Vrasja e Artan Cukut/ Plani i ekzekutimit, si dështoi bashkëpunëtori Leci në tentativën e parë. Porositësin e quante i “madhi” ose “shefi”

Aug 14, 2019 | 14:46
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Policia greke arrestoi këtë të hënë bashkëpunëtorin në vrasjen e komisar Artan Cukut, Kristaq Lecin.

leci

Ky i fundit, sipas hetimeve, ka bashkëpunuar me Bledar Jambellin dhe Mikel Shallarin për të kryer krimin. Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Mikel Shallarit, Leci ishte personi që do të kryente vrasjen, por në tentativën e parë ai ka dështuar, pasi kishte pasur frikë se mos zbulohej.

30-vjeçari e cilësonte Bledar Jambellin, si të “madhin” ose “shefin” në bisedat me Shallarin, këtë të fundit e ka edhe kushëri të parë. Duke iu referuar dosjes së Prokurorisë, që disponon gazeta “Panorama”, ka qenë Leci ai që e ka prezantuar Shallarin me Bledar Jambellin, i cili konsiderohet si porositësi i vrasjes.

Plani për të kryer krimin është thurur gjatë ditëve të fundit të marsit 2017 dhe janë bërë dy tentativa për realizimin e qëllimit.

ARRESTIMI

Lajmi për arrestimin e Kristaq Lecit u bë i ditur nga burime zyrtare të Policisë greke, nëpërmjet një deklarate për shtyp. “Arrestimi i shtetasit 30-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet për vrasje, u bë pasditen e djeshme (12/ 8/2019) në Athinë nga oficerët e Divizionit të Kërkimit”, bëri të ditur Polica greke. Sipas këtyre të fundit, materialet në ngarkim të 30-vjeçarit janë referuar në Prokurori dhe priten procedurat e ekstradimit. Kujtojmë se në Greqi, në dhjetor të 2018-ës u arrestua edhe Bledar Jambelli, por disa muaj më parë u bë e ditur se Gjykata e Lartë greke nuk e ka lejuar ekstradimin e tij.

PLANI PËR VRASJEN

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Mikel Shallari, gjatë rrëfimit të tij pranon se nuk e njihte viktimën Artan Cuku, atë ia kishte treguar porositësi i krimit, duke shkarkuar një foto nga interneti. Gjithashtu, Bledar Jambelli, i kishte bërë të ditur 25-vjeçarit edhe automjetet me të cilat lëvizte viktima. Plani i vrasjes u thur nga mezi i dhjetëditëshit të tretë të Marsit, deri në fillimin e Prillit.

Ndërsa u bënë dy tentativa për të kryer aktin, më konkretisht pasditen e datës 7 prill të 2017-ës, ku vrasjen do ta kryente kushëriri i Shallarit, Kristaq Leci, i veshur me të njëjtat rroba, që një ditë më pas i veshi 25- vjeçari për të finalizuar vrasjen. Por në këtë tentativë, i pandehuri Kristaq Leci me armë në brez, nuk e kreu aktin nga frika e identifikimit. Sipas Shallarit, gjatë kësaj kohe, ata vëzhgoheshin nga i pandehuri Bledar Jambelli i cili i nxiste, madje edhe duke i fyer, pasi kishte ngelur i pakënaqur dhe i kishte kërkuar që të nesërmen ta kryenin vrasjen.

I ndier nën presion edhe për faktin se do të merrte lekë nga porositësi, i pandehuri, Mikel Shallari, ditën e nesërme ka kryer vrasjen, duke i bërë pritë te hyrja e pallatit. Ndërsa pas krimit, ai së bashku me kushëririn e tij, kanë shkuar në shtëpinë e një miku të tij për të kaluar natën dhe ditën tjetër janë ndarë për t’u takuar pasdite. Në takim, këtë herë ishte edhe Bledar Jambelli, i cili i ka dhënë një pjesë të lekëve. Në këtë takim, Shallari ka deklaruar se kishte marrë vesh se Kristaq Leci dhe Jambelli do të largoheshin për në Greqi.

VRASJA

Nga hetimet e para të kryera në vendin e ngjarjes, ku nga studimi i pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, u bë i mundur përcaktimi i itinerarit të largimit të autorit nga vendngjarja, deri në afërsi të sheshit Wilson. Nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor të kufomës së viktimës, Artan Cuku, u konfirmua se në trupin e tij u konstatuan 4 plagë të shkaktuara nga qitja me armë zjarri, dy tejshkuese, nga të cilat njëra në kokë dhe dy depërtuese. Në trupin e tij, u gjetën dhe u sekuestruan dy predha arme zjarri. Nisur nga të dhënat e marra pas krimit u konkludua se disa nga qitjet drejt tij, ishin kryer në distancë të afërt. Autori e priti viktimën i pozicionuar te shkallës përballë derës së hyrjes.

Vrasësi i Artan Cukut u dënua me 10 vite burg pas bashkëpunimit

mikel shallari

Në qershor të 2018-ës, Mikel Shallari, i cili kreu vrasjen e Artan Cukut me porosi të Bledar Jambellit u dënua me 10 vite burg nga Gjykata për Krime të Rënda. Gjykata miratoi akt-marrëveshjen e bërë mes Prokurorisë dhe Mikel Shallarit në 5 qershor. Shallari është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë duke i shpëtuar dënimit me vdekje dhe ka treguar detaje që kanë çuar në zbardhjen e plotë të vrasjes që tronditi Tiranën, rreth dy vite më parë.

Në marrëveshjen e bërë me Prokurorinë, Shallari është vetëdeklaruar fajtor dhe ka konfirmuar vullnetin e tij që të përballet me të bashkëpandehurit e tjerë në këtë proces, Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci, duke u ballafaquar me ta si gjatë hetimeve, ashtu edhe në sallën e gjyqit.

Në bazë të hetimeve, të drejtuara nga Prokurori, Enrik Ligori, në rolin e ekzekutorit material, është Mikel Shallari, i cili kundrejt një pagese prej 20 mijë eurosh dhe përfitimeve të tjera të premtuara nga organizatori, Bledar Jambelli, dhe ndërmjetësi, Kristaq Leci, në bashkëpunim me këta të fundit, ka vrarë për shkak të detyrës, oficerin në lirim të Policisë së Shtetit, viktimën Artan Cuku.

Bledar Jambelli porositi vrasjen e komisarit për hakmarrje

auto_jambelli1546248692

Hakmarrja duket se ka qenë arsyeja që Bledar Jambelli të urdhëronte vrasjen e komisar Artan Cukut. Kjo gjë konfirmohet edhe nga dëshmia e Mikel Shallarit, i cili tregon se në një nga bisedat me të dy, kishte dëgjuar se Cuku e kishte arrestuar atë disa vite më parë. Kërcënimi ndaj Cukut erdhi për shkak të rihapjes së një dosjeje të vjetër, që solli arrestime të tjera. Personi që u arrestua në vitin 2012 pas vrasjes së Amarildo Delajt, ishte Bledar Jambelli. Pas arrestimit për këtë vrasje, gjatë një operacioni që u drejtua nga vetë Artan Cuku, u gjetën prova të reja që e përfshinin Jambellin edhe në dy vrasje të ndodhura në vitin 2006.

Jambelli, i njohur me dy emra, si Rikardo dhe Bledar nuk ishte i panjohur për Policinë, por ai kishte arritur t’i shpëtonte drejtësisë disa herë. Në janar të vitit 2013, Gjykata e Vlorës njohu me masën “arrest me burg” Bledar Jambellin, lindur dhe banues në Mbrostar të Fierit, si i dyshuar për vrasjen e Shpëtim Mukës, Ervis Shehut (shok i Mukës) dhe plagosjen e Edvin Zanajt, (nipi i Mukës). Kjo ngjarje kishte ndodhur më 30 nëntor 2006. Prokuroria e Vlorës kishte pezulluar procedimin penal për moszbulim të autorëve. Si rezultat i këmbënguljes së Artan Cukut, në atë kohë drejtori i Policisë së Vlorës, për të rihapur hetimet, u bë i mundur sigurimi i provave shkencore dhe u kërkua rifillimi i hetimeve për këtë ngjarje, me autor të dyshuar Bledar Jambellin. Edhe pas këtyre veprimeve, Gjykata nuk e gjeti Jambellin fajtor për vrasjet për mungesë provash.

ARRESTIMI

Bledar Jambelli u arrestua në 31 dhjetor të 2018-ës në Greqi, ku pritej ekstradimi i tij, por një gjë e tillë është ndaluar nga Gjykata e Lartë në Greqi. “Në kuadër të shkëmbimit të informacioneve me zyrat homologe dhe bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën është finalizuar me sukses arrestimi në Athinë / Greqi, i personit në kërkim ndërkombëtar, Bledar Jambelli, alias Rikardo Muho, 38 vjeç, lindur në Fier. Nga hetimet e kryera nga Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dyshohet se ky shtetas ka porositur vrasjen e A. C. Po nga hetimi rezulton se motivi i krimit lidhet me arrestimin e tij në kohën kur viktima kryente detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë”, njoftoi policia.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura