Vipat në plazh/ Pushimet me adrenalinë të ministrave, Ahmetaj në “Jet Ski”, Gjiknuri në skaf, Kryemadhi zhytet në shkumë

Aug 7, 2022 | 19:58
SHPËRNDAJE

Sot ministra, ish-ministra, deputetë e ish-deputetë. Dikur, në kulmin e tyre duket se vera i gjente buzë detit, ku duhet thënë se gjenin plot mënyra se si të zbaviteshim. Flasim për disa nga politikanët më të njohur, që vite më parë kanë qenë në syrin e objektivit të paparacit tonë. Në atë kohë, Partia Socialiste sapo kishte marrë pushtetin dhe ministrat e rinj gjenin mënyra të ndryshme për t’u zbavitur.

Teksa disa zgjidhin “Jet Ski” apo xhiro me gomone, të tjerë zgjidhin pushime të qeta, me një libër para. Është kuriozitet më vete të shohësh figurat e njohura të politikës, teksa në jetën reale sillen pa ato rregullat klishe që iu dikton shoqëria, teksa kanë veshur kostumin e politikanit.

DAMIAN GJIKNURI, XHIRO ME SKAF

Asokohe ministër i Energjetikës, por dhe si një djalë bregu, Damian Gjiknuri nuk kishte si të mos e konceptonte pushimin në det si një argëtim në lëvizje, mundësisht me shpejtësi. Ai është fotografuar në një skaf të vogël bashkë me një mikun e tij. Gjiknuri njihet edhe sot si një ndër politikanët më sportivë, ndaj edhe pushimet e tij nuk kishin se si të ishin pasive.

I kujdesshëm për rrezet e diellit, ai ka zgjedhur të rrijë veshur me bluzë, duke shmangur ekspozimin në diell. Natyrisht që kapela dhe syzet e diellit ia vështirësonin identifikim, por ndoshta për shumicën e pushuesve, por jo për syrin tonë.

ARBEN AHMETAJ, PËR PAK ADRENALINË MBI “JET SKI”

Duke bërë sporte në ujë është fotografuar ministri i Ekonomisë së asaj kohe, Arben Ahmetaj. Ai ka preferuar motorin e ujit, një mjet që kënaq dëshirat e dikujt që do shpejtësinë dhe adrenalinën në det.

Ndonëse sot “Jet Ski” është shndërruar në kryefjalën e mediave, për shkak të tragjedisë së ndodhur në Himarë, në atë vit, ministri nuk ia kursente vetes këtë adrenalinë.

Në vitet kur është shkrepur fotoja, ish-zv.kryeministri nuk ka qenë duke bërë ndonjë shkelje, veç faktit që po zbavitej. Në një ndër pozat ai duket teksa takon edhe kolegun e tij, ministrin Gjiknuri.

MONIKA KRYEMADHI NË “SCHUMA-PARTY”

Kampi i LRI në Jalë ka qenë një ndër aktivitetet më të dashura për të rinjtë e kësaj force. Nuk e dimë nëse ky kamp do të përsëritet, por para disa vitesh, atmosfera ishte aq e zjarrtë, sa nuk linte pa përfshirë edhe Monika Kryemadhin.

Siç e shihni në foto, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka bërë zhytje spektakolare në shkumë, por nuk kanë mbetur pas edhe Monika Kryemadhi, Erisa Xhixho, Luan Rama etj.

Një argëtim me shpirt rinor, i cili u kthye në traditë për vite me radhë dhe natyrisht nuk ka mbetur pa prodhuar lajme të këndshme si ky i shkuma party.

ERION VELIAJ NUK E HEQ LIBRIN NGA DORA

Asokohe ministër i Mirëqenies Sociale e sot kryetar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dukej një nga politikanët më pasivë në plazh. Ai është fotografuar vazhdimisht me një libër në dorë dhe me celularin e tij, prej të cilit nuk ndahet asnjë moment. Kryebashkiaku i Tiranës ka treguar se edhe pushimet e tij janë të limituara.

Ndoshta ka pasur më shumë kohë kur ishte ministër. Megjithatë, edhe ato ditë të lira, ai nuk ka zgjedhur që t’i përjetojë me adrenalinë, por me pushime të plota. Ndryshe nga kolegët, ai është shfaqur më i tërhequr, teksa ka shijuar kohën e lirë, pse jo në shoqërinë e një libri të mirë. Me gjasa do të na duhen shumë vite të tjera derisa të mundim të shohim sërish ‘lali Erin’ në plazh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura