Urdhri i ministrisë, viti shkollor nis më 13 shtator

Jul 16, 2016 | 15:00
SHPËRNDAJE

Viti i ri shkollor për 9-vjeçaren dhe gjimnazistët do të nisë më 13 shtator. Këtë parashikon urdhri i Ministrisë së Arsimit me strukturën e vitit shkollor 2016-2017, në të cilin janë detajuar datat e fillim-mbarimit të shkollës, pushimet dhe provimet për arsimin bazë dhe arsimin e mesëm të lartë për gjimnazet e përgjithshme e profesionale.

tabela

Kështu, sipas dokumentit të ministrive, të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar fillojnë mësimin të hënën e dytë të muajit shtator dhe e mbyllin më datë 16 qershor 2017, me përjashtim të 9- vjeçares cikli i së cilës përfundon më 9 qershor.

Pushimet e dimrit ose ato në prag të festave janë gjithashtu të njëjta për të dyja ciklet: fillojnë një ditë përpara Krishtlindjeve, më 24 dhjetor, e duhet të jenë në mësim në datën 3 janar të vitit të ri. Ndërkaq, nxënësit e 9- vjeçares kanë një tjetër periudhë pushimi, atë mes semestrave që e marrin më 31 mars dhe 2 prill 2017.

nxenes

Urdhri i MAS ka në brendësi të tij edhe periudhën e provimeve për minimaturantët e maturantët. Ata që përfundojnë ciklin e detyrueshëm do të testohen për tri provimet me detyrim në datat 10-30 qershor 2017. Maturantëve të gjimnazit u është lënë një muaj kohë në dispozicion për provimet e Maturës, ndonëse nuk dihet ende nëse se si do të funksionojnë apo rolin që do të kenë ata në përputhje me ligjin e ri të arsimit të lartë.

PROFESIONALET

Udhëzimi i nënshkruar nga ministrja Lindita Nikolla dhe Blendi Klosi i arsimit profesional përmban edhe datat e provimeve e pushimeve për nxënësit e zanateve. 16 qershori, dita kur të gjithë përfundojnë shkollën, vlen edhe për nxënësit e profesionales për strukturën 4-vjeçare 2+2. Ata që studiojnë në degë me strukturë 2+1+1 përfundojnë më 2 qershor, ndërsa më herët, më 23 maj mbyllin shkollën maturantët e këtyre shkollave.

Ditët e pushimeve, 24 dhjetor 2016-3 janar 2017 janë të njëjta për të gjithë, ndërsa provimet përfundimtare ndryshojnë. Niveli i I dhe II i nxënësve të arsimit profesional testohen më 5-16 qershor 2017, ata të nivelit II nga 24-30 maji, ndërsa provimet e Maturës përgjatë gjithë muajit qershor.

Ndonëse ende nuk dihet ç’do të ndodhë me gjimnazistët e vitit të fundit, të së përgjithshmes apo profesionales, urdhri me firmat e dy ministrave ka parashikuar një periudhë provimesh për ta që zgjat përgjatë gjithë muajit qershor. Këtë vit është bërë publike skema e pranimeve që ndryshon sipas universiteteve dhe që u jep pak ose aspak rol provimeve të Maturës Shtetërore.

Gjithashtu, ky vit njihet edhe si fundi i këtij sistemi për të pasuar një të ri, për të cilin po punojnë që tani ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Me ndryshimet në ligj, kjo e fundit do të marrë emrin Qendra e Shërbimeve Arsimore.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura