Vrasja e rojës së kazinosë, gruaja e të arrestuarit: Burri nuk është vrasësi

Nov 1, 2012 | 17:31
SHPËRNDAJE
Viktima Et’hem Hëna

KORÇE- Albana Kodralli, mohon që bashkëshorti i saj 35-vjeçar, të jetë vrasësi i rojes së lojrave të fatit, E’hem Hëna. Ajo ka kërkuar nga policia që të gjejë autorin e vërtetë të vrasjes, pasi sipas saj, nuk ka qenë bashkëshorti i saj, Edison Kodralli vrasësi.  Zonja Kodralli është shprehur se natën e krimit, bashkëshorti i saj ka qenë në shtëpi.

Ndërkohë, policia e Korçës është shprehur se vrasja e rojës së lokalit të lojërave të fatit është kryer nga një klient që humbi 150 mijë lekë.

Sipas saj, ka prova të forta se autori është Edison Kodralli, 35 vjeç, i arrestuar mëngjesin e djeshëm në fshatin Vloçisht, ku banon dhe familja e viktimës.

Autori ka qenë frekuentues i rregullt i lojërave të fatit dhe vetëm përgjatë muajit tetor ka humbur në këtë lokal një shumë prej 150 mijë lekësh. Po të njëjtat burime thonë se një ditë para se të vriste Hënën, autori ka humbur rreth 9 mijë lekë, çka ka sjellë dhe planifikimin e krimit.

Numri i sotëm i Panoramës duke iu referuar burimeve brenda grupit hetimor  shkruna se edhe autori po ashtu nuk e ka pranuar krimin.

“Nuk e kam bërë unë këtë vrasje. Vërtet unë shkoja në atë lokal dhe kam luajtur si shumë persona të tjerë, por nuk jam konfliktuar dhe as nuk i kam qëlluar askujt. Nuk kam lidhje fare me këtë ngjarje dhe nuk e di pse akuzohem pikërisht unë”, ka deklaruar pas shoqërimit në komisariat autori 35-vjeçar.  Policia ndërkaq është në kërkim të armës së krimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura