Xhani Shqerra “rrëmbehet” nga producentët italianë për një program me pasanikë: Së shpejti do më shihni në…

Feb 23, 2020 | 19:21
SHPËRNDAJE

Në një intervistë për një media lokale të qytetit të tij të lindjes, Elbasanit, moderatori Xhani Shqerra ka zbuluar se së shpejti do ta shohim në një media italiane.

Ai do të ketë rolin e prezantuesit në një emision, i cili do t’i dedikohet stilit të jetesës dhe pasanikëve, njësoj si programet e tij në Shqipëri.

“Gjatë muajve prill–maj do të xhiroj në Itali programin që do të jepet në një media kombëtare italiane”, ka rrëfyer Xhani.

Për “Panorama Plus”, ai zbuloi se për cilin televizion italian bëhet fjalë.

“Do më shihni në Mediaset”, tha ai duke i rezervuar detajet e projektit për një moment tjetër. Programi, i cili do të xhirohet në pranverë, do të nisë transmetimin në sezonin e ri televiziv, në muajin shtator.

Xhani është njohës i mirë i kulturës italiane, pasi ka studiuar dhe jetuar për disa vite në Itali, ku ka provuar karrierën si model dhe këngëtar, ndaj kjo e bën rikthimin e tij më të thjeshtë.

Në një intervistë të fundit për “Panorama Plus”, moderatori i “Bel mondo” rrëfeu detajet nga intervistat e tij në vila e jahte me njerëz të pasur dhe të pushtetshëm. Me eksperiencën e tij televizive në Shqipëri, Xhani i ka provuar të gjitha, duke filluar nga moda, muzika e kërcimi dhe ka ndaluar në terrenin ku ecën i sigurt, botën e televizionit.

Aventurat rreth kronikave të tij nga Shqipëria deri në Amerikën Latine ku ka arritur të shkojë, Xhani i përkufizoi: “Një mision! Për mua është një kërkim për të sjellë në pak minuta televizive anën tonë më të bukur, elegante, shpresëdhënëse. E bukura frymëzon, edukon, të pasuron.”

Pyetjeve të tilla si, “Ç’të shtyn të fokusohesh tek energjia pozitive dhe a beson se e mira do t’ia dalë më shumë se e keqja të tërheqë vëmendjen në ekran?”, ai u përgjigjet: “Jo vetëm në ekran, në çdo moment të ditës sonë duhet të tërhiqemi nga pozitivja, nga e bukura. E vërteta me siguri ka shumë anë, edhe interpretime po ashtu, por vizioni mbetet një. Ekrani ynë pasqyron sigurisht jetën tonë të përditshme, por mendoj se shqiptarëve iu është hyrë shumë në hak dhe nuk iu është treguar ana e tyre më e mirë. E bukura nuk është risi në kulturën tonë, madje me plot bindje them se jemi një ndër vendet dhe popujt më të bukur në botë, duke pasur parasysh edhe raportin popullsi-territor. Duhet të mësojmë të tërhiqemi pak më shumë nga e bukura, ta njohim më shumë njëri-tjetrin dhe të promovojmë vlerat tona, duke u bërë njësh”.

A mendon Xhani se paraja i ndryshon njerëzit? Në këndvështrimin tënd, a kanë shpirt të pasurit?

“Është një pjesë e pashmangshme, pasi të lexosh të bukurën te luksi është shumë e thjeshtë, e bën kushdo… Po ashtu, na jep mundësinë të ëndërrojmë. Por në ‘Bel mondo’ kam mësuar se nuk është i pasur ai që zotëron jahte, por kapiteni i saj, ai që e dashuron punën e tij, ka investuar shumë në formim, e njeh mjetin e tij në çdo pjesë, punon me pasion përballë çdo sfide dhe ia del mbanë. Ky është shpirti më i bukur dhe këtë përpiqem të transmetoj edhe në ekran,”- tha ai.

Nga vilat luksoze në jahtet e shtrenjta, kë do të zgjidhte për të jetuar apo lundruar?

“Të tregohem i sinqertë, luksin e tepërt nuk e pëlqej. Vjen dita e dytë e ndihem i lodhur, aspak komod. Mos të harrojmë se jemi rritur në një vend shumë të thjeshtë dhe të varfër. Sado të pjekim përvojat tona, të rrisim të ardhurat apo eksperiencat, nuk jemi ende gati për të jetuar në ato ujëra. E shijoj, sigurisht, por me dozat e duhura. Mbase nipërit e mi do ta duan më shumë se unë luksin, ndërsa unë sot i gëzohem edhe një çadre, barbeques në mal apo kanoes. Dhe më besoni, pas 3 orësh ngjitjeje në mal, këto të duken vërtet një luks”, u shpreh moderatori i “Bel mondo”, të cilin këtë sezon të ri do ta shohim në Mediaset. /Panoramaplus.al

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura