“Kemi llum brenda shtëpisë tonë”- Rama: Llogaridhënia është institucionale! Mua do më duhej të mbaja një përgjegjësi të madhe nëse…

May 7, 2024 | 11:27
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama tha se ai dhe forca politike që drejton nuk do të komentojë asnjë vendim të SPAK, pasi sipas tij secilin mban përgjegjësi personale para ligjit, ndërsa tha se llogaridhënia është institucionale.

Në fjalën e tij para deputetëve socialistë, por edhe kabinetit qeveritar, Rama tha se problem i madh do të ishte nëse kjo drejtësi do të godiste vetëm kundërshtarët dhe jo anëtarët e qeverisë së tij.

Kryeministri foli edhe për rastin kur ai personalisht do të duhej të mbante përgjegjësi morale.

Edi Rama: Ata, historia e këtyre 30 viteve i njeh si dhunues të roleve dhe të misioneve të tyre, qoftë në politikë dhe qoftë dhe në media, ku sipas interesit bëjnë konstruktivin, bëjnë destruktivin, bëjnë avokatin, bëjnë prokurorin  dhe pastaj bëjnë gjykatësin dhe fajësojnë dhe shfajësojnë, jo bazuar mbi moralin, as mbi të vërtetën, por vetëm  mbi thirrjen e brendshme të unit antishtet.

Kjo është një perçe morale që shfaqet përmes këtyre zëdhënësve të minorancës ulëritëse sa herë vepron drejtësia dhe nuk ja zgjeron në fakt, por ja ngushton frymëmarrjen përpjekjes së madhe morale për pavarësimin e drejtësisë dhe shtetëbërjen demokratike. Fatkeqësisht pre e daulleve të tyre shurdhuese bien hera-herës edhe njerëz të mirë, të mençur, të ndershëm që me të drejtën e Zotit kërkojnë rezultate nga e gjithë kjo përpjekje dhe me të drejtën e Zotit neveriten kur del llumi nga pusetat e hapura të drejtësisë, një llum që lidhet duam apo nuk duam ne edhe me ne, llum nga shtëpia jonë.

Përgjegjësia përpara ligjit është vetëm individuale, ndërsa llogaridhënia është institucionale. Për ne është shumë e qartë para ligjit kush ka përgjegjësi për shkeljen e ligjit. Para popullit kush ka përgjegjësi për të dhënë llogari për çkadoqoftë, sa herë është nevoja deri ditën kur vetë popullit i vjen radha të bëjë llogaritë e mandateve që ka shpërndarë.

Kjo është politika demokratike dhe ja dhe llogaridhënia ime tani për  çfarë thashë. Mua do të më buhej të mbaja sot një përgjegjësi të madhe morale nëse do të kisha dashur vërtet të kisha kapur drejtësinë për llogari të pushtetit të kësaj partie, nëse Reforma në Drejtësi nuk do tia kishte hapur rrugën lindjes së Strukturës Speciale Antikorrupsion apo nëse gryka e re e zjarrit të drejtësisë së dalë nga kjo reformë do godiste vetëm kundërshtarët e kësaj partie dhe kësaj qeverie. Atëherë po, do të ishte një problem dhe do të ishte përgjegjësia ime morale përpara të gjithë atyre që na besuan vërtetë dhe më te drejtë që nuk do ti zhgënjejmë për reformën në drejtësi edhe përpara kësaj partie padiskutim. Por, përgjegjësi morale pse po goditet pandëshkueshmëria, pse drejtësia nuk po shikon as majtas as djathtas, por vetëm drejt, pse  ne ndërkohë që ne po vazhdojmë të ndërtojmë sistemet e mbrojtjes ndaj korrupsionit Strukturat Speciale të drejtësisë po godasin diversantët e korrupsionit para nesh. Kjo është absurde sepse këtë kemi dashur, për këtë kemi  punuar dhe kjo po ndodh. Nuk kemi ditur emra, por kemi ditur që duke u tërhequr nga kontrolli  i drejtësisë, asnjë emër nuk ka më asnjë rëndësi. Sa të fajshëm, sa të pafajshëm janë ata që i ka gjykuar apo i gjykon drejtësia, këtë si askush tjetër në vendin tim, unë jam i pari kryeministër i këtij vendi që i kam lënë plotësisht në dorë ta thotë vetëm drejtësia.

Madje pa bërë asnjë koment, as gëk as mëk! Kjo parti dhe kjo qeveri e hapin gojën për këtë temë vetëm për të mbështetur pa rezerva SPAK-un dhe Gjykatën Speciale dhe kjo nuk ka për të ndryshuar. Pavarësisht se e di mirë edhe unë, siç e dini dhe ju të gjithë, e dinë plot të tjerë, të cilët për shkak të eksperiencës, të ekspertizës së tyre juridike edhe kanë qenë pjesë e rrugës së reformës në drejtësi, se ky proces dënimesh dhe hetimesh që ka nisur kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë është shumë larg të qenit i përsosur. Ka plot  probleme dhe mangësi, ka dhe rrëshqitjet e veta në shtratin e kulturës së vjetër të sjelljes me ligjin dhe të drejtat e liritë e njeriut pa diskutim, por pavarësisht kjo parti do të vazhdojë të mos komentojë për çështjet nën hetim, nga Spak-u.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura