“Mund të mos jem i zgjuar, por kaq idiot s’jam”- Rama u përgjigjet kritikëve për kontrollin e SPAK: E ç’më duhet? Të shqyhem në dysh, që disa të flenë rehat mbi puplat e korrupsionit

May 7, 2024 | 11:10
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kritikëve se ai kontrollon Prokurorinë e Posaçme. Në fjalën e tij të gjatë para deputetëve socialiste, por edhe para kabinetit qeveritar, kreu i qeverisë u shpreh se ka bërë maksimumin për realizimin e reformës në drejtësi, duke shkuar sa në Bruksel e Berlin dhe Uashington.

“Ka disa që thonë se unë s’e paskam menduar që do vinte kjo ditë kur i hyra me ju bashkë këtij deti në këmbë, reformën na i imponuan ambasadorët dhe ne s’kishim nga luanim. Kurse më të fantaksurit fare thonë që SPAK-u bën çfarë i them unë.

E para njëherë, unë mund të mos jem shumë i zgjuar, po edhe kaq fare idiot sa të shkoja derë më derë, sa në Berlin dhe sa në Bruksel për të kërkuar aleancë për Vettingun, të cilin në ato fillime as në Berlin, as në Bruksel nuk e pranonin se e konsideronin si shkelje të të drejtave të fituara. Pastaj në Uashington, për të krijuar aleancë për krijimin e FBI-së shqiptare. Byroja Kombëtare e Hetimit dhe vetë SPAK-u, le ti hapin kartat. Byroja Kombëtare e Hetimit është në programin tonë të vitit 2009-të e më gënjente mendja që do shembja me ndihmën e aleatëve strategjikë një pallat drejtësie që i kishte themelet në llumin e 100 e kusur viteve pandëshkueshmërie për pushtetin politik që të ngrija një pallat të ri drejtësie tek oborri i Partisë Socialiste?

E dyta, si na imponuan ne reformën në drejtësi ambasadat, Amerika, Europa, Hëna, Marsi kur ne na u desh shumë kohë për t’i bindur vetë ata njëherë në radhë të parë, për domosdoshmërinë e këtij ushtrimi shumë të paparashikueshëm që donim të bënim dhe patjetër për t’i bindur që vullneti ynë ishte pavarësimi i pushtetit politik, i drejtësisë nga pushteti politik më saktë. Po ku bënte vaki, si mund të bënte vaki që të shkruheshin qindra- mijëra faqe analizë, drafte, stërdrafte bashkë me ekspertët ndërkombëtarë po të mos ishte vullneti i hekurt i Partisë Socialiste dhe vendosmëria për të mos u tërhequr edhe nën presionin real, konkret duke parë detin para Gjirit të Lalzit që do të prishej koalicioni qeverisës se edhe sikur të vinte Flota e 6-të amerikane në Lalëz, nuk kalonte reforma në drejtësi.

Nga ana tjetër, si do ndodhte kjo nëse ne nuk do të ishim të vendosur që të mos dëgjonim asgjë, asnjë, madje dhe zëra brenda nesh jo më të tjerë, që thonin, “ore, e kuptoni që kështu do ikim për lesh” në kuptimin që e kuptoni që kështu nuk do jemi më ne ata që vendosin ditën dhe natën se kur zbardhet dhe kur ngryset? Këto janë fakte. E çdo bënin ambasadat? E çdo bënte Amerika bashkë me Europën nëse edhe ne do ishim si gjithë të tjerët bashkë me gjithë të tjerët edhe do ishim për zhvillimin gradual, siç na thoshin ata, kur unë shkoja nga Kancelarja gjermane, në zyrat e Brukselit, në zyrat në Uashington dhe u thoja, “ne duhet të bëjmë tërmet”.

E treta dhe kjo është më e rëndësishmja, kush thotë që e kontrolloj unë SPAK-un, mirë që nuk ka provë se prova është gjë e madhe apo argument, ka një problem më të madh, se nuk ka sesi ta pranojë dhe as ta tolerojë mendërisht që unë në politikë kam hyrë vetëm për ndryshuar dhe për të kthyer përmbys çfarë të mundem, nga karakatinat e të shkuarës së largët dhe të afërt. E tregon historia ime politike, po sa të mundem, në çdo sektor, në çdo drejtim, ku të mundem, merr e kthe përmbys. Nuk kam hyrë për të qenë një hu i gjatë në radhën e atyre që bëhen ministra, bëhen kryetarë bashkie, bëhen kryetarë partie, bëhen kryeministra. E pastaj në rastin më të mirë ikin dhe s’lënë gjurmë, kurse në rastin më të keq pastaj shikojeni, e keni live, në çdo sabah e çdo aksham, bëhen për të ardhur keq. E ça më duhet mua kontrolli i SPAK-ut? Që unë te shqyhem dysh ditë- natë në krye të punëve, që shumica në ketë familjen tonë politikë të bëjnë punën e tyre me aq sa munden, që disa këtu t’i lënë fëmijët në gjumë dhe t’i gjejnë në gjumë madje edhe ulur janë nëna, pa llogaritur që çfarë balte dhe çfarë ujërash të zeza na përplasen përditë në sy e ndërkohë ta kontrolloj SPAK-un, që ndonjë mes nesh, ca rrotull nesh, të tjerë poshtë nesh të flenë rehat mbi dyshekët e mbushur me puplat e korrupsionit? Ça muhabeti është ky? Ku lidhen këto të dyja?

Unë nuk i vë faj në fakt për asgjë nga këto që thonë ditë-natë se po të ishin në vendim tim, do bënin fiks, ekzakt gjërat për të cilat më akuzojnë dhe na akuzojnë ne, siç i kanë bëra ata që kur ishin në vendin tim dhe kur ishin në pozicionin tonë, shkelnin me këmbë këdo, fusnin duart kudo dhe ja ku janë sot, gazi i botës, me gojën çapraz kundër korrupsionit dhe me çaprazin në bigën drejtësisë për korrupsion.”, tha kryeministri Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura