Rrëfimet/ Golloborda e Gegëria, orekset bullgare dhe serbomalazeze në territorin arbnor! Autoriteti që Ismail Qemali i dha Aqif Pashës, kishte nën administrimin e tij…

Apr 29, 2024 | 13:52
SHPËRNDAJE

PROF DR. FATMIR TERZIU/ Pas disa ditësh në festimin e 110-vjetorit të themelimit të shkollës 9-vjeçare “10 Dëshmorët” të Trebishtit, Gollobordë, pritet të marrin pjesë edhe zyrtarë krahas atyre që janë ulur dhe ende ulen në bangat e një shkolle që u hap njëherazi me atë të Peshkopisë.

Aqif Pashë Elbasani1

Ishte koha kur Aqif Pasha, Guvernatori i Elbasanit, i cili i kishte nën administrimin e tij të gjithë këto fshatra me urdhër të Presidentit të Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, Ismail Qemal Beut. William Willard Howard, sekretar i “Komiteti i Ndihmave” të Kryqit të Kuq të SHBA (The Relief Committee) sqaron se Aqif Pasha[1] ishte jo thjesht një Kryetar i Elbasanit, por ai kishte tërë autoritetin dhe forcën të menaxhonte territorin e tij shqiptar të Gollobordës, gjë që ai e konsideronte pjesë të zonës së tij qeverisëse. Gjithashtu, mes bisedës së Hoëard dhe Aqif Pashës mësojmë se Golloborda dhe Gegëria, që ndahen nga Lumi Shkumbin, rrezikohen nga orekset bullgare dhe serbo-malazeze. Kështu një zonë e braktisur dhe në një pikë nevralgjike natyrshëm kërkonte ndihmën, por dhe shkollën. Dhe shkolla hapi dyert, sikurse dihet…

Historia e emrave që e zanafillën këtë shkollë është tashmë në shkrime, në refleksione, në libra e në memorie, po aq sa dhe ajo që dihet e duhet sqaruar më tej. Por shkolla është vetëm një pikë në tërë atë që kërkon sot e mot ajo zonë, rruga që ka përshkuar në tërësinë jetike, ndaj dhe nuk u ndala pasi shumë gjëra janë thënë e stërthënë me emra që flasin e fliten, duke thënë herë meritoren e herë atë që na vjen si shkas për ta stërthënë. Enigmat e tjera janë pjesë e një debati të madh, që faktohet në ditët që jetojmë, ku lëvizja e lirë për arsye të ditura ka bërë që shkolla së pari të mos e ketë më atë numër që ka pasur disa dekada më parë, dhe fshati, po ashtu dhe zona të reduktohet në banorë. Gjithkush e di se pika ku mbaron fjalia është Lëvizja e Lirë. Dhe në këtë pikë të gjithë jemi dakord. Po kohët me një lëvizje të tillë e me të tjera të detyruara si duhet ti kuptojmë deri në një të vërtetë të pranueshme?

***

Shekuj më parë një kryeprift kallogre, një poet shëtitës i kohës, personifikoi Gurin dhe Zjarrin dhe i bëri ata të flasin në vargje të paharrueshme, duke futur me mend me afirmime dhe kundërshtime të konkurrimit estetik midis tyre, etikën e tyre të kundërt dhe të mirat dhe përfitimet që secili i ka i dhënë njerëzimit mes produktit të bardhësisë. Ky dialog tipologjik nga prifti kallogre, ribotoi në lavdi jo vetëm të emrit të tij, por të Kishës së vogël të Kallogjerit, fama e së cilës mbështetet ekskluzivisht mbi atë të transmetimit gjenial të rrëfenjave të bashkëjetesës së kohërave dhe të çdo lloj mënyre vargu të huazuar, ngjallës të produktit që largonte kolerën, pastërtinë, digjte të gjitha mikrobet dhe problemet e padiktueshme me ikjen e njeriut.

Ndoshta polemika e famshme e imagjinuar nga poeti kalimtar mund të shërbejë si një precedent letrar për të më lejuar tani të personifikoj kohën e errët dhe tymin e zi, dhe t’i lëmë ata, nën maskën e një legjende, të mbështesin meritat e ikura bashkë me erërat dhe kohërat e fraqta, duke mbetur jo thjesht tek gjuha që rrodhi, por tek kënga që kënduan mbi bazën e tekstin “në tokën Arbërore”. “E ndërsa vesa binte në tokën Arbërore”, sipas tekstit të poetit kalimtar, produkti i bardhësisë jepte rezultatin e një kohe kur vdekja vinte nga e padukshmja, kështu gëlqerja që vinte nga alegoria poetike e djegies së gurit dhe tymit të zi, në lutjet e kryepriftit kallogre tashmë krijonte emrin tek i cili mblidhej Jeta, Njeriu, Familja. Por, duke ndjerë gjithnjë se diçka ka munguar, siç gjej unë, ndoshta jo edhe tek autoriteti i kalimtares, qoftë si prifti e poeti kalimtar, për të ngjallur krijesa të fantazisë dhe t’u japë atyre pasione njerëzore dhe domethënie mbinjerëzore, gjithçka që mund të bëj është të përcaktoj, në prozë të çuditshme, kontrastet e mahnitshme që kam vërejtur në qasjet dhe rrëfimet e ndryshme historike dhe produkte gojore të transmetuara, mbi të cilat mbështetet historia kulturore e Gollobordës.

Këto kontraste nuk janë as fetare dhe as morale, siç ishin ato të rimuara nga prifti kallogre dhe kalimtari poet midis zhdukjeve mëkatare të njeriut dhe shpresave prej Gurit dhe përkoreve të Zjarrit pastrues, në ekzistencën e qëndrueshmërinë e Tokës, emrit dhe vetë Jetës. Guri dhe Zjarri janë kundër njëri-tjetrit në aspektin ekonomik, ashtu si në fushën sociale dhe kulturore, pasi guri në atë zonë ishte një nga arsyet e jetës, lidhej me fatin dhe vetë zanatin e Njeriut Usta, dhe Zjarri frika e ardhur nga pushtuesi që vinte, digjte në zjarr jetën dhe tërë produktin e një jete, madje edhe moralistët me rreng të ngushtë i kanë marrë ata në shqyrtim gjatë historisë së tyre, duke e parë si një, edhe me mosbesimin, edhe tjetrin e debatueshëm, me favorin. Për më tepër, paralelizmi i kundërt midis gurit dhe zjarrit është kurioz, si ai mes dy personazheve në dialogun rrëfimtar, se ai shkon përtej kufijve të një problemi thjesht kulturor e shoqëror dhe prek pjesët e poezisë. Një poet mund të jetë në gjendje të na japë në mënyrë të fortë dallesën midis gurit dhe zjarrit në kuptim tjetër, ku aspekti kulturor i referohet faktit të tokës, pasi gurët janë produkte të tokës, ku njerëzit janë duke luftuar për jetën dhe ekzistencën dhe zjarri me gurët është një marrëdhënie e lidhur me jetiken e vetë jetës. Ky lloj kompozicioni i dialoguar i cili bart dialektin dramatik të jetës në sferën e artit gjithmonë ka qenë i preferuari i muzave popullore të ngjizura në poezi, muzikë, valle, këngë dhe dramë. Shembujt e shquar të kësaj në Gollobordë janë lutjet antifonale të liturgjive të dy grupeve që karaktorizohen mes kësaj si qëndresë dhe ikje e vendasve dhe të tjerat me kalimtarët dhe misionarët e ardhëqëllimtarët, pikën më nevralgjike të sfumuar nga vetë guri dhe zjarri, që i përket asaj arbërore të palexuar, por të diktuar e rrëfyer duke u shuar dhe kalimtares së shkruar në gjuhë të huaj.

Një baladë popullore tipike, ose një nga ato poezitë e stanzës dhjetë rreshta në rrjedhën e këngëve, kundërshtarët e së cilës ishin protagonistët mashkullorë të diktuar si parësorë e të privilegjuar nga pushtuesi dhe aspektet femërore të vëna në një hapësirë tregu dhe dialektike inferiore, mund të jenë me vlerë edukative në shoqëri dhe dasma, sikurse ndodh mes tekstit të këngëve, sepse në studimin e fenomeneve kulturore dhe efektet e tyre sociale do të ishte e vështirë të gjesh mësime më elokuente, sesa ato që jep Ballkani në kohë dakordësish, për vetë kundërpeshën befasuese midis gurit dhe zjarrit. Kjo është vetëm tek kënga më e detajuar, “Shtatëdhjetë e dy ditë me radhë”, por ndoshta jo tek e vetmja, pasi morali qaset si një hapësirë gjeografike më e madhe, kur flitet për një kontrast kaq të domosdoshëm për ta kuptuar, sikurse do ta sqarojmë.

Kontrasti midis gurit dhe zjarrit në folklor daton nga momenti kur të dy u mblodhën në mendjet e zbuluesve të produktit të bardhë, gëlqere (var). Në kohën e pushtimit të kësaj treve në territorin Arbëror, në shekujt që trazuan gjuhërat, nga okupimet që sollën civilizimin e Evropës në Botën e Re, mendja e këtyre pushtuesve ishte nga ana tjetër e maleve dhe kodrave, ngase kishin fiksuar tashmë lakminë territoriale duke parë bardhësinë e gurëve, produktin tjetër që dilte prej tyre, me të cilën njeriu i atyre anëve realizonte bardhësinë e shtëpive, po aq dhe talentin e të qenit usta që nga lindja (faktet dihen-zanati i ustait trashëgohej). Lakmitarët, tashmë menduan se kishte ardhur çmimi më i mahnitshëm i zbulimit, një lak i fuqishëm i shqisave si me një lloj të ri prosperiteti, mendja me një mister të ri, shpirtin me një mëkat të ri në mësymjen e tyre brenda bardhësisë. Dy gjetjet, gur dhe zjarr, që prodhonin bardhësinë i bënë të shtojnë kërshërinë e tyre territoriale, po aq sa dhe produkti i tokës së pasur në ushqim e malet e mbushura, i bënë këta të iknin e vinin me armën e tyre të shuarjes së jetës mes zjarrit, si shpagim i mosbindjes.

Jashtë këtyre synimeve territoriale, oreksi shtoi dhe zgjerimin e produktit të tokës së artë që për kohën ishte dhe një arsye më shumë të fiksohej si një interes ekonomik, të bëhej histori e re, të ritregohej fati i gurit dhe zjarrit odave që prisnin e përcillnin tashmë frikën dhe pasigurinë e jetës. Guri dhe zjarri mbetën kështu dy gjëra kryesore në jetëudhën e njeriut të kësaj treve.

Të dy tashmë nuk ishin si shkas të vetmit e një zone, nuk ishin as dhe zbulimet e para, pasi qytetërimet kishin shkuar përtej tyre, por në kohë-hapësirën e ndodhur ishin më shumë se sa një arsye. E kështu mes gurit që digjej e zjarrit që përvëlonte, kishte filluar ndryshimi i një bote. Një botë që kishte trazuar vetë rrjedhën e saj. Gjuha në këto raste vinte e bëhej plot mëkate. Digjte rrjedhën e saj, digjte e përfundonte në varre, bashkë me fatet e të parëve.

Guri dhe zjarri janë të dyja prodhime të gjetjes së arsyeshme që seleksionohet, përpunohet dhe qaset për delektimin e kulturave që i konsumojnë në mënyrë estetike për shtëpitë që gjithnjë kanë qenë syri dhe vëmendja e ustait të kësaj zone dhe elementit femëror, që e donte bardhësinë, pastërtinë, shëndetin dhe bukurinë në shtëpitë që dallonin tashmë nga të tjerët. Për më tepër, në prodhimin e produktit të lindur prej gurit dhe zjarrit me produktin që në fakt kishte përdorim të dyfishtë, shëndetësor dhe estetik, të katër faktorët janë të pranishëm: toka, riprodhimi primitiv, puna dhe paraja, kombinimet e ndryshme të të cilave përbëjnë historinë e këtij produkti, që u ngjiz si gëlqere, një nga elementët më të rëndësishëm, pas vetë grurit, baltës, rërës dhe drurit në një proces të ngritjes estetike të një banese. Por që nga momenti i shkuljes së tyre nga toka, deri në formëzimin e fundit të gurit e produktit të fundit të vënies në shërbim të obligimit njerëzor, si produkt i tij pas zjarrit, gëlqerja, vetvetiu sillen në mënyra gati se gjithmonë kundërshtojnë rrënjësisht lidhjen me zjarrin. Shtëpitë janë të tilla pas së gjithave, por kur zjarri dhe zjarrvënësi nuk kanë arsyen e dhimbjes, natyrisht kundërshtia shkon përtej dhimbjes në të gjitha rrëfenjat, këngët e rrjedhat. Në këtë kornizë të ardhur nga rrëfenjat guri i skalitur në duart e ustait e mbajti zjarrin në shpirt, në zemër e në tërë udhën e tij të ecjes jetike. Sakaq ustai forcoi dashurinë me gurin.

Të ndërmarrësh një studim të tillë në një kohë kur Komisioni i Ligjeve të Parlamentit të Shqipërisë ka miratuar tashmë ligjin “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”[2], në të cilin ka përcaktuar se minoritetet në Shqipëri janë nëntë, përfshirë dhe pakicën bullgare, të cilësuar si të tillë popullsinë e fshatrave të zonës së Gollobordës, (që është brenda truallit shqiptar) natyrisht shtohen akoma më shumë vështirësitë. Ashtu sikurse vështirësi të  tilla ka pasur dhe më parë, ashtu sikurse problematika e këtyre vështirësive gjithnjë ka lënë në mes të gjitha iniciativat, studimet, ndërmarrjet e mirëfillta studimore në të gjitha kohërat dhe për të gjitha mendimet dhe idetë e bazuara në atë që ka ardhur si e thënë apo e folur në ditët tona mes gjuhës. Ndaj që në krye të herës dua ta them atë që është thelbësore në këtë studim, atë që më detyron të forcojë bindjen time personale se të thuash atë që është realitet, atë që mendon personalisht dhe që e bazon në mjaft fakte të ardhura deri në ditët tona, nuk është thjesht angazhim, nuk është domosdoshmëri për debat, as edhe ndonjë kundërvënie mendimeve të tjera, por një detyrë të cilën duhet ta bëjnë mjaft të tjerë, qofshin nga ajo zonë, apo që kanë arsye të tjera me atë trevë historikisht të njohur, po aq dhe në kuadrin e mendimit të lirë dhe kontributit aq të domosdoshëm për të larguar sadopak errësirat e shekujve.

Në këto errësira sot, ndryshe nga ato që hodhën mirëfilli synimet e duhura, është mjaft lehtë të manipulohen më së shumti, pasi lëvizja e lirë, demokracia, zgjedhja personale, e drejta dhe mjaft të tjera, që shkojnë deri tek përditësia dhe ekonomia, deri tek motivimi me një pasaportë, apo më shumë se kaq, mund të provojnë se errësira është dritë, dhe me këtë dritë të tillë, në mjaft raste verbuese, pa e kuptuar shtohet më së shumti ajo që të paktën kishte mbetur si e tillë e mbuluar, dhe e hutuar në ndasi, përbuzje, zhdërvjelltësi dhe sinonime të tjera për një zonë mjaft të begatë, punëtore e duarartë, që përditë e më shumë sot po zhvishet e po shpopullohet masivisht. Ndodh që në këtë errësirë të quajtur dritë të mbesin edhe mjaft gjëra të tjera, që akoma më shumë e largojnë fatin e kësaj zone nga rrjedhat e gjyshit, stërgjyshit e vetë origjinës në fakt.

Por ky studim, sikurse e thamë, është një ndërmarrje personale disavjeçare, një qasje e mendimeve dhe fakteve toponimike të mbledhura, pos shpjegimeve që vijnë nga aspektet e njeriut, qoftë në gëzim, apo hidhërim, qoftë mes lotëve të gëzimit dhe qoftë mes atyre të vajtimit, qoftë mes arsyeve të tjera, ku jeta ka rrjedhur në ecurinë e saj shekujve të mbuluar nga dheu dhe gurët, atyre shekujve ku shuhej jeta e të parëve të kësaj zone bashkë me emrat e tyre të largët e me gurët e bashllagëve të varreve që u flasin mbi kokë me gjuhëra të tjera, se e folura tretej bashkë me frymën. Por, sikurse dihet dhe pranohet gjithnjë është më mirë të synohet dritë në rrugëtimin e të parëve, në fatet e shkruara prej tyre, edhe pse gjuha e folur, ajo që ka mbetur ka një rrjedhë të vetën[3].

Është më mirë të përfundosh te gjyshi dhe stërgjyshi, se sa të mbartësh mbi supe fatet e ngulura me forcë, toponimet me gjuhërat që të ka ngarkuar pushtuesi për breza të tërë. Ajo që rrjedh nga ilirët dhe pellazgët, mbart më vete, edhe dëshira, edhe mjaft detyrime që të hapet si një kapitull më vete në historinë e kësaj treve të lënë në harresë, jashtë synimeve të caktuara. Jam i sigurt që të gjithë e dinë mirë, që popujt për shkaqe të ndryshme përgjatë kohërave kanë lëvizur. Lëvizjet dhe pushtimet kanë sjellë ndryshime, jo vetëm në konstrukt, por dhe në A.D.N. Për shembull, Anglezët e sotëm janë të trazuar me romakët dhe fiset gjermane; francezët me algjerianët, turqit u shkëputën nga mongolët; që të mos e zgjas, popujt kudo në botë kanë pësuar ndryshime në A.D.N. Midis tyre dhe shqiptarët, të cilët kanë qenë të pushtuar për shekuj të tërë nga romakët, turqit, sllavët, etj. Po ashtu dhe banorët e kësaj treve, që kanë qenë të pushtuar për shekuj të tërë jo vetëm nga të gjithë, çfarë u sqarua më lartë, por dhe nga vet bullgarët. Atëherë, sa gjak të pastër ka mbetur në genin e popullsisë së Ballkanit?! Dhe pse të tjerët duhet të përjashtohen ka ky evolucion njerëzor?! Pra, dua të them, se sot është e vështirë të gjesh popuj me A.D.N.-në e dëshirave të duhura, ndoshta dhe aq sa për të mbushur librat me financime të shumta. Njerëzit e teorisë së gjakut të pastër për mendimin tim, dashur pa dashur e vendosin veten ndaj bindjeve naziste.

Se kush janë banorët e një zone të tillë në derivatin e origjinës dhe në diskursin e gjuhës, apo dhe të dygjuhësisë, gjithashtu dhe përsëri për mendimin tim, mund dhe s’mund të përcaktohet nga gjuha që flet dhe shkruan, ndërtimet dhe shenjat e lashta që e rrethojnë aty ku jeton dhe gurët e shkruar nëntokë e mbi tokë. Këta komponentë popullit të kësaj zone, nuk i mungojnë, kur vjen fjala e këngëve të mbetura që edhe në gjuhën e grave dygjuhëfolëse[4] këndohet dhe faktohet se “Rosa rosit vo arbanoshka zemja…” (vesa veson në tokën arbërore…)[5], por i mungon dëshmia e shkruar, i mungon madje mjaft arsyeja e gjuhëve të shumta mbi këta gurë, i mungon, ajo që të tjerët në shekuj e bënë sipas rrethanave të tyre për të nxjerrë në pah “origjinën” dhe mbi të gjitha dhe “dominimin” e dëshirave të hershme të shtrirjes masive territoriale. Ndërsa ekzistojnë toponimet, dhe shumica e tyre flasin në gjuhët sllave, natyrshëm theksi shkon përshtat teorive që banorët e kësaj zone i përcaktojnë, sipas orekseve të këtyre gjuhë-studiuesve, në një parcelë studimore mbajnë origjinë maqedonase, dhe në tjetrën bullgare, ndërsa toponimet më së shumti janë një përzierje anormale mes gjuhëve të ndryshme sllave, ose në mjaft raste zhargone me ose pa kuptim të saktë, por që mbartin dëshmitë gojore të rrëfimeve, legjendave, miteve.

____________________

[1] Në prill të 1913 me largimin e trupave serbe nga qyteti, Ismail Qemali e emëroi prefekt të Elbasanit, detyrë të cilën e ushtroi derisa më 1914 u emërua ministër i Brendshëm dhe i Luftës në periudhën e Princ Vidit.

[2] Profesor Kristo Frashëri ka deklaruar se “Në kuadrin e kartës së OKB, theksoi historiani Frashëri, ortodoksit e zonës së Gollobordës mbi bazën e vullnetit të tyre kanë të drejtën të vetdeklarojnë shtetësinë dhe kombësinë e tyre. Vetëm një gjë duhet patur mirë para sysh se toka e Gollobordës është tokë shqiptare dhe për mbrojtjen e saj nga pushtuesit serbë dhe bullgarë kanë dhënë jetën shumë patriotë të kësaj zone, kanë vdekur edhe gra e fëmijë.” (Frashëri, 2012).

[3] Akademik Veselin Hadjinikolov: Ndikime të ndryshme ndikuan edhe në gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj. Shqiptarët prej kohësh kanë folur dhe shkruar në përkatësisht shqip, italisht, greqisht dhe sllavisht. Nga shekulli XII deri në XV, popullsia shqiptare në perëndim ndjeu ndikim kulturor italian, dhe në lindje – grek dhe bullgar.

[4] Sadikaj, H. (1999) Krahina e Gollobordës gjatë shekujve të XIXIII tek “Gollobordasit e sotëm”. Tiranë: “Marin Barleti”; faqja 72.

[5] Komentuar dhe nga A. Çadri si: “Një shembull në këtë drejtim paraqet edhe krahina e Gurabardhës, ku megjithëse flitet gjuha sllave, burrat mbajnë kostumin shqiptar, ku bie në sy veçanërisht mbajtja masive e qeleshes së bardhë, ndërsa gratë nëpër dasma këndojnë në sllavisht këngën “Rosa rosit vo arbanoshka zemja” (vesa po veson në tokën arbërore), pra ato pohojne? se jetojnë në Arbëri.” Gazeta “Rruga e Arbërit”, shtator 2014. Fq 19.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura