Valbona Selimllari e pranon për herë të parë: Po, jam nënë e dy djemve dhe një vajze

Apr 19, 2014 | 9:50
SHPËRNDAJE

VALBONA SELIMLLARI (MAJTAS) FAQJA E PARE E “PANORAMA PLUS”
Ish-misi shprehet se është një nënë e betuar për t’iu përkushtuar për gjithë jetën fëmijëve të saj. Fëmijët i bëjnë surprizë te “Kontrata”

Valbona Slimllari, ish-misi i parë shqiptar, një ikonë e vërtetë bukurie edhe sot që është 43 vjeçe, u shfaq këtë të mërkurë në programin “Kontrata” të Sonila Meços në “Agon Channel”, për të thyer heshtjen mbi disa të vërtëta të jetës së saj. Atë që të gjithë e pëshpërisnin nën zë dhe ne gazetarët ia kishim kërkuar me qindra herë që ta ndante me lexuesit tanë, pra faktin që ajo tashmë ishte bërë nënë, ajo jo vetëm që nuk ka pranuar ta bëjë publike me gojën e saj, por ka bërë gjithçka për ta fshehur dhe parandaluar nëse dikush nga ne do ia publikonte. Ka rreth 13 vite, aq sa mosha e djalit të saj të madh, që në ambientet të ndryshme flitet se Valbona Selimllari tashmë është bërë me fëmijë. E pyetur nga gazetarët, ajo ka refuzuar që këtë lajm ta ndajë me publikun. Gjithkujt i është dukur absurde se si për një lajm të tillë, siç është ardhja në jetë e një fëmije, të harxhosh energji pa fund që ta mbash të fshehtë, aq më tepër kur je një person publik. Madje, absurdi arrinte deri aty, sa në rrethin tonë të gazetarëve të shkruaje për jetën private të Valbona Selimllarit ishte kthyer në një tabu, sepse ajo nuk e do në mënyrë kategorike një gjë të tillë. Kulmi arriti kur revista “Story” publikoi rreth një vit më parë  lajmin që Valbona Selimllari ishte në pritje të fëmijës së saj të tretë dhe ka shkuar në Çeki, aty ku banon e motra, për ta lindur atë. Të nesërmen e hedhjes në treg të revistës, Valbona mblodhi të gjitha revistat nga pikat e shitjes, që lajmi të mos shkonte te lexuesi.
Por duket se tashmë diçka ka ndryshuar, pasi edhe ajo vetë kur ne i kërkonim intervistë për jetën e saj private, thoshte që do të vijë momenti për ta bërë këtë. Me sa duket, ky moment ka ardhur, por jo për të rrëfyer çdo gjë.  Sonila Meço, duke iu përmbajtuar strukturës së programit të saj, ku personazhi i ftuar zbërthehet nëpërmjet intervistave të njerëzve më të afërt, me sa duket kishte arritur ta bindte Valbonën që në  morinë e informacionit për jetën e saj, të përmendte edhe faktin se është nënë e tre fëmijëve. Gjithçka e thënë në mënyrë shumë spontane dhe të natyrshme, siç duhej në fakt të pohohej një lajm i tillë nga gjithkush, por kjo nuk vlen në rastin e Valbonës, e cila për vite më radhë këtë lajm e kishte mbuluar me mister.

Fustani i nusërisë, të cilin nuk e ka veshur ende
Valbona Selimllari, krahas jo-ve të pafunda dhënë mediave, për të rrëfyer më shumë për jetën e saj, në fakt një gjest bujar e ka bërë, duke na ka ofruar një imazh që të gjithë ne donim ta shikonim. Dhe ky ishte imazhi i vajzës me bukuri të përjetshme, e veshur nuse. Kjo ka ndodhur disa vite më parë, në një nga sfilatat e përvitshme që organizon “Geraldina Sposa”. Gjatë programit “Kontrata”, Sonila Meço rrëfeu se ajo dhe Valbona kishin disa gjëra të përbashkëta, si p.sh. faktin se që të dyja kanë veshur fustanet e nuses në sfilatën e “Geraldina Sposa”, por jo në jetën reale, duke lënë të kuptohet se Valbona nuk është bërë nuse. Kjo ishte e vërteta tjetër që Valbona zbuloi për publikun.

Një foto me fëmijët sa për të thyer akullin
Lajmit që Valbona Selimllari është nënë e tre fëmijëve në fakt i parapriu një “dekonspirim” i vogël i realizuar nga vetë ajo. Gjatë Krishtindjeve të vitit të kaluar, kur në familjen e Valbonës kishte ardhur vajza (rreth 6 muajshe tashmë), mbas dy djemve, ajo publikoi në instagram disa foto, ku tregohej Valbona së bashku me dy djemtë e saj teksa rregullonte Pemën e Krishtlindjes, por pa dhënë asnjë koment se me kë është, duke lënë të nënkuptohej se tanimë po afronte momenti për të zbuluar “sekretin e madh”.

Dedikimi i tre fëmijëve për Valbonën
Ndërsa flisnin për ndjesitë e mëmësisë me Sonila Meçon, Valbona me këtë rast konfirmoi frazën e moderatores se e kishte provuar deri tani tri herë ndjesinë e të qenët nënë. Ky moment i programit u shoqërua me dedikimin e tre fëmijëve të saj, të cilët i thoshin: “Mam, të kemi shumë xhan!”. Valbona rrëfeu se kishte dy motra dhe një vëlla, me të cilët kishte raporte të shkëlqyera dhe i donte shumë dhe kjo ishte arsyeja pse ajo nuk kishte dashur që fëmijët e saj të mos i linte pa vëlla dhe motër. Ajo i pohoi Sonilës që është e betuar për të qenë një nënë shembullore dhe e përkushtuar: “Të jesh nënë është diçka hyjnore”, – u shpreh Selimllari.
 Në këtë intervistë të gjatë, ku Selimallari shfaqej në formë dhe mjaft e kuruar, deklaroi se ndihej mirë në punën që bënte, por pa dhënë detaje se ku punonte konkretisht. Përveç të tjerash, ajo pohoi se në jetë është tip i ndjeshëm, duke mos mohuar faktin që shpallja si miss në fillim të viteve ‘90 i dha jetës së saj një tjetër drejtim. Nuk ngurroi edhe në zbulimin e detajeve të bukura për jetën, siç ishte rrëfimi i një ëndrre që kishte parë para se të shpallej miss. Në vjeshtën e vitit 2011, Selimllari iu rikthye ekranit si moderatore, me formatin “Nga e para”, që u transmetua në “Vizion Plus”.

Miqtë që kanë lënë gjurmë
Krahas marrëdhënies speciale me dy motrat dhe vëllain me të cilët ka qenë e pandarë, Valbona tregoi gjatë intervistës me Sonila Meçon se cilët janë miqtë që  kanë lënë gjurmë në jetën e saj, duke përcaktuar shpesh edhe destinacionin ku ajo duhej të shkonte. Emrat që Valbona përmendi, janë ikona të vërteta të televizionit, dhe ajo ka theksuar se është ndier me fat që ka qenë pranë tyre. Aty u përmendën emra si Vera Grabocka, Ardit Gjebrea, Timo Flloko dhe Adi Krasta. Por, në fakt, asnjëri prej tyre nuk u bë pjesë e programit fizikisht, por vetëm me dedikime të ndryshme, si në rastin e Fllokos, që kishte bërë një poezi.  

Revista “Story”, që u mblodh nga pikat e shitjes
Tashmë që vetë Valbona rrëfeu se është mama e tre fëmijëve, ne po publikojmë kopertinën dhe faqen e brendshme të artikullit që revista “Story” publikoi rreth një vit më parë për Valbonën. Aty tregohej se Valbona është shtatzënë me fëmijën e tretë, i cili është vajzë. Revista u tërhoq nga të gjitha pikat e shitjes, pasi, me sa duket, Valbona nuk ndihej ende gati për ta publikuar këtë lajm.

(Kete e shume te tjera i lexoni sot ne suplementin Panorama Plus te gazetes Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura