Zbulohet korrespondenca/ Letra që djali i Mehmet Shehut i dërgonte Enverit në janar ’82

Mar 9, 2015 | 13:53
SHPËRNDAJE

Pak ditë pas tragjendisë së të atit, arrestimit të nënës dhe vëllezërve, Vladimir Shehu, djali i madh i ish-kryeministrit më jetëgjatë të regjimit komunist, ka kërkuar të komunikojë me Enver Hoxhën për të sqaruar pozitën e vet në raport me historinë e përfolur të familjes Shehu.

Faksimile e letres

Në letrën e vetme që i ka shkuar njeriut më të fuqishëm të Shqipërisë komuniste, më 4 janar të vitit 1982, Ladi, siç i flisnin shkurt, ish-kryeinxhinierin e URT-së Durrës, mundohet të sjellë argumenta për të provuar se ai dhe familja e tij “nuk janë përlyer në veprimtarinë armiqësore të tradhtarëve të Partisë Mehmet e Fiqret Shehu”.

Në përbetimin e tyre, Vladimir e Fatbardha Shehu, njëherazi me “solidarizimin pa rezerva kundër veprës antiparti të prindërve”, përbetohen për besnikëri të lartë ndaj vijës së Partisë dhe mësimeve të Enverit. Një distancim i detyruar ky në rrethanat e kohës, ku për arsye mbijetese ndodhte paradoksalisht që fëmija mohonte prindërit dhe prindërit mohonin fëmijën. Rasti i djalit të ish-kryeministrit është ndër më të spikaturit jo vetëm për statusin e veçantë të protagonistit, si pjesë e ish-nomenklaturës së regjimit, por më së shumti për mënyrën si vetërrëfehet kjo dramë e jashtëzakonshme.

“Ne ishim pjesë e tyre, shkruan në letrën e tij Vladimir Shehu, sa kohë Mehmeti e Fiqretja ishin pjesë e revolucionit. Na mësonte dikur babai, shton ai, s’mjafton të jesh revolucionar vetëm në mëngjes, por nga mëngjesi deri në darkë. Ndodhi që ai së bashku me Fiqiret Shehun nuk mbetën revolucionarë deri në darkë, por aty nga mbrëmja devijuan nga rruga e revolucionit duke u futur në batakun e veprimtarisë armiqësore.” Po çfarë shkruan tjetër në letrën për Hoxhën i biri i Mehemt Shehut dhe çfarë përgjigje i kthen ky i fundit? Më poshtë teksi i plotë i korrespondencës Shehu-Hoxha…

I DASHUR SHOKU ENVER

Me anë të kësaj letre dëshirojmë t’ju shprehim dënimin e plotë dhe pa rezerva të veprimtarisë armiqësore të tradhtarëve të Partisë, Mehmet e Fiqret Shehu, solidarizimin e plotë me letrën Tuaj drejtuar gjithë komunistëve për vijën e Partisë dhe me politikën e saj për luftën e klasave. Gjithashtu, dëshirojmë t’i shprehim falënderimet më të thella Partisë dhe juve personalisht, për diferencimin që bëtë midis nesh dhe pjesëtarëve të tjerë të ish-familjes sonë të përlyer në veprimtari armiqësore.

Veprimtaria e rrezikshme armiqësore e Mehmet dhe Fiqret Shehut, e cila qëndron në veprime që godasin rëndë vijën e Partisë për luftën e klasave, në orvatjen për krijimin e dy vijave në Parti dhe me synimin përfundimtar për të marrë një ditë në dorë drejtimin e Partisë, veprimtari që u zbulua dhe u demaskua nga Byroja Politike dhe nga Ju, dënohet plotësisht nga ne, ashtu sikurse nga komunistët dhe populli shqiptar.

Kaq e kaq herë kemi dëgjuar nga goja e Mehmet Shehut një shprehje të tillë: S’mjafton të jesh revolucionar vetëm në mëngjes. Duhet të jesh i tillë nga mëngjesi deri në darkë. Pikërisht ky njeri së bashku me Fiqret Shehun nuk ditën të jenë revolucionarë deri në darkë dhe aty nga mbrëmja devijuan nga rruga e revolucionit duke u futur në batakun e veprimtarisë armiqësore.

Mehmet Shehu, i cili gjatë luftës dhe më vonë është shquar për zhvillimin me ashpërsi të luftës së klasave, arriti t’i bëjë armikut të klasës koncesionin më të madh, të lidhë krushqi me të. Ashtu siç e shprehni Ju në letrën drejtuar gjithë komunistëve, ky nuk ishte një veprim “sentimental dhe i nxituar”. Ky ishte një veprim me domethënie të madhe politike, i cili minonte politikën e Partisë për luftën e klasave, do të çonte në krijimin e dy vijave në Parti. Por Partia nuk ka lejuar dhe nuk lejon asnjë të veprojë në kundërshtim me normat dhe parimet e saj. Ndërhyrja Juaj e drejtpërdrejtë për këtë çështje ishte shpëtimtare për mbrojtjen e vijës së Partisë, por ishte njëkohësisht dhe një ndihmë e paçmuar që i jepej Mehmet Shehut. Ai nuk e vlerësoi këtë ndihmë dhe vazhdoi në qëndrimin dhe veprimet armiqësore.

Veçanërisht i rëndë dhe armiqësor është akti i vetëvrasjes, i kryer nga Mehmet Shehu. Ai veproi si një armik i popullit e i Partisë, duke e mbyllur jetën me turp, duke i fshehur Partisë planet e tij të mbrapshta, pa pasur as kurajën të dëgjonte fjalën Tuaj. Mehmet Shehu zgjodhi rrugën e armikut e të tradhtarit dhe jo atë të komunistit që ka forcë dhe kurajë t’i njohë gabimet e tij, t’i luftojë e t’i korrigjojë ato.

Biseda me Ju më datën 25 shtator ishte një bisedë më se atërore, të cilën nuk do ta harrojmë për gjithë jetën. Ju u përpoqët ta ndihmonit Mehmet Shehun dhe në aspektin njerëzor, duke na këshilluar t’i rrimë pranë në situatën që po kalonte. Si këtë ndihmë, edhe ndihmën që Ju i keni dhënë për t’u thelluar në gabimet e tij, ashtu siç e theksoni në letrën drejtuar komunistëve, Mehmet Shehu nuk diti t’i vlerësonte. Sedra e sëmurë e çoi në aktin armiqësor të vetëvrasjes në vend që ta çonte drejt autokritikës së çiltër komuniste.

Letra Juaj zbulon thelbin e veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut dhe shkaqet e kësaj veprimtarie. Ashtu si të gjithë komunistët dhe populli shqiptar, edhe ne solidarizohemi plotësisht me letrën.

Fiqret Shehu si komuniste e vjetër dhe shoqe lufte e pune, në vend që t’i frenonte shfaqjet e mendjemadhësisë dhe mbivlerësimit të vetvetes nga ana e Mehmet Shehut, të cilat e çuan më vonë në veprimtari armiqësore, në vend që ta këshillonte dhe të kërkonte edhe ndihmën e Partisë, përkundrazi, u solidarizua plotësisht me të. Ajo është përgjegjëse para Partisë për tolerimin e shfaqjeve dhe sjelljeve të Bashkim Shehut dhe të së shoqes dhe për solidarizimin me Mehmet Shehun për lidhjen e krushqisë me armikun e klasës.

Ne të dy, së bashku me vajzën kemi jetuar rreth njëmbëdhjetë vjet në Durrës, larg familjes së Mehmet Shehut. Kemi punuar me ndershmëri dhe me pasion dhe jemi përpjekur të bëjmë një jetesë të thjeshtë, në përputhje me normat e moralit tonë komunist. Nuk pretendojmë se jemi pa gabime dhe jemi të larë nga përgjegjësia për çka ndodhi në familjen e Mehmet Shehut. Përkundrazi, ne kemi gabime të rënda dhe për këto gabime njëri nga ne, Vladimiri, u përjashtua nga radhët e Partisë. Gabimet tona qëndrojnë kryesisht në mungesën e shpirtit luftarak për t’i mbrojtur pikëpamjet tona lidhur me shfaqjet e huaja që ndodhnin në familjen e Mehmet Shehut, me të cilat ne nuk pajtoheshim dhe në mungesën e vigjilencës revolucionare për të mos besuar me sy mbyllur në verifikimin dhe vlerësimin që mund t’i kishte bërë Mehmet Shehu përbërjes klasore të familjes me të cilën lidhi krushqi. Ne do të luftojmë që këto gabime të rënda t’ia shlyejmë Partisë me punë të palodhur e të pakursyer. Shkaqet e gabimeve tona, me sa jemi në gjendje të gjykojmë, qëndrojnë në mosthellimin sa duhet në mësimet e Partisë dhe Tuajat për çështje të rëndë- sishme si lufta kundër indiferentizmit, zhvillimi i shpirtit luftarak revolucionar të komunistit dhe mprehja e vigjilencës revolucionare.

Dëshirojmë t’ju shprehim falënderimet tona më të thella për diferencimin që u bë ndaj nesh. Këtë ndihmë dhe interesim nuk do të jemi në gjendje t’jua shpërblejmë gjatë gjithë jetës. Ne ju jemi borxhlinj me gjakun tonë dhe të fëmijëve tanë. Ju falënderojmë nga zemra, veçanërisht për interesimin e posaçëm që treguat ndaj nesh në ditët pas aktit të vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Ky interesim na mbush me forcë e me optimizëm për të punuar pa kursyer asgjë për t’ia shpërblyer Partisë dhe për të shlyer gabimet që kemi kryer ndaj saj. Është dora që na jep Partia dhe Ju personalisht, pikërisht në një rast të tillë gabimi, ajo që na mbush me ndjenjë mirënjohjeje dhe optimizmi të pafund. Edhe pse jashtë Partisë, ne jemi bij besnikë të saj, të gatshëm për të sakrifikuar çdo gjë për mbrojtjen e vijës së Partisë. Ju premtojmë se ne do t’i shlyejmë gabimet tona.

Për sa i përket qëndrimit ndaj pjesëtarëve të familjes së Mehmet Shehut, ndarja me ta është çështje parimore. Çështja në këtë rast shtrohet: O me Partinë, o me armikun! Ne jemi me Partinë dhe s’kemi të bëjmë me ata njerëz. Edhe një herë, Ju premtojmë se do të punojmë me të gjitha forcat duke dhënë po ta lypë nevoja edhe jetën për ndërtimin e socializmit dhe për mbrojtjen e vijës së Partisë. Ju kërkojmë ndjesë për bezdinë që po ju shkaktojmë në këto momente, kur Ju jeni i zënë me shumë punë të mëdha të Partisë e të Shtetit. Me respekt Vladimir e Fatbardha Shehu Tiranë, më 4.1.1982.

Afrim Imaj

Enveri: Më vjen keq për çupën e Tanush Shytit

Ndryshe nga çfarë ndodhte me morinë e letrave që i adresoheshin Enver Hoxhës pas vetëvrasjes enigmatike të kryeministrit komunist, me të cilat merrej një sektor i veçantë në KQ, ajo e Vladimir Shehut, djalit të këtij të fundit, ka mbërritur në tavolinën e kreut të regjimit me interesimin e drejtpërdrejtë të tij.

Madje, Hoxha nuk është mjaftuar vetëm me shuarjen e kuriozitetit se çfarë rezervonte i biri i ish- bashkëpunëtorit më të afërt të tij, por, pasi e ka lexuar ka bërë shënimet e veta në krye të letrës, nëpërmjet të cilave porosit Ramiz Alinë për vijën e sjelljes ndaj autorit të saj.

“Të vazhdohet të bëhet diferencimi, shkruan Hoxha, në rast se nuk vërtetohet ndonjë veprimtari armiqësore speciale për Vladimir Shehun. Sa për gruan e tij, çupën e Tanush Shytit, për atë më vjen keq që i ndodhi kjo dhe pikërisht për këtë dhe fëmijët e saj them që të bëhet diferencimi, në konditat të përmendura më lart. Enver, 8.1.82.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura