Vdekja na vjen ngadalë, ngadalë!

Feb 10, 2016 | 11:48
SHPËRNDAJE

hamdi jupeHAMDI JUPE

Një njoftim shtypi këto ditët e fundit thoshte se në vend do të mbyllen rreth 1000 shkolla. Njoftimi, i datës 5 shkurt, i referohej një  deklarate të ministres së Arsimit dhe Sportit, zonjës Nikolla, që thoshte se së shpejti do të mbyllen 987 shkolla në të gjithë vendin, sepse ato kanë numër të kufizuar nxënësish, rreth 30 nxënës. Dhe këtu nuk llogariten shkollat që tashmë janë mbyllur prej kohësh gjatë 25 viteve të tranzicionit.

Ndrec Ndue Gjoka, 70 vjet më parë, hapte 51 shkolla vetëm në rrethin e Mirditës, vetëm në një vit. Ne sot mbyllim në një vit 1000 shkolla, midis tyre, edhe ato që ka hapur dikur Heroi i Popullit. Përparim i madh pas gati një shekulli, apo jo? Njoftimi kaloi pa u vënë re. Asnjë jehonë nuk pati rreth tij. Jehonat në shtyp ishin vetëm për konfliktin Rama-Blushi, por jo për një mijë shkolla që do të mbyllen. U trishtova dy herë nga kjo situatë.

Herën e parë, kur mësova se shteti im do të mbyllë 1000 shkolla (shqipe) në vend. Herën e dytë, kur pashë që askujt nuk i bëri përshtypje mbyllja masive e shkollave. Shkollat dihet se do të mbyllen në fshatra. Në qytete nuk do të mbyllen shkolla, të paktën hëpërhë.

Duhet kujtuar se vendi ynë ka rreth 2000 fshatra. Pra në gjysmën e fshatrave të vendit do të mbyllen shkollat. Do të mbyllen, sepse nuk ka nxënës. Për këtë nuk është fajtore ministrja. Nuk ka nxënës, sepse nuk ka fëmijë. Nuk ka fëmijë, sepse nuk ka lindje. Kjo kuptohet. Pra gjysma e fshatrave të republikës po boshatiset nga popullsia, kryesisht nga mosha e re, nga ajo pjesë e popullsisë që është në moshën riprodhuese.

Nuk lindin më fëmijë, ose lindin shumë pak, aq sa nuk bëhen dot një klasë shkolle, në gjysmën e fshatrave të vendit. Ne e dimë tashmë, që shumë fshatra, në Jug e Veri, janë kapluar tërësisht nga braktisja dhe nga ferrat. Pasi i premë pyjet deri në rrënjë, pasi u vumë zjarrin shumë pasurive natyrore të tyre, tani po i braktisim si njerëz dhe po i lëmë në shkretëtirëzimin e tyre të plotë.

Të rinjtë e kanë braktisur dhe po e braktisin fshatin, në kërkim të një jete më të mirë, brenda ose jashtë vendit. Ne nuk mund t’i pengojmë ta bëjnë këtë. As qeveria nuk i pengon dot. Shqiptarët kanë qenë emigrantë të paktën qysh prej dy mijë vjetësh. Vetëm gjatë regjimit komunist u ndalua emigrimi. Por, nga ana tjetër, nuk ka politika nxitëse dhe mbështetëse nga ana e qeverive për të mbajtur njerëzit në fshat. Subvencioni i qeverisë për fshatin, është sa një kafe (pa sheqer).

U desh të vinin dy profesorë nga Universiteti i Harvardit, që të na thonë se duhen subvencionuar 100 milionë euro në vit në ndihmë të fshatit, që të ndihmohet ai të prodhojë të mira materiale për vete dhe për popullsinë në përgjithësi, sepse ne vetë nuk e dinim këtë gjë! Dhe tani presim që të gjenden këto euro për t’ia dhënë fshatit, sepse qeveria nuk i ka.

Edhe një masë stimuluese financiare e qeverisë, për t‘u dhënë mjekëve që shërbejnë në fshat një shpërblim plus, nuk dha rezultat. Shumica e vendeve vakante për mjekë në fshatra, mbetën të tilla, edhe pas masës stimuluese të qeverisë. Kjo tregon se “sëmundja” e braktisjes së fshatit ka përparuar shumë e nuk është e lehtë të ndalet. Shqipërisë po i ikën edhe ajo moshë e re, e paktë, që ajo riprodhon sot. Çdo vit ikin me mijëra, me mijëra. Në 25 vjet kanë ikur rreth dy milionë.

Pra mesatarisht çdo vit ikin rreth 80 mijë. Ata që ikin, janë të rinjtë. Në atdhe vijon nga faqja 1 Dhjetë pyetje që Rudina Xhunga nuk ia bëri Nexhmijes mbeten vetëm prindërit e tyre, mbeten pleqtë, mbeten “gërxhot” (ku bën pjesë edhe autori i këtyre radhëve) që nuk mund të japin më gjë për vendin dhe që presin të ikin nga kjo botë për arsye biologjike.

Lindshmëria në vend, sipas statistikave zyrtare, është vetëm 1,6 për qind për çdo çift. Kjo është një shifër llahtarisht e ulët. Kjo do të thotë se një çift të martuarish, burrë e grua, nuk arrijnë të riprodhojnë dot as veten e tyre, pa le më të shtojnë popullsinë. Që të riprodhojnë veten, duhet të lindin dy fëmijë. Mirëpo prindërit shqiptarë lindin mesatarisht vetëm 1,6 fëmijë për çift. Statistikat flasin për rënien e lindjeve edhe në fshat, ku ka qenë “miniera” jonë e floririt për prodhimin e njerëzve të rinj.

Jo vetëm qytetarët, por edhe fshatarët ia kanë marrë dorën teorisë së Maltusit, pra planifikimit familjar. Dhe ka njerëz sot tek ne, që e quajnë të drejtë teorinë e tij. Unë nuk bëj pjesë tek ata. Gjatë viteve të komunizmit, popullsia shqiptare u katërfishua në numër. Ajo ishte një milion njerëz në vitin 1938 dhe shkoi në katër milionë njerëz në vitin 1990.

Rritja mesatare shumëvjeçare e popullsisë, ishte pra rreth 65 mijë njerëz në vit. E shikoni ndryshimin me të sotmen? Dje popullsia rritej me 65 mijë njerëz në vit, sot pakësohet me 80 mijë në vit. Nuk ka rëndësi se me çfarë metodash e stimulonte ai regjim lindshmërinë dhe rritjen e popullsisë.

Unë shikoj shifrat dhe kjo më mjafton. E keni dëgjuar Kryeministrin kur lavdëron reformën në fushën e pensioneve, si një nga arritjet e shquara të qeverisë së tij? Në fakt, kjo reformë ishte e detyruar, një reformë krize, sepse pensionet janë bërë barrë në buxhetin e shoqërisë.

Qeveria nuk kishte para për të paguar pensionet. Pra ishte një përpjekje prej halli, sepse numri i kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore po ulej, në raport me numrin e pensionistëve. Por rënia e vazhdueshme e kontribuuesve, si pasojë e plakjes së popullsisë, do të thellojë edhe më tej krizën dhe Kryeministri nuk do të ketë më mundësi të rrisë moshën e pensionistëve, se s’ka ku ta çojë më tej.

Më një janar të këtij viti, kryebashkiaku i Tiranës, zoti Veliaj, vizitoi maternitetin dhe tha se do t’i jepte çdo foshnje të lindur në Tiranë gjatë 2016 një shpërblim prej 50 mijë lekësh. Ky shpërblim për foshnjat e reja jepej me ligj më parë. Kur ishte Veliaj ministër i Çështjeve Sociale, u hoq shpërblimi me ligj.

Dhe tani atë e jep Erioni si dhuratë personale. Për të ardhur keq! Ne jemi bërë që t’u japim foshnjave të reja jo 50 mijë lekë të vjetër, po 50 mijë të rinj, se kemi nevojë për to. Kaq keq jemi katandisur me shtimin e popullsisë së re. Të gjitha këto tregojnë se vdekja na vjen ngadalë-ngadalë, jo vetëm si individë (po se po), por edhe si popull.

Dhe duke parë se për një çerekshekull popullsia ka rënë me 25 për qind të saj, me ritmin e rënies na bie që nga fundi i këtij shekulli, ne të jemi kthyer edhe një herë në gjendjen e popullsisë së vitit 1938, pra në një milion njerëz. Kështu që vdekja si popull po na vjen dhe po na vjen jo edhe aq ngadalë.

Jam i lumtur që nuk do të jem gjallë, kur popullsia shqiptare të bjerë prapë në 1 milion njerëz, aq sa ishte në vitin 1938. Kësaj i thonë të lumturohesh nga vdekja. Më ngushëllon fakti që unë, të paktën, bëra detyrën time, për të riprodhuar vetveten. Kështu nuk do të akuzohem se ndikova edhe unë në uljen e numrit të popullsisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura