Vata ka kritika edhe për Kukësin: Gabon me ndërrime trajnerësh

Jul 28, 2016 | 17:43
SHPËRNDAJE

Rudi Vata mendon se Kukësi po gabon me zëvendësimin e shpeshtë të stafeve teknike. Në analizën që u bën verilindorëve për paraqitjen në Ligën e Europës, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare thekson se Kukësi nuk mund të bënte më shumë përballë një skuadre si Austria e Vjenës.

ernest gjoka kukesi

“Kukësi nuk më la përshtypje të mirë në ndeshjen e parë ndaj Rudarit. Skuadra malazeze ishte shumë më mirë në transfertë, ndërsa në sfidën e kthimit më surprizoi. Gjithsesi, Kukësi e meritoi kalimin e turit të parë dhe kjo mendoj se ishte arritje e mirë për këtë klub, që po krijon një ecuri konstante në Kupat e Europës, edhe pse ka vetëm katër vite që është në elitën e futbollit shqiptar. Ajo që më bën përshtypje te Kukësi është fakti se ndryshon shpesh trajnerët dhe stafet teknike në përgjithësi.

hasan lika kukesi

Nuk e di pse ndodh kështu, por unë mendoja se ishte ende Klodian Duro në krye të pankinës, në një kohë që trajneri ishte ndryshuar sërish. Nuk është e lehtë për një grup lojtarësh që, në një periudhë të shkurtër, të ketë stafe të ndryshme”, ka thënë fillimisht Vata, për të folur më pas për ndeshjen e turit të dytë, ku skuadra e Hasan Likës humbi 1-0 në Vjenë dhe, më pas, u thye turpshëm në “Elbasan Arena” me rezultatin 1-4. Pas kësaj ndeshjeje, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, shkarkoi Likën dhe emëroi Ernest Gjokën në pankinë.

Eliminimi

“Nisur edhe nga shorti që Kukësi kishte për në turin e dytë, duhet të mbetet i kënaqur me aq sa arriti. Përballë kishte një skuadër të fortë si Austria e Vjenës, kështu që nuk mund të bënte më shumë. Personalisht Kukësin e kam parë me shumë kuriozitet në këtë periudhë, qoftë prej Duros, por edhe skuadrës që ka.

kukesi austria

Ishte ndërtuar një grup simpatik lojtarësh, të cilët kanë kohë që luajnë bashkë dhe, për më tepër, skuadra nuk ka zbritur poshtë vendit të tretë në kampionat, që kur është ngjitur në Superiore. Por, e ritheksoj që ndryshimi i shpeshtë i trajnerit nuk i jep stabilitet kësaj skuadre. Drejtuesit e klubit e dinë më mirë se pse i bëjnë këto veprime”, deklaroi Vata.

Në fund, ish-trajneri i Vllaznisë foli shkurtimisht edhe për skuadrën tjetër shqiptare që mori pjesë në Ligën e Europës, por që u eliminua që në turin e parë. “Sa i përket Teutës, nuk e kam parë në ndeshjet ndaj ekipit kazak. Megjithatë, vetë rezultati nuk të lë të komentosh gjatë, për më tepër që u ngritën edhe shumë dyshime nga mediat”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura