Universitarët i shërbejnë vetëdijes së kombit

Aug 21, 2017 | 13:25
SHPËRNDAJE

edvin priftiPROF. EDVIN PRIFTI

Duke marrë shkas nga një shkrim i titulluar “Kur në emër të popullit universitarët vendosin”, i botuar në gazetën “Panorama”, më datë 19 gusht 2017, nga z. Edi Puka, mendova të jap disa mendime dhe argumente të mia në lidhje me çështjet që ai ngre ..Sigurisht e falënderoj autorin për shkrimin e tij “konciz” në lidhje me problematikën e gjerë që përmbledh autonomia universitare dhe dija akademike, i cili si një pedagog në një Universitet privat (jopublik), të cilët pa dyshim duhet t’i shohim jo si konkurrues, por si komplementar në rrugën e gjatë të proceseve akademike në vend, është i fokusuar tek aspekti financiar, buxheti i universiteteve, pagesat, shpërblimet, kush paguan kë dhe sa e paguan?!

Sigurisht këto janë elementë të ndjeshëm në institucionet private, janë akoma dhe më të ndjeshëm në universitetet publike, të cilat përballen me varfërinë dhe kufizimet financiare, por nuk janë gjithçka dhe nuk përbëjnë thelbin e aktivitetit në universitetet publike me gjithë të metat që ata mbartin. Çështja e akademizmit kapitalist që ngrihet nga autori pa dashje dhe pa u nominuar, por që është e kuptueshme në linearitetin e shkrimit të tij, përputhet me fokusimin në aspektin financiar, bilancet e universitetit etj.

Në ndryshim, ne përfaqësojmë akoma ata universitarë, të cilët besojnë te modeli mertonian i shkencës, i prezantuar nga normat CUDOS (comunalism, universalism, disinterestedness, originality, skepticism), i cili lë pak vend për shkencën e komerçializuar, ndërkohë që i nderuari z. Puka kërkon krijimin e tregut me në qendër studentin sikurse shpreheni në artikullin tuaj, pra thelbin e akademizmit kapitalist ku vendoset tregu, ku termi student humbet dhe transformohet në klient apo konsumator, pasi në tregun që ju kërkoni të krijoni pa dyshim që dikush duhet të konsumojë, pikërisht klienti, i cili pasi vjen në universitet paguan dhe “blen dijen”.

Sigurisht që ju e kuptoni që aplikimi i këtij modeli në vendin tonë do të zëvendësonte atë pak autonomi universitare në totalitarizëm akademik dhe nëse mbetet i pakontrolluar do të kalonte shpejt në fashizëm akademik, pasi Shqipëria nuk ka të inkorporuar në indin e saj lidhor trilogjinë e domosdoshme që është trashëgimia e mjaftueshme akademike, kontroll të lartë të cilësisë si dhe rregulla të forta të sistemit të edukimit!

Dhe si një partizan i modelit të akademizmit kapitalist ju nuk mund të pajtoheni me konceptin e autonomisë universitare, si një mbështetës i akademizmit kapitalist, ju jeni i interesuar për tregun dhe jo për ligjet që duhet të rregullojnë këtë treg, dhe të orientojnë njerëzit drejt lirisë akademike dhe autonomisë universitare. Në parantezë ju kujtoj që Universiteti i Tiranës, është i vetmi institucion publik, i cili siguron vetë më shumë se 50% të të ardhurave vjetore dhe pakicën e siguron nga buxheti i shtetit, ndërkohë që Universiteti i Mjekësisë siguron 46% të shpenzimeve vjetore nga të ardhurat e veta.

Pra, edhe në kuadër të një kornize sipas modelit të akademizmit kapitalist, këto institucione kanë mjaftueshmërisht të ardhura për të thënë fjalën e tyre përballë institucioneve qeveritare dhe joqeveritare. Pikërisht, këto të ardhura meritojnë të trajtohen me kujdes nga vetë institucioni dhe jo në funksion të interesave të caktuara. Për ta qartësuar disi po marr një shembull.

Në mbledhjen e anëtarëve të dërguar rishtazi nga ministrja teknike e Arsimit në Universitetin e Mjekësisë, janë miratuar fonde prej dhjetëra mijëra euro, të cilat ju jepen OJQ-ve “eventualisht studentore” për konferenca, pa kaluar në Këshillat studentore të universitetit. Ndërkohë që konferencat realisht shkencore të stafeve pedagogjike, shoqatave të specialiteteve të veçanta nuk përfitojnë asgjë. Përse të dërguarit e ministres, të cilët sipas jush mendojnë për popullin dhe veprojnë në emër të popullit duhet të veprojnë kështu?!

Në universitetin tuaj jopublik do ta pranonte administrata, sistemet tuaja të kontrollit apo edhe vetë pronari i tij shpenzime të tilla? Unë mendoj që jo! Ja për këto flasim, jo që universitarët të vendosin në emër të popullit, pasi kjo është një ëndërr shumë e bukur që nuk mund të realizohet, pasi universitarët nuk kanë patur asnjëherë shansin dhe mundësinë të vendosin në emër të popullit.

Do të kishte qenë shumë mirë për vendin tonë të kishte ndodhur kështu, por kur edhe vetë universitarë si ju mendojnë që kjo nuk është rruga e duhur atëherë, mesazhi i gabuar që i japim popullit është që ai duhet të shmanget nga universitarët, duhet të shmanget nga ata që prodhojnë mendimin, duhet të shmanget nga mendimtaria! Por ju harroni diçka, sikurse Viktor Hygo thotë mbi varrin e Balzakut: “Njerëzimi sot nuk ka më iluzione, dhe prandaj nuk vështron më sundimtarët por vetëm mendimtarët. Prandaj le të kemi më shumë besim te mendja e universitarëve!”.

Së dyti, çështja e autonomisë universitare nuk shtrohet vetëm se kush paguan, dhe sa paguan dhe më pas ai që paguan më shumë duhet të kontrollojë gjithçka. Nëse do të ishte kështu, atëherë do të ishte fundi i autonomisë, fundi i universiteteve. Mendoni pak, sikur në një universitet amerikan edhe pse janë privatë, i cili funksionon në bazë të Bordit të Donatorëve, një nga donatorët të financonte shumicën dërrmuese të shpenzimeve, atëherë sipas logjikes suaj autonomia e këtij universiteti do të kanalizohej në hullinë e dëshirave të këtij donatori fondesh.

Në të vërtetë nuk ndodh aspak kështu! Për më tepër në universitetet publike, çështja e autonomisë universitare është një çështje e lirisë akademike, sesa një autonomi financiare, por me sa duket ju përsëri e shtroni si një çështje ekskluzivisht financiare. Unë mendoj, që liria e parë dhe më thelbësorja është liria akademike e universitareve tanë.

Por për ta realizuar këtë, ata duhet të ndjejnë që janë vetë zot të financave të tyre, që i menaxhojnë vetë ato sigurisht nën kontrollin përkatës, sepse vetëm kështu ata do të ndjejnë që nuk do të jenë kurrë të kërcënuar nga “filozofitë” apo urdhrat e pronarëve, qofshin këta privatë ose shtetërore, qofshin politikë apo jo politikë, vetëm kështu ata do të ndjejnë punësimin e tyre të sigurt, që edhe pse me një rrogë jo të madhe do t’ju mundësonte të ishin të lirë në idetë, mendimet dhe opinionet e tyre, dinjitoz në vendimet e tyre, sepse vetëm kështu do të jepnin kontributin e tyre në politikë, jetën sociale dhe ekonomike të vendit, paçka se në cilin drejtim politik anojnë apo i përkasin, sepse vetëm kështu do të pengohej gjuetia e shtrigave që ndodh rëndom gjetiu.

Personalisht më vjen mirë që çështjet e javës së kaluar në arsimin e lartë kanë sjellë debat publik, i cili është gjithmonë i vlefshëm qoftë edhe me opinione të kundërta, për më tepër kur përfaqësues të sistemit universitar privat, dalin në mbrojtje të vendimeve të Ministrisë së Arsimit.

Kjo tregon në mënyrë direkte dhe pa asnjë ekuivok, që çdo vendim i ministres së Arsimit ka një ndikim direkt si në universitetet publike dhe ato private, pra, tregon që vetë ligji i arsimit të lartë ka arritur të bëjë ndërthurjen midis dy sistemeve duke transformuar privatin dhe publikun në dy enë komunikuese dhe kjo duhet parë me pozitivitet, por njëkohësisht edhe me këndvështrim kritik, në mënyrë që të ruhet balanca dhe ekuilibri i duhur. Thënë këto, pa dyshim që autori merr shkas të shkruajë pa qenë plotësisht i informuar mbi shkeljet ligjore në vendimet që ministrja e Arsimit mori duke ndërhyrë në mënyrë antiligjore në bordet e administrimit të universiteteve.

Pra nuk është vetëm çështje autonomie, por edhe një problem ligjor. Apo jeni dakord edhe me shkeljet e ligjit, i cili kërkon që anëtarët e bordeve të shkarkohen dhe jo të zëvendësohen sikurse bëri ministrja? Kjo tregohet edhe nga fakti, që me dorëheqjen e ministres, u dorëhoqën edhe disa nga të deleguarit e saj në bordet e administrimit, duke evidentuar më së miri paligjshmërinë dhe padrejtësinë e këtyre vendimeve, prandaj më e pakta që mund të bëhet në këto momente, është që të qëndrojmë në krah të atyre që kërkojnë zbatimin e ligjit dhe të autonomisë universitare, e cila mbase në konsideratën tuaj nuk është e rëndësishme, por pa dyshim që për ne përbën thelbin e ekzistencës së universiteteve publike.

Unë nuk mendoj që universitarët “kanë vendosur në emër të popullit”, sikurse ju e përshkruani në artikullin tuaj konciz, pasi askush nuk ua ka dhënë këtë mundësi. Këta universitarë të cilët për dhjetëra vjet, me të mirat dhe me të këqijat e tyre prodhuan elitat intelektuale shqiptare meritojnë të paktën të flasin dhe të shprehin mendimet e tyre. Pastaj, sigurisht që çështjet do të debatohen dhe duhet të debatohen edhe nga këndvështrues të ndryshëm si ju, pasi vetëm në këtë mënyrë do të kuptohet që problemi themelor nuk është midis institucioneve por janë çështjet konceptuale të kundërta, të cilat ekzistojnë brenda nesh “universitarëve” sikurse i quani ju, çështje, të cilat mund të nxiten nga opinione të ndryshme në rastin më të mirë, apo nga interesa okulte të grupimeve të ndryshme në rastin më të keq.

E rëndësishme është që ata, të cilët e ngritën këtë problem serioz, të cilët në mënyrë transparente e tejçuan administrativisht në instancat përkatëse, e bënë mediatike dhe në përfundim shkaktuan një debat si dhe dorëheqjet e të deleguarve të ministres, pa dyshim që nuk mund të vendosnin në emër të popullit sikurse ju shpreheni me lehtësi në të pakuptuarit e problemit. Ata demaskuan një proces, i cili nuk i cenonte aspak pozitat e tyre, por në mënyrë parimore kundërshtuan dhe bënë publike, pikërisht ata syresh, të cilët vendosin në emër të popullit.

Dhe pikërisht këtu ndahemi në këndvështrime pasi nuk janë universitarët që vendosin në emër të popullit, shprehje komsomolase këto, të cilat i shkojnë më për shtat atyre që delegohen për të tejçuar interesa të veçanta në institucionet publike të arsimit të lartë. Universitarët nuk janë njësitë guerile që thërrasin “në emër të popullit”, ata janë njerëz që të shikojnë në sy dhe shprehin mendimet e tyre dhe që kultivojnë gradualisht vetëdijen kombëtare dhe elitat intelektuale.

Mbase në shkrimin e cituar, ju e keni fjalën për klepto-universitarët, pseudo-universitarët, otomano-universitarët apo për neo-universitarët, të cilët mbase fshihen prapa ndonjë “kimere” të arsimit të lartë, të prodhuar në mënyrë artificiale me manipulacionin e qelizave kapitaliste të akademizmit shqiptar, por ju garantoj që nuk përputhet minimalisht me ne dhe nuk na përket ne!

Sigurisht ju mendoni që duhen zhdukur fosilet e vjetra dhe mbase këtu e keni fjalën për universitetet e traditës në vendin tonë sikurse, Universiteti i Tiranës, ai Politeknik dhe i Agrikulturës, paçka se janë tri universitetet e para për Shqipërinë në rankimin botëror për vitin 2017, dhe ky është treguesi i aspektit shkencor dhe njohjes ndërkombëtare që ju e përmendni në artikullin tuaj, dhe në respekt të njohjes ndërkombëtare shkencore, në nivelet më të larta të punës sime po ju përgjigjem.

Ju keni të drejtë të thoni që ato janë fosile, pasi me të vërtetë kanë lënë shenjë në gurin shekullor të injorancës në vendin tonë, duke e ndriçuar sado pak errë- sirën që prej shekujsh na kishte pllakosur, keni të drejtë për fosilizimin e tyre, pasi edhe pse universitete të reja në moshë u munduan të mbulonin me dije mendjen e shqiptarëve duke shpërndarë mjegullën turbulluese orientale që qëndronte mbi kokat tona, ju keni të drejtë ta mendoni kështu pasi me siguri prindërit apo edhe vetë ju keni studiuar në këto fosile.

Çfarëdo që të ndodhë, gjurma e tyre në gurët e këtij vendi tashmë është skalitur dhe askush nuk mund ta ndryshojë. Por ju keni të drejtë të kërkoni që ato të përmirësohen, të avancojnë dhe të progredojnë në drejtimin e duhur, duke u kthyer në Koloseumet e diturisë dhe mendimtarisë kombëtare. Në përfundim, autori, si një pedagog i edukimit që shpreheni që jeni, më vjen mirë për shkrimin tuaj dhe debatin pozitiv që ju nxisni, pavarësisht ditëve të nxehta të gushtit.

Nga ana tjetër, nuk ndihem aspak mirë që terma sikurse, buxheti, tregu i arsimit të lartë, studenti në qendër të tregut, tarifat studentore, menaxhim financiar, pagesat, financimet nga buxheti i shtetit, pamundësi financiare, “nga do vijnë para për të pasur liri” etj, përdoren me shumicë në artikullin tuaj të shkurtër, duke ju përfaqësuar më shumë si një ekonomist-administrator sesa si një edukator.

Në artikujt dhe “prononcimet e universitarëve që vendosin në emër të popullit”, sikurse ju na konsideroni dhe padrejtë- sisht na anatemoni, nuk besoj se gjetët terma të tillë, të cilët i shkojnë më për shtat një biznesi apo një banke sesa një universiteti. Pikërisht ky është ndryshimi thelbësor, pasi ne e shikojmë paranë si një mjet që garanton autonominë universitare ndërsa ju e konsideroni autonominë si një mjet për të siguruar paranë.

*Shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Anëtar i Senatit dhe Bordit të Administrimit, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura