Vrasja e rapsodit dhe mikut të tij, Prokuroria mbyll hetimet! Aktet në Gjykatë për të pandehurit Aleksandër Përdoda e Agron Lushi

Apr 8, 2021 | 13:56
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Afro 1 vit nga vrasja e dyfishtë në fshatin Lalm i Vjetër të Lezhës, ku u ekzekutuan me armë zjarri rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij, Preng Simoni, Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet, duke dërguar në gjykatë aktet hetimore me të pandehur Aleksandër Përdodën dhe Agron Lushin.

Kol Murrani-rapsodet

Përdoda akuzohet për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” ndaj dy personave kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve”. Ndërsa i pandehuri tjetër, Agron Lushi, është proceduar për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”. Në këtë ngjarje dyshohet të jetë i përfshirë edhe Edmond Përdoda, i cili është vëllai i Aleksandër Përdodës. Çështja ndaj tij është veçuar për të vijuar verifikimet e mëtejshme, teksa ai momentalisht është i shpallur në kërkim nga Policia. Ashtu si dhe në momentin e arrestimit, edhe gjatë seancës gjyqësore paraprake, i pandehuri Aleksandër Përdoda ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen. Por pavarësisht pretendimeve të tij dhe të avokatëve mbrojtës, referuar provave të paraqitura nga Prokuroria e Lezhës, Gjykata ka vendosur që ta kalojë çështjen për gjykim.

VRASJA E DYFISHTE

Rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni u gjeten të vrarë me armë zjarri më 27 prill të vitit 2020, pranë shtëpive të tyre të vjetra në fshatin Lalm i Vjetër, të Njësisë Administrative të Kolshit. Ata kishin shkuar në vendlindje që prej orëve të mëngjesit të asaj dite dhe pasi nuk janë përgjigjur në telefon, djali i njërit prej viktimave ka dalë t’i kërkoje.

Ai i ka gjetur pa shenja jete rreth orës 16:00 të datës 27 prill të vitit 2020, ndërsa ekzekutimi i tyre mendohet të jetë kryer rreth mesditës. Murrani dhe Simoni banonin në periferi të qytetit të Lezhës dhe ditën e ngjarjes, në 27 prill 2020, kishin dalë herët në mëngjes me motor, për të shkuar te shtëpitë e vjetra që kanë në fshatin Lalm i Vjetër. Pasi kanë ngarkuar një thes me jonxhë, dy burrat kanë vendosur të kthehen në Lezhë, por rrugës dyshohet se janë qëlluar befasisht me armë zjarri nga Aleksandër Përdoda.

Për shkak të terrenit të thyer malor dhe mungesës së infrastrukturës së rrugës, Policisë i është dashur 60 minuta për të mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ndodheshin viktimat. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur pas një konflikti pronësie mes Preng Simonit dhe Aleksander Përdodës, i cili kishte ndodhur 8 muaj para ngjarjes.

Në dëshminë e tij, vetë i pandehuri ka pranuar konfliktin, por çështja sipas tij është zgjidhur. Ndërsa me Murranin, Përdoda ka treguar se ka pasur miqësi, që sipas tij, nënkupton se nuk ka pasur asnjë motiv për t’i vrarë. Por nga analizimi që u është bërë qelizave telefonike, Përdoda ka qenë afër vendit të krimit.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.