Zbulohet raporti/ Skandali me tapitë dhe lejet e legalizimit, 24 milionë dollarë “gropë” në buxhet

Aug 12, 2017 | 15:54
SHPËRNDAJE

Puna e ALUIZNI-t në këto 4 vitet e fundit u duk një punë e kulluar. Jo pak besuan se procesi kishte hyrë në një rrjedhë normale dhe çdo gjë shkonte vaj, shkruan “Panorama”.

legalizimet

Por, problematikat e vërteta gëlonin “nën çati”. Bilanci 4-vjeçar ka nxjerrë në dritë parregullsitë që e kanë shoqëruar ecurinë e punës në këtë institucion. Sipas një raporti të hartuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, gropa financiare që Agjencia e Legalizimeve dhe Hipoteka, të dyja së bashku, i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm që kap vlerën e 2.4 miliardë lekëve.

“Në total, për periudhën 2013–2017, nga auditimet është konstatuar: një dëm ekonomik në vlerën 2,404,434 mijë lekë, janë rekomanduar 137 masa “largim nga puna”, 134 masa “vërejte deri në largim nga puna”, si dhe janë kallëzuar penalisht përkatësisht 196 punonjës dhe drejtues të ALUIZNIt dhe ZVRPP”, thuhet në raport.

Ajo që vihet re është se, ndërsa tek ALUIZNI fatura apo dëmi ekonomik i shkaktuar ka ardhur në rënie, te Hipoteka ka ndodhur krejt e kundërta. Nga auditimet e 2013-s, deri në 6-mujorin e parë të këtij viti, dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit ka ardhur në rritje. ALUIZNI Pothuajse gjysma e dëmit financiar që i është shkaktuar arkës së shtetit, i faturohet punës jo të mirë të ALUIZNIt.

Nga ky institucion, kostoja e humbjes përllogaritet rreth 1.1 miliardë lekë. Situata më e rënduar paraqitet në 2014, aty ku dëmi i regjistruar është edhe më i madh, duke kapur vlerën e rreth 6,8 milionë lekëve. Kjo përkon edhe me kohën e përgatitjes dhe miratimit të ndryshimeve ligjore. Pozitiv është fakti që pas kësaj situata ka ndryshuar për mirë, megjithatë problematikat nuk janë sheshuar plotësisht.

Mungesa e 1.1 miliardë lekëve në buxhet është një barrë e shtuar për pronarët e truallit, të cilët ende nuk kanë marrë atë që u takon për sipërfaqet që u janë zënë nga ndërtimet pa leje. Kujtojmë që ligji i legalizimeve parashikon që 70% e fondit të arkëtuar nga procesi i formalizimit të shkojë për pronarët e shpronësuar.

PROBLEMATIKAT

Nga mangësitë e hasura në dosje, deri te parregullsitë në legalizim duke dhënë leje legalizimi në zonat e mbrojtura, pranë kanaleve kulluese apo shtyllave të tensionit të lartë. Janë këto disa nga problematikat e konstatuara në 18 drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t nga KLSH-ja.

Në raport thuhet se janë dhënë leje në afërsi të rrugëve nacionale, pra nuk janë respektuar distancat e parashikuara në Kodin Rrugor. Më tej akoma, qytetarët rezultojnë të jenë pajisur me leje legalizimi, pa u marrë më parë konfirmimi nga njësia e qeverisjes vendore për shlyerjen e faturës së llogaritur për taksën e ndikimit në infrastrukturë. Por, kjo nuk është e gjitha.

Sipas KLSH-së, ALUIZNI sot nuk disponon të dhëna të sakta mbi numrin e ndërtimeve që skualifikohen nga procesi. Pavarësisht se janë raportuar rreth 1400 të tilla, shifra rezulton të jetë më e lartë. Sakaq, janë rreth 17 mijë dosje që u janë ndërprerë procedurat e legalizimit në kundërshtim me ligjin, vetëm me pretendimin se janë dublikate.

PROBLEMATIKAT TEK ALUIZNI

Mosadministrimi i të dhënave të sakta mbi vetëdeklarimet në vite

Nga auditimi i të dhënave në Drejtorinë e Përgjithshme u konstatua se nga shuma totale e vetëdeklarimeve, gjithsej 463196 objekte, rezultojnë 17000 objekte të kualifikuara nga drejtoritë rajonale, por të papajisura me leje legalizimi, duke u ndërprerë procedurat e legalizimit në mënyrë të padokumentuar dhe në kundërshtim me ligjin.

• Mosevidentimi i subjekteve që do të përjashtohen nga procedurat e legalizimit

• Pajisja me leje legalizimi pa paguar më parë taksën e ndikimit në infrastrukturë Në kualifikimin e objekteve informale, kanë dërguar pranë bashkive në rang qarku vetëm shkresën për llogaritjen e pagesës për taksën e ndikimit në infrastrukturë, pa marrë konfirmim mbi pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë për dalje me vendim kualifikimi, duke krijuar një mungesë të konsiderueshme të ardhurash në buxhetin e shtetit

• Mosrespektimi i afateve ligjore për procedurat e kualifikimit

• Në dosje nuk disponohet dokumentacioni që pasqyron periudhën e ndërtimit pa leje

• Legalizimi i objekteve pa respektuar distancat nga brigjet

• Legalizimi i objekteve pranë kanaleve kulluese dhe brezit mbrojtës

• Legalizimi i objekteve pa respektuar distancat nga rrugët nacionale e urbane

• Legalizimi i objekteve pranë linjave dhe shtyllave të tensionit të lartë

• Ndryshimi i zërit kadastral pa marrë më parë konfirmimin nga autoritetet kompetente

• Legalizimi i objekteve në zonat arkeologjike dhe zonat e mbrojtura mjedisore

• Legalizimi i objekteve në truall me statusin e territorit publik

ADA HAZIZOLLI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura