Vetingu në politikë, Basha: Kush votoi kundër, i lidhur me krimin

Dec 23, 2018 | 9:24
SHPËRNDAJE

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, akuzon të gjithë politikanët, që këtë të premte në seancë plenare nuk votuan për nismën ligjore të opozitës për veting në politikë. Për kreun e PD-së, me votat në Kuvend u realizua vetingu i vërtetë i politikës shqiptare.

1e8e5335-1c42-483d-80e9-cb9c37626724

“Me vetingun në politikë këta njerëz nuk do të ishin as në qeveri dhe as në Parlament apo në bashkitë e vendit. Çlirimi i politikës nga politikanë të lidhur me krimin dhe politikanë, që nuk justifikojnë pasurinë e tyre është domosdoshmëri. Unë e di që shumica e shqiptarëve e mbështet këtë.

Shumica e shqiptarëve kanë kërkuar prej fillimit një zgjidhje për këtë problem kaq të madh dhe dje politikanët me integritet patën rastin ta votonin, por siç e patë dje në Kuvendin e Shqipërisë, nuk ngriti kartonët një shumicë që përfaqëson popullin, por një pakicë që zhvat, grabit dhe vjedh popullin, kjo është domethënia e votimit dje. Të premten në Parlament ka ndodhur vetingu i vërtetë i politikanëve.

ffce7b62-bf48-4c1f-8576-8a59a623789d

“Të gjithë ata që kanë ngritur kartonët kundër ligjit për vetingun e politikanëve, kanë dalë hapur si bashkëpunëtorë të krimit, si bashkëpunëtorë të oligarkisë, bashkëpunëtorë të vjedhjes”, deklaroi Basha. Kreu i PD-së ishte në krah të banorëve të “Astirit” në protestën e përditshme, që ata zhvillojnë kundër projektit të qeverisë për ndërtimin e “Unazës së Re” pa zgjidhur më parë çështjen e dëmshpërblimeve.

Kreu i PD-së akuzoi Kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj në lidhje me devijimin e lumit Lana për të favorizuar ndërtimet e biznesmenit Edmond Bego. Në protestën e banorëve të “Astirit” morën pjesë edhe disa nga familjet që preken nga prishjet e ndërtimeve në këtë zonë. “PD ka denoncuar një tjetër aferë, e cila për nga përmasat financiare është edhe më e madhe. Sot, të gjithë e keni parë se si me dokumente zyrtare është faktuar mashtrimi i Erion Veliajt, se në fakt ai vetë ka firmosur devijimin e lumit të Lanës, për të mos prekur asnjë centimetër katror të pronës së Edmond Begos dhe për të shkatërruar shtëpitë e mbi 200 familjeve. Dhe pasi ka nënshkruar këtë akt, ky akt është sanksionuar më tej edhe nga firma e Edi Ramës. Çifti më i korruptuar i politikanëve sot në Europë, Erion Veliaj dhe Edi Rama, kanë bërë një akt që nuk ka ndodhur në 2 mijë vjet histori, kanë zhvendosur lumin, kanë bërë plan të prishin shtëpitë e mbi 200 familjeve për të favorizuar një trafikant të dënuar droge, i cili do të ndërtojë një projekt me vlerë 60 milionë euro”, theksoi kreu i PD-së.

PROTESTAT

Basha premtoi se opozita do të jetë në krah të çdo proteste që do të zhvillohet në vend kundër qeverisë. Kreu i opozitës u bëri thirrje qytetarëve të ngrihen dhe të protestojnë, pasi vetëm përmes rezistencës do të mund t’ia dalin përballë një qeverisjeje të tillë. “Ne mbështesim dhe do të mbështesim protestën e qytetarëve shqiptarë kudo që ajo ndodh. Ne mbështesim dhe do të mbështesim protestën e studentëve, të cilët kanë vendosur ta përshkallëzojnë atë dhe sot duhet t’u bëj thirrje qytetarëve se mënyra e vetme për ta zgjidhur këtë përmes ligjit, përmes ndryshimit të Kushtetutës dështoi dje në Kuvend. Ndaj sot në emër të opozitës ju bëj thirrje dhe kemi nevojë për ndihmën tuaj, që kjo klikë e korruptuar politikanësh të lidhur me krimin dhe oligarkinë që më pas grabisin shtëpitë tuaja për t’u pasuruar me paratë e krimit, që kjo klikë e votoi kundër, ta imponojmë me forcën e rezistencës dhe qëndresës qytetare. Së bashku do t’ia dalim siç ia kanë dalë së bashku këta banorë të Unazës së Re të sprapsin planin korruptiv të Unazës, siç ia kanë dalë t’i zbulojnë botës aferën e madhe korruptive që fshihet prapa këtij skandali, kështu do t’ia dalin shqiptarët kudo së bashku, siç ia dolën studentët së bashku, jo vetëm ta sprapsin, por edhe ta demaskojnë Edi Ramën si një kufomë politike, si një njeri që nuk gëzon më as besimin dhe as respektin e asnjë shqiptari, ia dolën t’u tregojnë shqiptarëve se ajo që ushqen ditë për ditë Edi Rama, supa e propagandës, nuk hahet më. Është qelbur”, tha Basha.

Untitled

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura