Vrau 4 nxënës të gjimnazit në Miçigan, gjykata amerikane vendos garanci 1 mln dollarë për lirimin me kusht të prindërve të autorit 15-vjeçar

Dec 4, 2021 | 21:53
SHPËRNDAJE

Gjykatësja caktoi shumën prej 1 milion dollarësh të garancisë financiare në këmbim të gjykimit në liri, për prindërit e adoleshentit nga Miçigani, i cili akuzohet për vrasjen e katër nxënësve në shkollën e mesme të Oksfordit, disa orë pasi policia tha se i kishte arrestuar ata në një ndërtesë tregtare, ku ata po fshiheshin.

ethan-crumbley

James dhe Jennifer Crumbley, të përlotur, u deklaruan të pafajshëm për secilën nga katër akuzat për vrasje pa paramendim gjatë një seance dëgjimore vrituale të shtunën. Gjyqtarja Julie Nicholson caktoi masën e garancisë financiare prej 500,000 dollarësh për secilin prej prindërve dhe njoftoi masa të tjera si monitorimin tyre me pajisje të sistemit global të navigimit, GPS, duke rënë dakord me prokurorët se ata përbënin rrezik arratisjeje.

Avokatët mbrojtës të çiftit Crumbley thanë të shtunën se klientët e tyre nuk kishin për qëllim të arratiseshin dhe se kishin bërë plane të takoheshin me avokatët herët në mëngjes.

Policia në shtetin e Miçiganit njoftoi më herë se kishte arrestuar prindërit e një adoleshenti, ndaj të cilit janë ngritur katër akuza për vrasje të shkallës së parë, me armë zjarri, në një shkollë të mesme.

Policia njoftoi se Jennifer dhe James Crumbley, u arrestuan të shtunën herët në mëngjes në Detroid.

Prokuroria kishte ngritur akuza për vrasje paparamendim ndaj prindërve të 15 vjeçarit lidhur me ngjarjen në shkollë. Por ata nuk u paraqitën në gjykatë të premten, duke bërë që policia të lëshonte një urdhër-arresti.

Prindërit e adeleshentit akuzohen për vrasje paparamendim, injorim të shenjave paralajmëruese lidhur me ngjarjen në shkollë si dhe mbi qasjen që i kishin siguruar djalit të tyre tek arma me të cilët ai dyshohet se kreu vrasjet.

Agjencia Associated Press njoftoi se avokatja e çiftit, Shannon Smith, u ka thënë autoriteteve se ata ishin larguar nga qyteti në fillim të javës, për arsye sigurie.

Autoritetet kishin vendosur një shpërblim prej 10,000 dollarësh për këdo që jepte informacion mbi vendndodhjen e tyre.

Djali i çiftit Crumbley, 15-vjeçari Ethan Crumbley, dyshohet se ka hapur zjarr në shkollën e mesme Oksford, në qytetin me të njëjtin emër në shtetin e Miçiganit, duke vrarë katër nxënës dhe duke plagosur shtatë persona të tjerë.

Prokurorët thanë se Ethan Crumbley kishte shfaqur disa shenja paralajmëruese. Ai kishte vizatuar një pistoletë e gjak, duke shkruar gjithashtu ‘gjak kudo’ dhe ‘mendimet nuk po më ndalen, më ndihmo’.

Prokurorët thanë gjithashtu se një mësues e kishte parë adoleshentin duke kërkuar në internet për municione, në telefonin e tij, dhe se kishte njoftuar stafin drejtues të shkollës.

Prindërit e adoleshentit, James dhe Jennifer Crumbley, ishin thirrur në shkollë disa orë para sulmit me armë, por aurtoritetet thanë se ata nuk kishin pranuar ta merrnin atë me vete në shtëpi./ Marrë nga VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura