“Kryeministri s’i mban dot pishën vartësve që abuzojnë”- Rama ashpërson tonet: S’duhet t’i gëzojnë paratë e vilat e bëra me korrupsion! Të përballen me drejtësinë dhe mekanizmat e kontrollit

May 7, 2024 | 11:48
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se është e pakuptimtë, sipas tij, që kreu i qeverisë, ministrat apo kryebashkiakët t’i mbajnë pishën vartëve të tyre. Sipas Ramës, nëse do të provonin ta bënin këtë, do të duhej të shpërdoronin detyrën duke futur hundët në procedura e procese që ligjërisht që janë të pavarura prej tyre.

Edi Rama-mbledhja-grupi-PS-socialistet-ministrat-qeveria-mbledhja-grupi-vendimi-rama-korrupsioni-Partia-Socialiste (12)

“Përgjegjës para ligjit janë personat e autorizuar. Kjo s’do të thotë aspak që personat e autorizuar mund të bëjnë korrupsion duke menduar se nuk i kontrollon askush, edhe duke shpresuar se nuk do ti bjerë radha që të shkojnë para drejtësisë”, u shpreh Rama, duke ashpërsuar tonet.

Kreu i qeverisë u shpreh se s’duhet ti gëzojë paratë e vilat e bëra me korrupsion.

Edi Rama: E pakuptimtë fare pastaj është dhe ideja që kryeministri, ministri, kryetari i bashkisë duhet t’i mbajnë pishën tërë vartësve të tyre dhe duhet të dinë çdo gjë sepse në fakt, nëse do të provonin të bënin këtë do duhet të shpërdoronin detyrën duke futur hundët në procedura dhe procese që ligjërisht janë të pavarura prej tyre dhe për të cilat, përgjegjës para ligjit janë vetëm personat e autorizuar.

Kjo nuk do të thotë aspak se personat e autorizuar mund të bëjnë ç’të duan dhe të bëjnë dhe korrupsion duke menduar se nuk i kontrollon askush dhe duke shpresuar që nuk do t’i bjerë radha të shkojnë përpara drejtësisë.

Po ashtu, kjo nuk do të thotë as që vetëm drejtësia e ndan këtë punë dhe kush kapet, kapet dhe kush nuk kapet le t’i gëzojë paratë dhe vilat e bëra me korrupsion. Kjo do të thotë që përpara sesa t’i vijë radha drejtësisë, korrupsioni duhet të përballet me sisteme mbrojtjeje, mekanizma kontrolli, filtra transparence për të cilat kemi bërë përpjekje të mëdha dhe progres domethënës në këto vite.

Thashë që për t’i ngritur më tej këto sisteme, mekanizma e filtra do të shërbejë pa masë procesi i negociatave dhe futja përfundimtare e legjislacionit tonë në shtratin e legjislacionit të Bashkimit Europian.

Shtrirja kapilare e digjitalizimit të shërbimeve publike dhe ngritja e sistemeve inovative të ankesave janë shembulli më domethënës për të gjithë shqiptarët i, pikërisht, ngritjes së një sistemi mbrojtjeje të atyre vetë nga virusi i korrupsionit endemik që prekte këdo, kudo, gjithnjë kur ne morëm detyrën.

Përgjatë gjithë spektrit të shërbimeve publike, si për qytetarët dhe për bizneset është bërë një revolucion i vërtetë në ofrimin e shërbimeve dhe fuqia e korrupsionit ka rënë në mënyrë shumë domethënëse. Sot, 95% e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset kryhen nga celulari apo kompjuteri, që do të thotë konkretisht, vitin e kaluar shteti ka dhënë 13,2 milionë shërbime përmes portalit e-albania. E thënë ndryshe, janë shmangur 13,2 milionë ecejake, qëndrime në radhë, kontakte fizike me punonjësit e shtetit të cilat deri dje ishin kontakte infektive me virusin e korrupsionit.

Sot po përfundon dhe epoka e zymtë “ik te ajo zyra atje, hajde tek kjo zyra këtu, shko tek zyra tjetër dhe pastaj dhe tek tjetra që të plotësosh dokumentet për të marrë një shërbim”, sepse sot dokumentet për qytetarin dhe biznesin aplikues ka filluar t’i gjenerojë vetë baza elektronike e të dhënave shtetërore ku 61 sisteme për 68% të fushave të shërbimeve e bëjnë vetë të gjithë mbledhjen e dokumenteve që deri dje qytetarët dhe bizneset duhet ta bënin duke bredhur dhe duke paguar.

32 sisteme të tjera janë në fazën e përfundimit dhe të futjes në veprim dhe vitin e shkuar janë regjistruar 271 milionë veprime të bazës së dhënave për llogari të qytetarëve dhe bizneseve që përndryshe do të ishin 271 milionë dhimbje koke, siç ishin deri dje.

Së shpejti, asistenti virtual i e-albania që ka hyrë në veprim falë Inteligjencës artificiale do të futet në punë në versionin e ri me zë dhe me figurë dhe do t’i kryejë ai ose ajo, varet se cilin ose cilën do të zgjedhin aplikuesit për asistencë, të gjitha ato procese që sot aplikuesi i bën vetë, duke shkruar.

Shqipëria është cilësuar nga OECD, SIGMA dhe Komisioni Europian si një ndër shtetet në vijën e parë për plotësimin e standarteve të qeverisjes elektronike dhe parandalimin e korrupsionit dhe uljen e informalitetit përmes shërbimeve publike digjitale. Atëherë, çfarë mund të vihet në diskutim këtu për këtë progres domethënës?

Patjetër që nuk mjafton por që është dita me natën me ku ishim dhe që në këtë drejtim e kemi sprapsur në mënyrë të konsiderueshme korrupsionin e kudondodhur, këtë balta politike dhe ujerat e zeza mediatike mund ta mbulojnë sa shosha diellin, por, thënë kjo, unë i siguroj të gjithë ata që na dëgjojnë se jam shumë i vetëdijshëm se pa përfunduar dhe mbyllur të gjithë ciklin e Kadastrës në celularë dhe kompjuterin personal, këtij progresi i mungon arritja më e madhe dhe ky është vetëm një shembull që kur them kemi ende shumë për të bërë nuk bëj retorikë, por di dhe çfarë pikërisht duhet të bëjmë akoma për Shqipërinë e 2030.

Le të marrim një tjetër fushë ku hidhet shumë baltë politike dhe derdhen shumë ujëra të zeza mediatike për ta helmuar përditë miletin me idenë se çdo tender është një vjedhje, se prokurimet publike janë një farsë, se çdo fond publik bëhet para në dyshekë dhe kthehet në vila për të korruptuarit.

Dokumenti i diagnozës së detajuar të Komisionit Europian, procesi screening për Shqipërinë, vlerëson zhvillimet pozitive që ka sjellë shkalla e lartë e përafrimit në Bashkimit Europian dhe përdorimi i sistemeve elektronike në prokurim publik.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura