Vettingu për prokurorin e Apelit, përfaqësuesi i ONM: Kjo deklaratë mund të ketë pasoja fatale për karrierën tuaj

SHPËRNDAJE

Karriera e prokurorit Gentian Trenova është vënë në pikëpyetje, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbuluar deklarata të rreme dhe pasuri të pajustifikuara, si dhe vuri në dukje faktin e pushimit të hetimeve për një trafikant droge dhe një prokuror të akuzuar për korrupsion. Trenova hodhi poshtë akuzat dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK-Gentian-Trenova-600x338

Nga Lindita Çela- BIRN

Integriteti dhe aftësia profesionale e prokurorit të Apelit, Gentian Trenova janë vënë në pikëpyetje nga Komisioni i Pavarur të Kualifikimit dhe përfaqësuesit e ONM-së, pas hetimit administrativ që arriti në përfundimin se ai ka bërë deklarim të rremë të pasurisë dhe se nuk ka burime të ligjshme për ta justifikuar atë.

Trenova u bë pjesë e listës prioritare të vetingut, për shkak të zgjedhjes së tij si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi tha se gjatë hetimit të kryer në mënyrë të pavarur nga KPK janë evidentuar probleme të deklarimeve të rreme, mungesë të burimeve financiare të ligjshme si dhe shtoi subjekti kishte mbyllur hetimet për prokurorë të akuzuar për korrupsion si dhe persona të kërkuar për trafik droge.

“ILDKPKI ka konstatuar se në dosjen e tij ka mungesë  burimesh financiare të ligjshme, deklarata të rreme si dhe prokurori nuk justifikon pasurinë me të ardhurat e tij,” tha relatorja Bekteshi.

Problemi kryesor i konstatuar, sipas relatores së çështjes është një apartament i blerë në qershor 2007 për një vlerë të deklaruar prej 1.9 milionë lekësh, me burim një kredi të marrë në vlerën e 28 mijë eurove. Në vitin 2012, Trenova ka deklaruar se këtë apartament ia ka dhuruar prindërve të bashkëshortes.

“Nga hetimi i thelluar i KPK-së rezulton se ka dyshime të arsyeshme për ligjshmërinë, koston dhe vlerën reale të  banesës, pasi rezulton se ka dy kontrata për këtë banesë,” shtoi relatorja.

Sipas saj, hetimi ka zbuluar se fillimisht prokurori Trenova kishte lidhur një kontratë në vlerën e 40 mijë eurove për blerjen e apartamentit, të cilin e ka deklaruar më pas si të blerë në vlerën e 1.9 milionë lekëve. Bekteshi tha se kontrata shënonte se prokurori kishte paguar 12 mijë euro jashtë zyrës së noterit, para të cilat nuk justifikohen nga Trenova.

“Subjekti nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të bërë pagesën e 12 mijë eurove,” shtoi relatorja e çështjes.

I paqartë për të ardhurat  dhe  gjendjen financiare të prokurorit Trenova ishte dhe përfaqësuesi i ONM-së, Teo Jacobs, i cili e quajti pasurinë e prokurorit si të mbuluar me shumë re.

“Kjo deklaratë mund të ketë pasoja fatale për karrierën tuaj, pasi rezulton se keni bërë deklarim të rremë dhe keni fshehur 12 mijë euro.

Ju thoni se keni bërë kontratë fiktive dhe të përkohshme, por në atë kontratë nuk flitet asnjë fjalë për efektivitet, por për ligjshmëri të plotë.

Unë jam nga Belgjika dhe nga anët tona nuk mbahen dy gjëra.

Ju duhet të zgjidhni, ose keni bërë kontratë të fshehtë, ose keni bërë një kontratë të rreme.

Dhe kjo tregon se ligjshmëria dhe kredibiliteti juaj është i ulët,” deklaroi  Jacobs.

Prokurori Gentian Trenova e ka justifikuar kontratën e nënshkruar në vlerën e 40 mijë eurove me qëllimin e marrjes së një kredie në bankë.

“Unë kam bërë një kontrate porosie për shkak  se duhej të merrja kredi që  të mund ta blija shtëpinë.  Bëhet fjalë për një apartament të ndërtuar në vitet ‘70 dhe vlerat e deklaruara në atë  kontratë janë fiktive, pasi do të shërbenin për lëvrimin e kredisë 28 mijë euro me të cilën  kam bërë pagesën e shtëpisë, disa punime dhe  mobilimin e saj,” shpjegoi prokurori.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vuri në dyshim edhe mundësinë financiare të prokurorit Trenova për ndërtimin e një kati shtesë mbi apartamentin e blerë në vitin 2007, kat i cili rezulton të jetë falur më pas te vjehrrit.

“Ndonëse rezulton në emër të vjehrrit dhe vjehrrës, subjekti banon vetë aty,’ tha Bekteshi.

Prokurori i Apelit e hodhi poshtë këtë akuzë, ndërsa shtoi se edhe kontrata e faljes së apartamentit ishte bërë për efekt të marrjes së një kredie në bankë nga prindërit e bashkëshortes.

“Ata jetonin në një shtëpi të vjetër. Donin të merrnin një kredi, ndaj dhe u bë kjo kontratë dhurimi për efekt të bankës.  Më pas, ata vendosën të ndërtonin këtë shtesën e apartamentit dhe me dokumente ua kam vërtetuar se ata kishin të ardhura për të kryer këto ndërtime,” tha Trenova.

Ai shtoi se pas ndërtimit të dubleksit nuk ka bërë një kontratë të re, pasi marrëdhëniet në familje ishin shumë të mira dhe ai nuk ka dyshuar kurrë në përvetësimin e pronës së tij.

Por ky argument nuk e ka bindur përfaqësuesin e ONM-së.

“Sot ju thoni se kostoja e rinovimit ka kushtuar 13 mijë euro, por ju kishit 6 muaj kohë në dispozicion dhe nuk e thatë këtë vlerë. Megjithatë, përgjatë gjithë hetimit unë nuk kam parë një faturë të vetme, qoftë kjo dhe pse jemi në Shqipëri, për të justifikuar punimet për ndërtimin e këtij dubleksi,” tha Jacobs.

Përveç problemeve me pasurinë, hetimi i KPK-së është ndalur edhe tek vlerësimi profesional i prokurorit Gentian Trenova, që sipas relatores së çështjes kanë gjithashtu shkelje që cënojnë integritetin e tij.

Pavarësisht faktit se Trenova është vlerësuar “shumë mirë” nga Prokuroria, KPK ka konstatuar problematika të rënda në dy prej çështjeve të hetuara prej tij. Sipas relatores së çështjes, pushimet e procedimeve penale në këto çështje kanë qenë të dyshimta.

Çështjet e mësipërme përfshijnë procedimin penal të 30 marsit 2015 për një person me inicialet V.L nga Gjirokastra, i cili ishte arrestuar në kushtet e flagrancës duke trafikuar 170 kg lëndë narkotike drejt Greqisë. Kjo dosje është referuar te Krimet e Rënda për hetimin pasurir dhe në vitin 2016, prokurori Trenova i ka pushuar hetimet.

“Komisioni ka konstatuar se subjekti nuk ka bërë hetim të  dosjes së referuar nga policia e Gjirokastrës,” tha relatorja, duke shtuar se nuk ishin bërë verifikime në banka të aktivitetit tregtar të personit të arrestuar si dhe familjarëve të tij.

Një tjetër dosje  e konstatuar me probleme nga KPK ishte mbyllja e hetimeve për një procedim të nisur kryesisht për një prokuror të akuzuar për korrupsion. Bekteshi tha se  megjithë materialet e shumta të serviruara për nisjen e hetimeve si dhe një regjistrim audio që vërtetonte veprën penale, Trenova vendosi ta pushojë procesimin. Ajo shtoi se bëhej fjalë për një procedim të nisur ndaj një prokurori me inicialet A.K, i cili ishte përgjuar duke marrë para nga babai i një shtetasi. Në tetor 2016, prokurori Trenova ka kërkuar në gjykatë asgjësimin e audio-përgjimit, kërkesë e cila është pranuar edhe nga gjykata.

“Megjithëse të dhënat  për këtë dosje ishin të plota, aktet e dosjes së bëra nga prokurori ishin vetëm dy; një vendim për zgjatje hetimi dhe më pas një vendim për pushimin e hetimeve dhe mosfillimin e procedimit penal ndaj prokurorit  A. K,” shtoi Bekteshi.

Përballë trupës gjyqësore, prokurori Gentian Trenova i argumentoi pushimin e hetimeve për të dyja çështjet me mungesën e fakteve të servirura në dosjet përkatëse. Ai shpjegoi se materialet e serviruara në dosjen e të akuzuarit për trafikim të lëndëve narkotike nuk kishin të dhëna të plota dhe se nuk vërtetohej nga policia, që pasuria ishte kryer pas veprës penale.

Sa i përket pushimit të hetimeve për prokurorin A. K,  Trenova shpjegoi se të dhënat e grumbulluara gjatë hetimit nuk konkludonin në nisjen e një procedimi penal.

“Dosja kishte filluar që në vitin 2014 dhe dy prokurorë të tjerë, që kishin bërë hetimet nuk kishin dalë në këtë përfundim.  Nga hetimi që kam kryer nuk rezultonin të dhënat që do të çonin në referime të  provueshme për të nisur procedimin penal, ndaj për mos e zvarritur më çështjen vendosa pushimin e saj,” tha Trenova.

Por përfaqësuesi i ONM-së e vuri në pikëpyetje këtë argument.

“Keni pasur përgjimin që një prokuror merr para  dhe ju nuk keni bërë asgjë,” deklaroi Jacobs.

Pavarësisht problemeve të konstatuara me pasurinë dhe me dosjet e hetuara prej tij, prokurori Gentian Trenova tha se kishte zbatuar ligjin në ushtrimin e profesionit të tij dhe kërkoi konfirmimin e tij në detyrë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi se vendimi do të shpallet më 20 qershor.

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.