Vasilika Torozi: Nëna e katër fëmijëve, jeta në azilin afër shtëpisë

Dec 3, 2012 | 11:55
SHPËRNDAJE

Nuk i kish shkuar ndër mend se do ta “mbyllte” pleqërinë në dhomën e një azili. Me gjithë kushtet e përshtatshme, përkujdesjen sociale dhe atë shëndetësore nga ana e stafit të kësaj qendre për të moshuarit, Vasilika Torozi e di se nuk është kjo jeta që meritonte… Sidomos kur pas “fatit” të papritur që ia behu në derë, janë edhe katër fëmijë-prindër që ajo i ka rritur duke shitur gjakun e trupit, mes skamjes dhe mundimeve të një pune të lodhshme fizike .

Në ambientin e jashtëm të qendrës së të moshuarve, pranë lagjes “Ali Demi”. Foto: Vlasov Sulaj

Në moshën e tyre, ata bëhen më të brishtë, të shohin në sy dhe duket sikur në çdo moment të thonë se kanë nevojë për përkujdesjen tënde. Herë-herë mund t’i ngatërrosh edhe me fëmijët tekanjozë, edhe pse fare mirë e di se pesha e viteve dhe vështirësitë e jetës i kanë tjetërsuar. Të pretendosh vëmendjen e fëmijëve, atëherë kur pleqëria të ka trokitur pa të marrë leje, nuk do të thotë se ke pretenduar shumë. Minimalisht është detyrë reciproke, për të kthyer “borxhin” e vjetër kundrejt atyre që të kanë sjellë në jetë. Duket se kjo situatë klasike nuk i është përqasur aspak rastit të Vasilika Torozit, 70-vjeçares e cila për shumë vite ka jetuar në banesën e saj ngjitur me azilin e pleqve. Dikur si një kalimtare e rastit betohej se edhe të vdiste nuk do e mendonte pleqërinë në atë vend, ndërsa prej tri vitesh është një prej banoreve të asaj rezidence për të moshuarit, që ndodhet në lagjen “Ali Demi” në Tiranë. Nuk përpiqet të “nxijë” imazhin e katër fëmijëve të saj, duke e justifikuar jetën në azil si një zgjedhje personale, thjesht për të mos u rënë më “qafë” fëmijëve të saj, dy prej tyre emigrantë në Amerikë dhe Itali. Për Vasilikën, të gjitha ditët kanë shije të njëjtë, pa surpriza dhe zhvillime interesante, përveç rasteve kur dy djemtë vendosin t’i bëjnë një vizitë në banesën e re..
Ka dy vajza në emigracion dhe dy djem, por jeton në azil.
Rasti klasik lyp faktin që në mungesë të fëmijëve, të cilët nuk kanë lindur asnjëherë, ose për shkak të ndonjë fatkeqësie kanë ndërruar jetë gjatë viteve, prindërit mund të strehohen në një azil, vende të posaçme këto për kategorinë e moshës së tretë, ku nuk mungojnë përkujdesja sociale dhe shëndetësore. Kushtet janë krijuar të atilla, që ata e ndiejnë veten si në shtëpinë e tyre. Por është ai detaji i materies shpirtërore që u mungon së tepërmi, çka i bën këta të moshuar të mos ndihen të shpërblyer për sakrificat që kanë bërë, në emër të familjes dhe fëmijëve të tyre. Vasilika Torozi ka punuar gjithë jetën në punë të rënda fizike. Fillimisht ka shtruar pllaka e më pas e caktuan brigadiere gjatë periudhës që punonte në godinën e Pasurisë së Shtetit. Deri në momentin e martesës dhe lindjes së katër fëmijëve, jeta e saj i ngjante normalitetit, edhe pse skamja nxirrte herë pas here “kthetrat” për t’i kujtuar se nuk ishte e lehtë të rrisje katër fëmijë me dy rroga punëtorësh. “Kam punuar gjithë jetën si burrat, sepse edhe tim shoq nuk e kam pasur shumë të gjallë për punën, jetën. Duke u ndodhur shpeshherë përballë vështirësive konkrete, mungesës së lekëve, kushteve që duhet t’u plotësoja fëmijëve të mi, gjeta si zgjidhje shitjen e gjakut, që dikur bëhej në një qendër shëndetësore afër zonës së Laprakës. Në këmbim merrja dy mijë e 100 lekë të vjetër, e më vonë tre mijë. Nuk kisha rrugë tjetër, por çdo dy muaj jepja gjak dhe me këto lekë u blija bukë fëmijëve, e më pas u plotësoja nevojat e shkollës. Kaluan vitet, ata u rritën njëri pas tjetrit dhe nisën të bëjnë zgjedhjet e tyre… ndërsa mua më trokiti shpejt pleqëria”, thotë ajo. Situatat familjare, dhe kryesisht ato konfliktuale, e vendosnin në pozitë të vështirë, për më tepër duke parë nga afër problematikat e përditshmërisë mes mungesës së punës, parave e nevojave personale, Vasilika vendosi të bëjë një zgjedhje që i kushtoi vetëm asaj… Të ngryste ditët e pleqërisë në një azil, shumë pranë shtëpisë ku ajo ka jetuar për vite të tëra me bashkëshortin dhe fëmijët. Cytet të justifikojë veprimin e saj, duke u shprehur se në ditët e sotme fëmijët kanë problemet e tyre dhe vështirësi nga më të mëdhatë. Por, a mund të kishte një zgjedhje alternative?! Me dy vajza në emigracion dhe dy djemtë këtu në Tiranë… Dikush tjetër që e dëgjon për të parën herë, do të thoshte patjetër po. Ndofta, një kuotë mujore e vendosur për një shërbim personal kundrejt Vasilikës, apo edhe thjesht për një përkujdesje më të specializuar ndaj saj do e ndryshonte gjendjen. “Nuk desha të rëndoj fëmijët e mi, ndaj kur u thashë që kam vendosur të shkoj në azil, ata e pranuan mendimin tim, duke thënë se jeta ishte e imja dhe vetëm unë e kisha në dorë për të bërë të tillë zgjedhje. U bën tri vite që ndodhem në azil dhe tashmë jam përshtatur me banorët e tjerë. Djemtë vijnë më shohin ndonjëherë dhe mua më gëzon zemra sa herë i shoh të hyjnë në dhomën time. Ndërsa, mundohem t’i ndihmoj, duke u dhënë ndonjë lek nga pensioni im mujor… Jam nënë…”, thotë 70-vjeçarja.

Statistikat e Institutit Shtetëror të Shërbimeve Sociale
Shërbimet shoqërore publike përfshijnë shërbimet e përkujdesjes shoqërore që ofrohen në institucionet rezidenciale, ditore ose në shtëpi për grupet në nevojë. Këto shërbime financohen nga buxheti qendror dhe nga buxhetet e pavarura të organeve të qeverisjes vendore. Rrjeti i institucioneve që ofrojnë shërbime për moshën e tretë përfshin:
-Pesë institucione rezidenciale publike për 267 të moshuar në qarkun e Tiranës, Fierit, Shkodrës, Gjirokastrës. Në këto qendra ofrohet akomodim, ushqim, këshillim psiko-social, shërbime shëndetësore, aktivitete social-kulturore dhe përkujdesje higjeno-sanitare etj. Gjithashtu, janë pesë shërbime ditore publike për 226 të moshuarit në qarkun e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Kukësit dhe Elbasanit. Këto shërbime janë nën administrimin e pushtetit vendor.
Ofrojnë shërbime për kategorinë e moshës së tretë edhe institucionet jopublike. Të ndara sipas tipologjisë së shërbimit janë:
Gjashtë qendra rezidenciale jopublike me 112 të moshuar, ku katër prej tyre janë qendrat “Misionaret e Bamirësisë, Motrat Nënë Tereza” në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës. Ato ofrojnë ushqim, akomodim, shërbim shëndetësor. Dy qendrat e tjera rezidenciale janë ato që ofrojnë shërbime kundrejt pagesës.
Tetë shërbime komunitare dhe shërbime alternative për 1005 të moshuar.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura