Universitetet, nis gara për maturantët “e vjetër”. Kategoritë që aplikojnë

Apr 11, 2018 | 14:23
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Nga nesër, maturantët e viteve të kaluara nisin fazën e parë të procesit, që i çon drejt dyerve të universitetit.

maturante

Sipas një kalendari të përcaktuar datash, të interesuarit duhet të plotësojnë formularin A1Z, në të cilin zgjedhin lëndët që do t’i japin si provime në qershor dhe që kanë peshë të caktuar në universitetet, për të cilët do të aplikojnë në një kohë të dytë.

Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar datat e bashkë me to edhe mënyrën e aplikimit në portalin “Matura Shtetërore”. Pas dy muajsh, më 20 qershor, ata do t’u drejtohen shkollave për t’iu nënshtruar testimeve me zgjedhje e më pas aplikimit me formularin A2, ku do të zgjedhin dhjetë preferencat e studimit.

KUSH APLIKON

Të drejtën për të aplikuar me formularin A1Z e kanë tri kategori. Më konkretisht, mbetësit e viteve të kaluara, ata që kanë përfunduar gjimnazin, por për arsyet e tyre nuk kanë zgjedhur të vijojnë studimet e larta si dhe ata që janë shkolluar jashtë vendit.

“Formulari A1Z plotësohet nga kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2018-të dhe që kanë detyrim për të dhënë një ose disa provime të maturës shtetërore; kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2018-të dhe që nuk kanë detyrime të maturës shtetërore, si dhe kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës, rezultojnë se kanë ose nuk kanë detyrime të maturës shtetërore”, citohet në udhëzimin e QSHA-së.

Ndryshe nga maturantët në sistem, të cilët aplikuan online, “të vjetrit” duhet t’i drejtohen shkollës ku kanë përfunduar shkollimin e mesëm ose atë që iu është përcaktuar nga komisioni i maturës shtetërore.

Përpara se të bëjnë këtë veprim, ata duhet të pajisen më parë me një kopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, me fotografi/certifikatën e maturës me notat e të gjitha viteve të gjimnazit, lëshuar nga drejtori i shkollës, sipas regjistrit të amzës apo dokumentin e lëshuar nga arkivi i shtetit. Procesi i aplikimit do të jetë i sigurt për faktin se plotësimi i formularit A1Z do të ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura