Vdekja mister e Adelajdës, zbardhet raporti paraprak i mjekësisë ligjore. Çfarë tregoi autopsia

Nov 1, 2017 | 13:17
SHPËRNDAJE

Një atak kardiak, i shkaktuar nga ndonjë sëmundje apo problem shëndetë- sor që nuk ishte diagnostikuar, dyshohet të jetë shkaku i vdekjes së papritur të gazetares Adelajda Xhamani.

auto_adelalajdaxhamani-283x3001509268629

Mjekët ligjorë që kanë kryer autopsinë e 31- vjeçares, nuk kanë hasur ndonjë komplikacion që varion nga epilepsia. Nga ana tjetër, nuk është konstatuar të ketë pasur shenja dhune, bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, shenja injeksioni apo të përdorimit të alkoolit para vdekjes.

Burime nga Mjekësia Ligjore thanë dje se Adela mund të ketë ndërruar jetë si pasojë e avancimit të ndonjë sëmundjeje për të cilën ajo nuk kishte dijeni.

Ky është konkluzioni paraprak i Mjekësisë Ligjore, në pritje të përgjigjes së analizave biologjike që do të përdoren për hartimin e raportit përfundimtar që do të hedhë dritë mbi shkakun e saktë të vdekjes së saj.

Burimet thanë për “Panorama” se janë marrë për analizë pjesë të disa organeve jetë- sore, por që në ekzaminimin paraprak është përjashtuar mundësia e epilepsisë.

AUTOPSIA

“Nga autopsia dhe ekspertiza paraprake nuk hasëm ndonjë komplikacion që varion nga epilepsia. Mendojmë se ajo mund të ketë pasur probleme të tjera shëndetë- sore, si luhatjet e tensionit, anemia, leucemia, apo të tjera shqetësime, për të cilat ajo nuk kishte dijeni”, thanë dje burime nga Mjekësia Ligjore.

Një ekip i përbërë nga ekspertët më të mirë të Mjekësisë Ligjore po kryejnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Për të përcaktuar shkakun e vërtetë të atakut kardiak janë marrë pjesë të zemrës, pankreasit dhe organeve të tjera jetësore. Përgjigjet e analizave toksikologjike dalin për 2 deri në 3 javë, ndërsa paraprakisht është konstatuar se nuk ka pasur shenja dhune.

“Nuk i ishin bllokuar rrugët e frymëmarrjes, nuk ka pasur injeksione të ndryshme në trup dhe gjithashtu nuk ka pasur shenja të përdorimit të alkoolit para se të ndërronte jetë”, thanë të njëjtat burime.

ETLEVA DELIA/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura