoi se do të ishte e pamundur të legalizoheshin martesat e të njëjtit seks, teksa vendi ishte në luftë, sepse do të kërkonte një ndryshim në kushtetutë.

Por ai tha se qeveria e tij kishte “përpunuar zgjidhje në lidhje me legalizimin e partneritetit civil të regjistruar në Ukrainë, si pjesë e punës për krijimin dhe garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”.

Thirrja për të lejuar martesën e të njëjtit seks është përshpejtuar nga lufta, për shkak të numrit të personave LGBTQ+ që shërbejnë në ushtri dhe mbrojtjeve më të mëdha ligjore që kanë civilët e martuar.

“Kodi i Familjes i Ukrainës përcakton se familja është njësia parësore dhe kryesore e shoqërisë. Një familje përbëhet nga persona që jetojnë së bashku, janë të lidhur nga jeta e përbashkët, si dhe kanë të drejta dhe detyrime të ndërsjella. Sipas Kushtetutës së Ukrainës, martesa bazohet me pëlqimin e lirë të një gruaje dhe një burri (neni 51),” shkroi Zelensky në faqen e internetit të Presidencës ukrainase.

“Kushtetuta e Ukrainës nuk mund të ndryshohet gjatë gjendjes ushtarake ose të jashtëzakonshme (neni 157 i Kushtetutës së Ukrainës),” shpjegoi ai.

Aktivistët LGBTQ+ marshuan në Kiev gjatë paradës së Krenarisë në qytet vitin e kaluar, duke kërkuar lejimin e martesave të së njëjtit sex.

Megjithatë, Zelensky tha se do të punonte me ministrat e tij për të “siguruar të drejtat dhe liritë” e të gjithë ukrainasve.

“Në botën moderne, niveli i shoqërisë demokratike matet, ndër të tjera, përmes politikës shtetërore që synon të garantojë të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët. Çdo qytetar është pjesë e pandashme e shoqërisë civile, ai ka të gjitha të drejtat dhe liritë e parashikuara në Kushtetutën e Ukrainës”, tha Zelensky.

“Të gjithë njerëzit janë të lirë dhe të barabartë në dinjitetin dhe të drejtat e tyre”, shtoi ai.

Zelensky falënderoi gjithashtu më shumë se 28,000 njerëzit që nënshkruan peticionin për “pozicionin e tyre aktiv qytetar”. Sipas ligjit të Ukrainës, Presidenti duhet të shqyrtojë peticionet që marrin më shumë se 25,000 nënshkrime.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura